Assange thyen heshtjen përmes avokatit të tij

Julian Assange ka thyer heshtjen sot me anë të avokatit të tij mbrojtës. Fillimisht u paralajmërua se themeluesi i faqes Wikileaks do të fliste për median nga ambasada ekuadoriane ku ndodhet i strehuar. Por më pas avokati i tij mbrojtës sqaroi se Julian Assange ka ndërmend të flasë publikisht brenda dy muajve të ardhshëm. Ndërkohë ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit në Londër është e rrethuar nga forcat policore britanike, të cilat kanë dhënë urdhër për ndalimin e menjëhershëm të Julian Assange nëse del nga territori i ambasadës ekuadoriane.
Mbas takimit me Julian Assange sot në ambasadën e Ekuadorit në Londër, avokati Balthasar Garcon tha se themeluesi i faqes Wikileaks është i bindur se të drejtat e tij dhe të faqes së tij në internet duhet të respektohen.
“Fola me Julian Assange. Mund t`ju them se ai është një “Shpirt luftarak`. Ai i është mirënjohës popullit të Ekuadorit dhe veçanërisht presidentit Correra që i dha të drejtën e strehimit politik. Julian Assange ka luftuar gjithmonë për të vërtetën dhe drejtësinë dhe ka mbrojtur të drejtat e njeriut dhe vazhdon ta bëjë këtë”.
Plani paraprak për paraqitjen publike të Julian Assange do të shënonte shfaqjen e tij të parë në publik që kur ai kërkoi strehim politik në ambasadën e Ekuadorit në Londër dy muaj më parë, për të shmangur ekstradimin në Suedi ku ai përballet me akuzat për marrëdhënie seksuale me dhunë.
Britania ka deklaruar se nuk do të garantojë udhëtimin e sigurt të Julian Assanget jashtë territorit të saj, duke këmbëngulur se ajo do të zbatojë ligjin për ta ekstraduar atë në Suedi, në bazë të një urdhër arresti europian të lëshuar për të .
Nëse Assange del jashtë territorit të ambasadës ekuadoriane, ai do të arrestohet menjëherë nga autoritet britanike, që e mbajnë të rrethuar ndërtesën e ambasadës.
Julian Assange ka frikë se Suedia mund ta ekstradojë në Shtetet e Bashkuara ku ai mund të përballet me akuzat që kanë lidhje me publikimin në faqen e tij Wikileaks të qindra mijëra dokumentave sekrete, mes tyre edhe komunikimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan.