E Diel, 1 Nëntor 2026

Fino: PS duhet të dëgjojë Blushin, Blushi të na dëgjojë ne

“Do ishte një fatkeqësi dhe jo luks që politikanë si ai, Malaj e Islami të ikin nga PS”
PS duhet të dëgjojë më vëmendje se çfarë thotë Ben Blushi, por edhe ai duhet të dëgjojë se çfarë thotë PS. PS ka demokraci dhe liri të brendshme, lejon mendimin ndryshe, por ai duhet që të ndërpritet kur kanë vendosur strukturat. Në këtë konstatim del deputeti Bashkim Fino, i cili në një intervistë për “Shqip” bën një analizë të thellë rreth zhvillimeve brenda në parti dhe qëndrimit të saj karshi mazhorancës.
Zoti Fino, u bë një kohë e gjatë që ju keni heshtur dhe nuk keni marrë pjesë në dialogun ditor të së majtës e në veçanti të PS. Pse kjo heshtje?
Jo, nuk mund të quhet heshtje, sepse unë realisht kam qenë aktiv në jetën politike e sidomos në zonën elektorale për të cilën kam punuar fort më 28 qershor në rrethin e Lushnjës. Natyrisht, kemi pasur diskutime e debate, brenda strukturave të partisë, në Asamble apo dhe në grup shokësh. Nuk mund ta quaj heshtje, faktin se nuk jep një intervistë apo nuk bën një dalje në televizion. Gjithsesi mendimet e mia janë të shprehura siç janë mendimet tuaja për lirinë e shtypit. Megjithatë, ju falënderoj që ma jepni mundësinë që ta thyej këtë heshtje, sipas perceptimit tuaj.
Partia Socialiste ka humbur zgjedhjet e radhës dhe sipas gjasave është ende e papërgatitur për zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme. A mund të thuhet se PS është në krizë me fitoren në përgjithësi?
Unë nuk mund ta them këtë. Ka shumë arsye që Partia Socialiste është në këtë situatë ku është. Natyrisht, ne jemi të pakënaqur me rezultatin e zgjedhjeve ashtu siç mund të jenë edhe shumë forca të tjera, por lufta dhe puna jonë në këtë fushatë ishte vërtet e organizuar. Duke mos hyrë në analizat e shkaqeve që sollën këtë rezultat, mendoj se në këtë moment jemi duke kërkuar qëndrim tonin për të mirën e demokracisë, jo vetëm të PS. Qëndrimi politik i tanishëm i PS-së, është një gjë shumë e mirë për demokracinë, për njerëzit në tërësi dhe për gjithë partitë politike. Kryetari ynë, Rama, e ka thënë disa herë se ne nuk kërkojmë në tavolinë rezultatin e zgjedhjeve. Ne kërkojmë që të vihet demokracia në vend dhe kjo demokraci, nëse nuk ka zgjedhje të lira, nëse nuk mbrohet vota, nëse nuk tjetërsohet vota, nuk ka garanci për të ardhmen. Unë nuk mendoj se pas kësaj duhet të bëjmë një hap të dytë. Ky është hap kryesor për të cilin ia vlen, ia ka vlejtur edhe në këto muajt që opozita ka nisur protestat, thjesht për leximin e saktë dhe të rregullt të votave të njerëzve. Nëse ne zgjidhim këtë hap të parë, të jeni të bindur se çfarë vijnë më pas. Personalisht, jam nga ata politikanë që nuk kam merak ekskluziv për rotacion në politikë, por për të ruajtur interesin e vendit. Kjo duhet respektuar. Kur fillon loja dhe mbaron me ato rregulla që ne kemi vendosur bashkërisht, unë të shtrëngoj dorën nëse ti ke fituar dhe unë kam humbur, apo anasjelltas. Por nëse vendosim rregulla loje, fillon loja dhe në fund të lojës ti i prish ata rregulla, atëherë unë nuk kam të drejtën morale të të shtrëngoj dorën nëse ti ke fituar dhe unë kam humbur, ose e kundërta. është kjo arsyeja që ne sot kërkojmë të drejtën. Ky është thelbi i asaj që PS dhe lidershipi i saj, kërkojnë me forcë. Në pamje të parë duket se nuk ka ndodhur asgjë, por në thelb kjo është demokracia. Themi që jemi të konsoliduar në demokraci, por nuk jemi aspak.
