Shërbimi i Provës, 700 të burgosur fitojnë lirinë

Drejtoria u dërgon bashkive dhe komunave një projekt për punësimin e të burgosurve
Në favor të interesit publik, të burgosurit që përfitojnë nga dënimet alternative do të kryejnë punë pa pagesë pranë njësive vendore në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, mësohet se nga Drejtoria e Shërbimit të Provës, krijuar pranë Ministrisë së Drejtësisë vetëm vitin e kaluar, kanë përfituar lirinë plot 700 të dënuar “për sjellje të mirë”. Nisma më e fundit që vjen nga Drejtoria e Shërbimit të Provës konstaton te një projekt që u është nisur të gjitha bashkive dhe komunave në rang republike, sipas të cilit synohet riintegrimi në shoqëri i personave që kanë kryer vepra të ndryshme penale. Inspektorët e Shërbimit do të vendosin llojin e punës që do të kryhet, vendin ku do të kryhet dhe ditët e javës që do të punojë në favor të interesit publik. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë se pjesa më e madhe e njësive vendore kanë pranuar projektin, ndërsa një pjesë ende nuk ka kthyer përgjigje, në pritje të zhvillimeve të fundit. Pra, nëse një i burgosur që vuan dënimin në Tiranë përfiton nga Shërbimi i Provës, ai do të lirohet dhe do të punojë pranë vendit ku banon. Burime nga Ministria e Drejtësisë thanë se megjithëse kjo është një risi në legjislacionin shqiptar, rreth 700 të paraburgosur, të burgosur dhe persona nën hetim, kanë përfituar nga këto lloj dënimesh.
Vendi i punës
Kur gjykata ka caktuar ndaj të dënuarit masën alternative të parashikuar nga neni 63 i Kodit Penal, në favor të interesit publik, Shërbimi i Provës vendos llojin e punës që do të kryhet, vendin ku do të kryhet dhe ditët e javës. Në marrjen e këtij vendimi, Shërbimi i Provës vlerëson llojin e veprës penale të kryer, treguesit personalë të të dënuarit, si arsimi, mosha, gjendja shëndetësore, aftësitë profesionale, përvojën e mëparshme të tij dhe kushte të tjera sociale apo familjare. Shërbimi i Provës, në caktimin e vendit ku do të kryhet puna me interes publik, merr në konsideratë vendbanimin e të dënuarit. Kur brenda territorit të vendbanimit të të dënuarit nuk ka një institucion të përshtatshëm, Shërbimi i Provës cakton një institucion tjetër të së njëjtës natyrë, i cili ndodhet në rrethin më të afërt me vendbanimin.
Mbikëqyrja
Shërbimi i Provës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me urdhër të përbashkët do të përcaktojnë institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale, ku do të vendoset i dënuari në gjysmëliri. Në këtë përcaktim, mbahet parasysh shkaku për të cilin gjykata ka caktuar masën alternative të gjysmëlirisë dhe vendin ku duhet të përmbushë detyrimet personale jashtë burgut. Shërbimi i Provës harton dhe zhvillon një program ditor individual për ekzekutimin e dënimit me gjysmëliri, në përputhje me nenin 28 të kësaj rregulloreje. Ky program përmban detyrimet e të dënuarit gjatë kohës që ndodhet jashtë institucionit të ekzekutimit të vendimeve penale, duke përcaktuar kushtet. Ato janë: oraret e hyrjes dhe daljes në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale; personat me të cilët i dënuari lejohet ose ndalohet të mbajë kontakte gjatë kohës sëqëndrimit jashtë institucionit; ambientet e lejuara dhe ato të ndaluara për frekuentim dhe kushte të tjera.
Shërbimi i Provës
Shërbimi i Provës vlerëson personalitetin e të dënuarit, me qëllim qartësimin e nevojave lidhur me mungesat fizike, afektive ose shoqërore, vullnetit të të dënuarit për punë dhe aftësitë e tij profesionale, të cilat kanë penguar zhvillimin e një jete shoqërore normale të tij. Shërbimi, bazuar në këtë vlerësim, si dhe në të dhënat personale, familjare e shoqërore masën e dënimit, ndërton programin individual të trajtimit të të dënuarit në përputhje me dënimin alternativ përkatës. Ky program duhet të miratohet nga drejtori i zyrës përkatëse vendore. Shërbimi i Provës siguron që në veprimtaritë e tij të mos ketë diskriminim mbi bazën e racës, ngjyrës, gjinisë, lindjes, gjuhës, kombësisë, etnisë, apo origjinës sociale, mendimeve politike apo të tjera, fesë, kushteve fizike apo mendore, statusit ekonomik apo çdo statusi tjetër. Gjatë veprimtarisë së tij respekton dinjitetin e personit nën hetim, të pandehurit dhe të të dënuarit.
#