E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fiton për të dytën herë

Shkrimtarja britanikja, Hilary Mantel, është personi i parë të cilit i shkoi përdore të fitojë dy herë shpërblimin prestigjioz letrar Man Booker Prize.

Hilary Mantel (60), e cila në vitin 2009 u shpërblye me 50,000 funta për romanin e saj “Wolf Hall”, të martën sërish fitoi shpërblimin letrar The Man Booker Prize, për vazhdimin e po këtij romani, të quajtur "Bring Up the Bodies". Është kjo hera e parë që vazhdimi i një romani të shpërblehet me këtë çmim prestigjioz letrar.

Njësoj sikurse romani “Wolf Hall” edhe "Bring Up the Bodies" është pjesë e një trilogjie të planifikuar për realizim, e cila flet për ministrin e fuqishëm të Mbretit Henry VIII, Thomas Cromwell.

"Njëherë prisni për 20 vite që të fitoni shpërblimin Booker, e pastaj, përnjëherë i fitoni dy të tilla”, deklaroi Mantel për mediat britanike, derisa po merrte shpërblimin në Londër.

“Këtë gjë e kuptoj si fat, por edhe si një votim për besimin”, shtoi ajo.

Redaktori i shtojcës për kulturë në gazetën britanike ‘The Times’, Peter Stothard, i cili e kryesoi jurinë përzgjedhëse, derisa arsyetoi vendimin deklaroi se romani i shpërblyer i Mantel “ka tejkaluar në masë të madhe pjesën e parë të tij”.

"Hilary Mantel sërish i shkroi rregullat e një fiksioni historik”, theksoi ai, derisa shtoi se, në veprën e saj mund të gjenden elementë të “Don Corleone, por edhe të D.H. Laurence”.

"Ky është një tregim i përgjakshëm, por edhe vetë Hilary Mantel është një shkrimtare që mendon përmes atij gjaku. ajo e shfrytëzon artin dhe fuqinë e prozës së saj për të krijuar një dyfytyrësi morale”, përfundoi Stothard.

Ndryshe, shkrimtarja la lindur në qytetin Glossop, në Derbyshire, në korrik të vitit 1951, si Hilary Thompson. Ka studiuar drejtësinë në The London School of Economics, dhe në Sheffield University.

Mantel jetuar pesë vite në Botsuanë dhe katër të tjera në Arabinë Saudite, para se të kthehej sërish në Birtani, në vitet e 80’a. Deri më tani ka shkruar 12 libra. Përveç me dy romanet e shpërblyer, Mantel njihet edhe veprat si “Every Day is Mother's Day”, “Eight Months on Ghazzah Street”, “A Place of Greater Safety”, “A Change of Climate”, “An Experiment in Love”, “Giving Up the Ghost: A Memoir”, etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›