ç’mendoni për këtë bojkot, a po i shkakton një kosto vetë PS-së kjo zgjedhje?
Natyrisht që çdo bojkot nuk është i mirë dhe ka koston e vet.Ne i kemi marrë përsipër kostot e këtij bojkoti. Por duhet ta theksoj që në fillim, se ne duhet të ndajmë bojkotin si interpretim nga debati i djegies së mandatit për të cilën po diskutohet gjerë e gjatë, jo vetëm nga forcat politike, por edhe nga konstitucionalistë. Unë mendoj se janë dy gjëra të kundërta. është tjetër gjë të djegësh një mandat dhe tjetër gjë të bojkotosh. Më vjen keq, por duhet të them se ky është një qëndrim i PS-së, pra qëndrimi i partisë më të madhe në opozitë. Nuk është një qëndrim individual, që unë deputeti Bashkim Fino nuk dua të bëj betimin dhe, meqë nuk bëj betimin, humbas mandatin. Më duhet ta theksoj se nuk ka lidhje bojkoti me mandatin. Bojkoti është një formë e luftës sonë politike dhe ne nuk ndihemi mirë, por na detyrojnë kushtet që ta respektojmë një veprim të tillë. Ne nuk humbasim mandatet, por ne do vazhdojmë të bojkotojmë dhe të protestojmë për hir të demokracisë dhe leximit të votave.
Zoti Fino, ka një të vërtetë që duket shqetësuese për opinionin publik. Bojkoti juaj i tejzgjatur, duket sikur do ta dështojë edhe procesin zgjedhor të 2011-s për zgjedhjet lokale. A ekziston ky rrezik?
Po, natyrisht që ky rrezik ekziston për sa kohë që të gjitha kërkesat tona dhe të elektoratit tonë dhe të gjithë shqiptarëve, për të vendosur demokracinë e vërtetë që të lexohet vota në rregull, mund ta prishë këtë ekuilibër. Në fund të fundit ne kërkojmë A-në e një demokracie, kërkojmë që të lexohet normalisht vota e popullit. Për sa kohë që unë nuk e kam këtë garanci, si mund të mendoj se nuk po prishet axhenda apo kalendari i zgjedhjeve të tjera të ardhshme?!. Ne do ta fillojmë nga kjo, kryesorja. Nëse nuk i lexojmë votat në rregull, nuk ka se çfarë të lexohet më pas. Nëse këto realizohen dhe, këtë e tha edhe lideri i PS-së, ne jemi gati për të bërë dialog. Nga dialogu mund të dalë kompromisi i mundshëm, i cili mund të zgjidhë shumë probleme dhe të përshpejtojë axhendën e përbashkët.
Megjithatë, brenda jush ka një grup që mendon ndryshe dhe po apelon për ndryshim të vendimit. Ju jeni kundër këtij grupi?
Brenda nesh, ka një grup të nderuar dhe të respektuar, pjesëtarët e të cilit unë i kam miq. Këta kolegë kërkojnë të ndërpritet bojkoti, e madje kanë vënë dhe kushte që brenda datës 6 mars ky bojkot duhet të ndërpritet. Mendoj se PS e ka zgjuarsinë e vet që të mos arrijë në humbjen e mandateve dhe natyrisht nuk mund t’i humbasë, aq më tepër duke pasur parasysh skenarët djallëzorë që ka ndërmend qoftë KQZ, qoftë lidershipi i PD-së për zëvendësimin e mandateve të opozitarëve. Një gjë e tillë është absurditet i jashtëzakonshëm. Nga kjo pikëpamje, mendoj se nuk do ndodhë kurrë një gjë e tillë.
