E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton Victori

Filmi i shkurtër spanjoll “La Culpa” (Faji) është shpallur filmi më i mirë në edicionin e parë të YouTube Film Festival, në Venecie. Regjisori i filmit, David Victori, fitoi 500,000 dollarë për projektin e tij të radhës.

Shpërblimi i parë i YouTube Film Festival është ndarë të martën mbrëma, në kuadër të Festivalit të Filmit në Veneci. Në konkurrencë ishin 10 realizime finale, të cilat, sipas rregullave të konkursit, nuk mund të ishin më të gjata se 15 minuta.

Filmi fitues, “Faji”, flet për njeriun e pushtuar nga hakmarrja, pas vrasjes së gruas së tij.

Ndryshe, pjesë e jurisë së festivalit ishin edhe regjisori, Ridley Scott, dhe aktori, Michael Fassbender, të cilët – si pjesë e shpërblimit – do të jenë producentë ekzekutivë në realizimin e ri filmik të regjisorit Victori.

Fassbender, që është fitues i Luanit të Artë në Festivalin e Venecisë në vitin 2011, për rolin e të varurit nga seksi, në filmin “Turpi”, filmin e Victori e cilësoi si “një film shumë të pjekur”.

Victori tashmë ua ka prezantuar Scott’it dhe Fassbender’it planin e filmit të tij të ri.

“Kemi shumë punë për të bërë, ndonëse ende nuk e di nëse për mua do të ishte më mirë që punës t’ia fillonim që nesër”, theksoi Victori pas marrjes së shjpërblimit.

Filmi fitues u përzgjodh pasi që vizitorët e web-faqes YouTube fillimisht zgjodhën 10 finalistë, të cilët pastaj iu prezantuan jurisë në Venecia.

10 filmat e shfaqur në Venecia mund të shikohen në: www.YouTube.com/yourfilmfestival.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›