Finlanda dhe Suedia: Dorëzojmë bashkarisht aplikimin për anëtarësim në NATO

Finlanda dhe Suedia do të dorëzojnë bashkarisht aplikimin e tyre për anëtarësim në NATO të mërkurën (18 maj), tha kryeministrja suedeze Magdalena Andersson gjatë një konference të përbashkët shtypi me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, në Stokholm.
“Demokracia ka fituar, e gjithë kjo pranverë ka qenë një triumf për demokracinë në Finlandë ” tha Niinisto.
Duke iu referuar deklaratës së Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan se nuk Turqia nuk do votojë pro anëtarësimit të dy vendeve, kryeministrja suedeze tha se ata presin të bashkëpunojnë me Turqinë brenda NATO-s.
“Ne presim me padurim të kemi një dialog dypalësh me Turqinë dhe sigurisht që do të kemi dialog dypalësh edhe me anëtarët e tjerë të NATO-s gjatë këtij procesi. Dhe pasi të jemi në NATO, shoh një mundësi për të evoluar edhe më tej marrëdhëniet tona dypalëshe”, tha Andersson.
Edhe presidenti i Finlandës tha se gjithashtu mbetet optimist për diskutimet e ardhshme me Turqinë dhe se me dialog problemi do të zgjidhet.
“Duhet të diskutojmë më tej. Populli ynë është i gatshëm të bëjë pothuajse çdo gjë për të diskutuar me zyrtarët turq. Unë mbetem optimist”, tha ai.
Suedia nënshkroi sot (17 maj) kërkesën zyrtare për t’u bashkuar me NATO-n, një ditë pasi njoftoi se do të kërkonte anëtarësimin në aleancën ushtarake prej 30 anëtarësh. Në Finlandën fqinje, ligjvënësit miratuan me shumicë dërrmuese vendimin e qeverisë për të kërkuar anëtarësim./ CNN
/rtsh.al/