Unë e respektoj mendimin ndryshe, sidomos mendimet e kolegëve të mi. E kam fjalën sidomos për Blushin, Malajn dhe Islamin, që kanë një kontribut të jashtëzakonshëm në PS dhe duhen dëgjuar me kujdes. Por u bëj një thirrje shumë dashamirëse edhe atyre. Ne i kemi dëgjuar mendimet e tyre dhe kemi bërë edhe ndonjë debat të vogël apo të shpejtë në strukturat e partisë, por ka ardhur koha që edhe ata të dëgjojnë mendimet tona. Mendimet e një shumice që e do PS-në, mendimet e një shumice që nuk kanë të bëjnë apo nuk lidhen me fatin e kryetarit të radhës siç është Edi Rama. Përfshihem në atë kategori njerëzish si Blushi, Malaj dhe Islami që kemi rreth 15 vjet që punojmë e militojmë në Partinë Socialiste që duhet të mendojmë më shumë për themelet, për muret, për konturet e PS sesa për anëtarët e rinj të kryesisë që hyjnë e që dalin apo të asamblesë, apo për kryetarin e sotëm apo të nesërm.
Si ta kuptojmë këtë apel? Mos doni të thoni se ekziston rreziku për largimin e tyre?
Duhet ta kuptojmë e gjykojmë si një nevojë jetike, një mocion më të gjerë për PS, e cila është një forcë progresiste, është një forcë që ia vlen të jetë në pushtet, në raport me forcat e tjera politike. Ka shumë gjëra të përbashkëta, ka shumë e shumë vlera që na bashkojnë dhe shumë gjëra të vogla që mund të na ndajnë. Të gjithë bashkë do ecim në luftën tonë opozitare për të hapur kutitë jo për të marrë pushtetin, por për t’u treguar njerëzve se më së fundi vullneti i drejtë doli në këtë rinumërim. Kjo është thirrja dashamirëse që u bëj kolegëve të mi. Mirë është të na dëgjojnë, sepse po të na dëgjojnë mendoj se zgjidhim shumë prej problemeve tona. Ne nuk kemi ndonjë gjë për të ndarë mes nesh. Nëse ata thonë se duhet të kthehemi në Parlament, ne jemi të bindur se do të kthehemi, nëse vërtetohet masakra e 28 qershorit. Besoj se edhe ata kanë të njëjtin mendim me mua për 28 qershorin. Kam dëgjuar Blushin kur thotë se kam pyetur kolegët e mi. Po natyrisht është normale të pyesë miqtë e tij, është normale të ketë defekte siç ndodhën, defekte që raporti i OSBE-ODIHR i vërtetoi më së miri. Atëherë kur edhe të huajt e kërkojnë një gjë të tillë, pse të mos këmbëngulim ne?!
Kjo ka qenë filozofia e përhershme e PS, ka pasur gjithmonë një debat. Kam përshtypjen që nga pikëpamja politike ajo që ka ndodhur në Partinë Demokratike pas viteve ‘96-’97-të, e cila filloi të copëzohej duke krijuar partinë e Pollos, e preku si sëmundje edhe PS-në e cila filloi në vitin 2004. Në fillim ishte ikja e Metës e më pas ikja e Petro Koçit. Do ishte një fatkeqësi dhe jo luks për ne, nëse një grup politikanësh si Blushi, Malaj apo Islami, (e them si parathënie apo paralajmërim), për shkak të këtij vendimi që ne do të marrim, të ikin nga PS. Sot mua më vjen mirë që të them që nëse e kritikojmë Sali Berishën, në vitet e opozitës ai arriti që të konsolidonte, të mblidhte rreth vetes gjithë ish-kundërshtarët e vet, ata që e themeluan PD-në. Duke bashkuar të djathtën, Berisha ia doli të fitojë zgjedhjet. Kjo gjë duhet të ndodhë edhe me Partinë Socialiste, jo ndarja. Kjo gjë nuk mund të ndodhë pambarimisht duke u ndarë e duke u përçarë garantohet vetëm mbetja në opozitë.
