Firmëtarët e Pavarësisë, nuk janë kope Zoti Topi
Shpërdorimi me dekorata në fund të mandatit të zotit Topi, shtrojnë domosdoshmërinë e një kontrolli të fortë nga një komision. Dekorimi i udhëheqësve të pavarësisë, pa asnjë ceremonial të mundshëm real, apo dhënia e një dekorate të vetme në tufë për gjithë firmëtarët e dokumentit të pavarësisë, është demonstrim i një dëshmie të stilit të dekorimi marksit prej Bamir Topit. Ngutja, nxitimi dhe vendosmëria e fund-mandatit të Presidentit, i ngjan një 21 janari edhe në të shkuarën historike të popullit
Para disa ditësh, fund-Presidenti Topi nxori dekretin për dekorim të Ismail Qemalit dhe me një dekoratë tjetër përmblodh të gjithë firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë.
Në praktikën e dekorimeve ka një rrumpallë të vërtetë, veç problemeve të forta me vlerat reale të individëve dhe motivacionet e përvetësimit të dekoratave. Por, gjithsesi këto kërkojnë një kontroll të fortë nga një komision, pasi Topi e ka shpërdoruar dhe e ka banalizuar “Dekoratën”.
“Dekorata” është një institucion në vetvete. Ajo interpreton një jetë njeriu. Por, e përdorur dhe e shpërdoruar maksimalisht nga Topi, ka ardhur koha që ky aspekt i veprimtarisë së tij ti nënshtrohet një analize komplekse.
Marrim vetëm dy dekretet e fundit ët tij.
Cila është arsyeja që ky President, disa ditë para largimit, në mënyrë krejt të pa nevojshme dhe jo serioze në prag të një feste kaq të madhe, kaq të rëndësishme, lëshon këto dekorata, mbërthyer në një anonimat dhe mungesë serioziteti?!
Ti po dekoron udhëheqësit e Pavarësisë Kombëtare dhe e trajton atë në mënyrën më banale të mundshme, pa asnjë ceremonial real, që minimalisht mund të ishte një konferencë kombëtare për figurën e Ismail Qemalit!
Dhe më e rëndë akoma është lëshimi i një dekorate në tufë, për firmëtarët e dokumentit të pavarësisë.
Secili prej tyre, është një personalitet i madh, ka një jetë të lidhur me Kombin dhe ti i mbledh krejt me stilin e dekorimit marksist, si ato të dekorimit për brigadat e për aksione, për stërvitje ushtarake, apo edhe për të dalluar në vjeljen e misrit.
Përse ky vrap e ky nxitim, kjo mospërfillje për ata? Çështë ky protagonizëm me firma presidenciale, deri në një spekulim e abuzim që tregon një uri meskine, krejt primitive? Çështë kjo vendosmëri deri në fund për të bërë zarare dhe për të bërë 21 janar edhe në të shkuarën historike të popullit? Mos vallë zoti president përpiqesh tu bësh letrat edhe këtyre të pavarësisë, siç deshe t’ia bësh ministrit të Brendshëm, apo Qeverisë?!
Ik zotëri se nuk i jep dot partiçkës tënde as fytyrë, as fuqi. I ktheve dekoratat në llamarina. Ta kemi thënë edhe nja katër vjet më përpara. Me ty ka ndodhur e kundërta që ndodh zakonisht me përvojat njerëzore nëpër institucione. Gjithkush që merr një detyrë, vjen duke u perfeksionuar dhe duke mësuar, duke shmangur gabimet, zararet, duke rritur përgjegjshmërinë, duke aftësuar, kurse ti, ke bërë krejt të kundërtën. Ti zotëri dole siç nuk hyre. Dhe çdo ditë që kalon, me zellin tënd vetëm zgjat agoninë e institucionit, por sigurisht, në radhë të parë tënden. Edhe kjo të kishte mbetur mangët, futjen në kooperativë të firmëtarëve të dokumentit të pavarësisë.