Fiter Bajrami në botë, festë dhe gjak gjatë kremtimit

Dita e fundit e agjerimit 30 ditor dhe festa e Fitër Barjamit është shënuar në mbarë botën islame, edhe pse në disa vende është shoqëruar me gjakderdhje, por edhe lutje. Miliona besimtarë, besnikë të fesë islame kanë kremtuar këtë ditë. Në Libi, dy shpërthime janë regjistruar në qendër të Tripolit dhe shkaktuan të paktën 2 të vdekur dhe shumë të plagosur.
Në Afganistan gjithashtu ka patur shpërthime me pasojë viktima. Në Sudan, një avion i delegacionit zyrtar sudanez shpërtheu, ndërsa ishte në fluturim drejt Kordofanit për te festuar përfundimin e Ramazanit. Në Siri vijojnë përleshjet ndërmjet ushtrisë dhe rebelëve, ndërsa ka patur edhe të vdekur.
Qindra sirianë që jetojnë në kampet e refugjatëve në Turqi, janë mbledhur së bashku për të festuar Fitër Bajramin dhe për të shprehur lutjet e tyre. Ata u mblodhën në xhaminë e kampit dhe janë lutur së bashku për paqe e mirësi, duke shpresuar që festa e Bajramit, të festohet për herë të fundit në të tilla kushte, në kufrin siriano-turk.
Edhe Dagestani, në Kaukazin rus, është përgjakur nga sulmet e kryera në xhamitë e vendit në ditën e Fitër Bajramit.
Indonesia, vendi me popullsinë myslimane më të madhe në botë, gjithashtu festoi Fitër Bajramin, që shënon edhe fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Lutje masive janë kryer në mbarë vendin.
Mijëra myslimanë filipinas kremtuan Fitër Bajramnin me lutjet e mëngjesit në parkun Luneta të Manilas. Pas faljes dhe lutjeve, besimtarët kanë zhvilluar piknik dhe kanë ndarë ushqim të bollshëm me njëri-tjetrin.