Pra, ju po thoni se PS është në momentin që duhet të ndryshojë kursin e bashkimit të faktorëve të së majtës?
Mbas frontit të parë, pra hapjes së kutive dhe numërimit të votave e për të parë se çfarë ka ndodhur me këto zgjedhje, është e domosdoshme që PS dhe e majta duhet të organizohet në mënyrë të fuqishme ashtu siç e ka ajo thelbin e vet. Duke u bashkuar si një e majtë e fuqishme, ajo do të rrisë shpresat e shqiptarëve për të fituar zgjedhjet. Nuk mund të mendojmë se parti të veçanta, më vete, mund të fitojnë zgjedhjet.
Një parti e majtë e cila deri dje ishte në koalicion dhe sot bën koalicion me PD, siç është LSI, dëshmon diçka që ka ndodhur me të majtën. Ka ndryshuar ekuilibri politik brenda së majtës e brenda politikës në tërësi. Ne nuk mund të lejojmë që partitë e majta me program e statut që aderojnë në Internacionalen Socialiste, në mënyrë absurde të bëjnë koalicion me partitë e PPE. Nuk ndodh kjo në Europë. Ndodhi këtë radhë me Shqipërinë. Ndodhi për arsye të cilat unë nuk mund t’i diskutoj, por mendoj që në të ardhmen, duhet të kemi një emërues të përbashkët, të dalim në një front të përbashkët për të luftuar ndaj së djathtës.
Në këtë nevojë për bashkim ju përfshini edhe ish-udhëheqësin historik, zotin Nano?Unë nuk përjashtoj askënd. Nga natyra jam njeri që gjithmonë kam dhënë mesazhe bashkimi. Do ishte absurditet diçka e tillë, sepse çdo njeri ka vlerat e veta në Partinë Socialiste. Natyrisht që çdo njeri që ka ikur dhe ka lëshuar vrer për Partinë Socialiste bën mirë që t’i kërkojë falje elektoratit, publikut dhe anëtarësisë.
Pra ju e keni fjalën që duhet të ndërtohet një konsensus i brendshëm dhe jo diversitet siç po vazhdon në partinë tuaj?
Po, natyrisht, një konsensus i madh i brendshëm, duke respektuar rregullat e lojës dhe demokracisë, duke respektuar mendimin ndryshe dhe duke e dëgjuar atë më kujdes, duke respektuar vendimin e institucioneve dhe zbatimi e tyre. çdo vendim duhet të jetë i njëjtë për të gjithë.
Si mund të vazhdojë kjo, kur antagonizmi brenda lidershipit, midis atij të shkuar dhe të sotëm, bëhet më i thellë dhe kur kryetari i partisë suaj është në përballje me lidershipin tjetër, domethënë me zotërinjtë Nano, Meta dhe Berisha?
