E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitër Bajrami, Muça uron besimtarët: Paqe, lumturi dhe harmoni

muca-uronTiranë- Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça ka uruar sot besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit, që kremtohet ditën e nesërme, datë 8 gusht.

Në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë bëhet me dije se ceremonia e faljes së Bajramit do të bëhet si çdo vit në bulevardin Dëshmorët e Kombit në sheshin përpara ish- Hotel Dajtit. Bajrami falet në orën 06:23.

Gazeta IDEA po publikon urimin e plotë e Kryetarit të KMSH për Fitër Bajramin.

“Bismilahirr-Rrahmanirr-Rrahim

Tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore.

Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja.

Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: Për Mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur.

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

I uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Zoti e bekoftë kombin dhe atdheun tonë”,-përfundon mesazhi i Muçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›