E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, plan për të ngrirë administratën

Shikohet mundësia e bllokimit të punësimeve për një vit. Shkak, financat e dobëta
Qeveria planifikon të ngrijë të gjitha pozicionet e lira të punës. Shkak është bërë shkurtimi i shpenzimeve, si pasojë e mungesës së kapaciteteve financiare si efekt i krizës ekonomike. Burime të gazetës “Shqip” thonë se projekti është ideuar që në fillim të këtij viti dhe mbështetur nga Ministria e Financave. Megjithatë, zyra juridike në Kryeministri konfirmon faktin se nuk ka asnjë vendim për bllokimin e rekrutimit të punonjësve në administratë. Sipas projektit paraprak, për periudhën njëvjeçare nuk do të miratohet asnjë kërkesë për punësim, pavarësisht pozicionit të lirë të punës. “Me konfirmim të plotë ju them se nuk është marrë asnjë vendim i tillë. Mund të ketë pasur ide për një projekt të tillë, në rang ministrish, por qeveria nuk e ka marrë një vendim që ndalon punësimin në administratë”, sqaron Hasan Metoku, drejtori i zyrës juridike në Kryeministri. Në disa vende të rajonit gjatë vitit 2009 - janë ndërmarrë masa për reduktimin e shpenzimeve, ku ndër të tjera u aplikua edhe shkurtimi i administratës. Në rastin konkret, qeveria po shikon të kundërtën, duke planifikuar të mos marrë asnjë në punë, të paktën për një vit. Burime të tjera pranë Kryeministrisë përmendin faktin e ekzistencës së një projektvendimi, i cili sqaron procedurën që duhet të ndjekin ministritë dhe institucionet e tjera. Miratimi i një akti të tillë shkakton reagime të forta nga ana e opinionit publik dhe kosto elektorale, e për këtë shkak Kryeministri ka preferuar të jetë i kujdesshëm, duke mos marrë vendim.
Shpenzimet
Së fundmi, qeveria ka pranuar të shkurtojë shpenzimet, me më shumë se 25 miliardë lekë, si pasojë e reduktimit të të ardhurave me 30 miliardë lekë për shkak të krizës ekonomike. Reduktimi i shpenzimeve, përfshi edhe investimet, në fakt nuk e ka prekur fondin për pagat në administratë. Krahasuar me vitin 2009, shpenzimet për personelin dhe pagat kanë mbetur pothuajse të njëjta, rreth 67.5 miliardë lekë, kur ndërkohë në administratë janë disa qindra pozicione të lira pune. Në rast se qeveria do të kishte ndërmend rehabilitimin e vendeve aktuale të lirë në administratë, logjikisht do të kishim një fond më të madh sesa ai i 2009-s. Aktualisht, numri i punonjësve në administratën publike qendrore është rreth 86 mijë, ndërsa të punësuarit me kontratë varion nga faza e projekteve. Kështu p.sh gjatë vitit 2009, qeveria miratoi një shtesë prej 1600 punonjësish provizorë, ku pjesa më e madhe u angazhua tek INSTAT dhe ALUIZNI.
Administrata
Rreth 72 për qind e administratës publike janë nëpunës civilë, me status të mbrojtur nga ligji dhe Kodi i Punës, kurse 19.1 për qind janë me kontratë ose provizorë, si dhe 8.9 për qind poste politike (ministra, zv.ministra dhe kabineti). Të dhënat zyrtare të vitit 2008, nga departamenti i administratës publike, tregojnë se për 359 pozicione të lira në ministritë e linjës dhe Kryeministri, janë zhvilluar 274 procedura konkurrimi. Në këto konkurrime, kanë paraqitur aplikimet dhe kanë marrë pjesë 1694 aplikantë, nga të cilët rreth 63 për qind kanë qenë të seksit femër. Mosha mesatare e aplikantëve, ishte në rreth 33 vjeç.
Në përfundim të këtyre procedurave, u kryen 307 emërime të reja, nga të cilat 14 emërime sipas procedurës së lëvizjes paralele, 2 emërime sipas procedurës së ngritjes në detyrë, 10 emërime janë kryer nga lista e pritjes pa konkurs dhe 3 emërime për pasojë të zbatimit të vendimeve gjyqësore.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›