Po, kjo është çështje e lidershipit tonë, i cili e ka artikuluar edhe në strukturat e partisë dhe për hir të vërtetës ai ka të drejtë në këtë interpretimin që bën. Natyrisht që mua nuk më vjen keq për dy të parët, pra për Metën dhe Berishën që sot janë në një qeverisje jo të ndershme që drejton shqiptarët. Por mund të kem rezervat e mia për Nanon dhe e thashë që duhet të bashkohen të gjitha forcat e majta për të realizuar fitoren e PS. Ky lloj bashkimi nuk kërkon që të jetë thjesht mekanik, por kërkon një reflektim nga të gjitha palët që nuk duhet të humbasin sensin e arsyes dhe gjykimit të tyre në raport me njëri-tjetrin apo në raport me faktin historik që kanë drejtuar PS-në në vite të caktuara. Ata duhet të jenë të përulur para anëtarësisë dhe t’i kërkojnë falje dhe ndjesë për gjithë problemet që i kanë sjellë PS-së dhe kësaj anëtarësie. Unë shkoj poshtë në bazë, takohem me ta. Shqetësimi i tyre është që duhet të vendoset demokracia. Shumica e tyre pohojnë se vërtet nuk duhet shkuar në Parlament dhe se me çdo kusht duhet të realizohet hapja e kutive. Ata kërkojnë të bëjmë të pamundurën për të fituar zgjedhjet e ardhshme, qofshin këto lokale apo të përgjithshme, por me rregulla loje të sakta, jo me ato rregulla të cilat ne i bëmë me koshiencë dhe i votuam po me koshiencë në Parlament. Atëherë ne lamë valvulën shkarkuese kur thoshim se dy anëtarë të KQZ kanë të drejtë të rinumërojnë kutitë e votimit dhe këtu nuk bëhet fjalë për diskutime. Ku është parë kjo që 7 anëtarë të diskutojnë vendimin e një Kodi Zgjedhor të votuar me konsensus dhe të rrëzojnë kodin e 140 deputetëve e aq më tepër kur të njëjtin gabim e bën edhe Gjykata!.Tani na thotë Saliu hajde ta bëjmë një kod si ta doni ju, por kutitë nuk hapen, por ne e kishim valvulën shkarkuese dhe nuk u zbatua. Unë në këto momente të paragjykoj si drejtues i mazhorancës, sepse ku e di unë që po erdha të bëj një kod tjetër, nesër do zbatohen këto rregulla loje?! Ky është thelbi i të gjithë kësaj çështjeje, të cilën shumë analistë nuk e kuptojnë ose nuk duan ta kuptojnë.
Mos ka lidhje kjo me faktin se vetë mediat dhe publiku shqiptar ende nuk po lexojnë një projekt të besueshëm dhe mbështetës nga vetë opozita për të qenë një alternativë qeverisëse?
Po pse duhet të bësh këtë pyetje dhe të thuash se mediat nuk e lexojnë një projekt të tillë dhe të merren me opozitën. A kanë lexuar ndonjëherë ndonjë projekt të besueshëm të mazhorancës dhe po merren vetëm me opozitën?!. Më thoni kush është ky projekt i rëndësishëm dhe i besueshëm i mazhorancës? Unë nuk dua t’ju imponoj. Perceptimi im kur shikoj lajmet në televizion dhe kur lexoj gazetat në mëngjes, është sikur e keqja në këtë vend vjen nga opozita. Kjo më duket absurde. Ajo mund të ketë fajet e veta, por më shumë mediat duhet të merren me ata që kanë pushtetin sot. Ideja është se nuk mund të merren të gjitha mediat me një lidership të PS-së, ndërkohë që harrohen gjërat e ditës që janë me të prekshme për qytetarin.
Pak më sipër kritikuat partneritetin Berisha-Meta, ndërkohë që tashmë PS-ja në opozitë fton në koalicionin opozitar, një parti të djathtë siç është ajo e zotit Ngjela apo PDK-në?
