E Enjte, 5 Nëntor 2026

Fino: Traktati i miqësisë me Ukrainën, rritje e bashkëpunimit në disa fusha

TIRANË, 4 qershor /ATSH/ Nën drejtimin e kryetares, Mimi Kodheli, u zhvillua sot mbledhja e radhës e Komisionit për Politikën e Jashtme, ku u shqyrtuan dhe miratuan dy projektligje.

Fillimisht komisioni shqyrtoi Projektligjin “Për ratifikimin e traktatit të miqësisë dhe bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës”.

E ftuar për të prezantuar këtë projektligj ishte zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, e cila u shpreh se, përmes këtij traktati të dyja palët do të krijojnë kushte të favorshme në bashkëpunimin ekonomik me interes të ndërsjellë dhe se do të mbështeten tek njëra-tjetra me sistemin shumëpalësh ekonomik botëror, do të nxisin investimet dhe do të bashkëpunojnë në fusha thelbësore si energjia, bujqësia, telekomunikacioni, industria farmaceutike mjedisi apo shërbimet profesionale.

Relatori i çështjes, Blendi Klosi, u shpreh se, marrëveshja vjen si ratifikim i një politike të përbashkët për një përpjekje mes shteteve për të pasur dakordësi në shumë politika, si dhe ftoi kolegët të votojnë pro kësaj nisme.

Deputeti i PD, Kreshnik Çollaku, gjatë fjalës së tij shprehu mbështetjen ndaj nismës në fjalë, ndërsa nënvizoi se, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në kohën e duhur duhet të flasë dhe për njohjen e Pavarësisë së Kosovës, pasi Shqipëria ka detyrimin ta nxisë këtë njohje nga Ukraina.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Mbledhja e komisionit vijoi me shqyrtimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunim për zhvillim dhe statusin e zyrës së koordinimit të programeve të TIKA-s në Shqipëri”.

Projektligji në fjalë u prezantua nga përfaqësuesja e SASPAC, Jona Suli, e cila u shpreh se kjo marrëveshje vjen si një nevojë e kushteve të reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Marrëveshja hedh një hap të ri në vijimësinë e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve. Ajo do forcojë vullnetin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe zhvillimit të progesit ekonomik dhe social. Përmes këtij dokumenti, shtyjmë më tej bashkëpunimin dypalësh, planifikimin, hartimin, dhe zbatimin në programet dhe projektet që synojnë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit”, u shpreh Suli.

Relatorja e çështjes, Hatixhe Konomi, shprehu vlerësimet në lidhje me marrëveshjen dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë.

Gjithashtu edhe deputeti i opozitës, Kreshnik Çollaku shprehu mbështetjen për marrëveshjen në fjalë, ndërsa nënvizoi se Turqia është një vend mik, i jashtëzakonshëm, partner strategjik i domosdoshëm dhe jetik për Shqipërinë, paqen dhe stabilitetin e rajonit.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë.

Komisioni për Politikën e Jashtme Foto: Florjan Abazaj 1 nga 4

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›