Për mua këto nuk kanë lidhje fare. Bashkimi që ka bërë në këto momente PS me partinë e Ngjelës apo PDK-në janë se kanë të njëjtin fat, kanë të njëjtin hall. Halli i tyre i ka bashkuar sot, pasi janë bërë një palë zgjedhje. Ne nuk kemi qenë në koalicion me ta, por rezulton se votat tona dhe partive të tyre nuk janë numëruar në rregull. Ky është emëruesi i përbashkët që na ka bashkuar në këto momente. Këta liderë të këtyre partive po kërkojnë që të ketë rinumërim të votave. Kjo që them unë nuk besoj se ka lidhje me atë që ju thatë, për një koalicion siç është ai i PD-së me LSI-në. është e vërtetë se PS dhe LSI nuk kanë pasur marrëveshje parazgjedhore, do të ishte mirë ta kishin dhe këtë tashmë mund ta thonë të gjithë, pasi kanë dalë rezultatet. Por në atë kohë të gjithë kemi qenë skeptikë dhe ne që flasim dhe lidershipi ynë, po kështu edhe LSI kishte një gjuhë shumë të ashpër kundrejt nesh. Gjithsesi, në fund të fundit kemi gjykuar se pas mbarimit të zgjedhjeve, natyrisht që ka mundësi dhe hapësira për t’u ulur dhe për të negociuar. Këto na dhanë të drejtë ne kur pamë që PD dhe LSI bënë marrëveshje për të mbajtur një pushtet me një shumicë votash. Natyrisht, kjo është zgjidhja e tyre, unë nuk kam të drejtë t’i kritikoj dhe anatemoj, sepse është një çështje e tyre në vullnet të lirë politik. Por shpreh keqardhjen, shpreh dhimbjen, sepse ata janë kolegë dhe miq tanë që kanë dalë nga PS, kanë punuar me ne për tetë vjet kur kemi qenë në pushtet me të mirat dhe me të këqijat. Nuk ka lidhje fare përafrimi i tyre.
Zoti Fino, bojkoti i PS-së sot në të njëjtën kohë është një zgjidhje, por edhe një hall. Si do të dilet nga ky ngërç dhe kur?
Bojkoti unë e thashë, nuk është aspak i mirë është i sforcuar dhe i detyruar prej PD-së dhe lidershipit të saj që nuk dëgjon. Bojkoti s’ka lidhje me mandatet, këto janë dy gjëra të kundërta. Ne duhet t’u mësojmë njerëzve tanë se demokracia është vërtet në rrezik dhe duhet ta rikthejmë në parametrat që kemi kërkuar në vitin 1990.
Dalja në rrugë e opozitës po shkakton një kosto për vendin dhe natyrisht mund të thuhet që i shkakton vetë opozitës një kosto. Sikurse ka nisur që edhe mazhoranca t’ju akuzojë se ju po tentoni të merrni pushtetin me rrugë. Sa është e vërtetë kjo dhe si mund të shmangeni nga kjo rrugë?
Ne nuk marrim përsipër të diskutojmë për kostot e të tjerëve. Unë do ta trajtoj pyetjen tuaj vetëm për koston tonë. Unë kam dal në rrugë për t’i krijuar kosto qeverisë, që ai të reflektojë për kërkesat e mia, të hapë kutitë. Kostoja jonë duhet të shikohet me kujdes dhe nuk duhet rënduar, të realizojmë atë qëllim që i kemi vënë vetes. Duhet që protesta të rritet në mënyrë kreshendo, duke u rritur, e cila si rezultat i këtij presioni të fuqishëm në mënyrë demokratike dhe jo me dhunë. Ne duhet të kemi pak kosto për vete dhe shumë për mazhorancën dhe ky është qëllimi ynë.
Mendoni se grupi parlamentar i PS-së do e ruajë soliditetin e vet përpara kësaj situate?
Unë mendoj se do ta ruajë, sepse miqtë e mi janë kaq të mençur sa të kapërcejnë edhe ndonjë pakënaqësi. Duhet ta ruajnë grupin dhe PS-në, se për sa kohë që nuk mund ta ruajnë, nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Të respektosh strukturat dhe rregullat e partisë dhe nëse nuk i respekton ato, do s’do, e gjen veten një ditë shumë ngushtë dhe shumë keq, jashtë strukturave të partisë. E thashë qysh në fillim, që këto personalitete të partisë që mendojnë ndryshe, është fatkeqësi dhe jo luks, t’i kesh kundër apo t’i nxjerrësh jashtë. Ata janë një armë shumë e fuqishme, që duke u bashkuar me zërin tonë mund të bëjnë të mundur rrëzimin e Sali Berishës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›