Fiton stema e Gollopenit
Dizajni i stemës së Këshillit të Qarkut të Kukësit bazohet në vlerat natyrore e shpirtërore, dhe në traditën e mikpritjes, qëndresës dhe luftës për liri e pavarësi të zonës.
Forma e saj rrethore simbolizon diellin, si simbol i burimit të jetës, dritës dhe si element simbolik i besimit iliro-dardan. Toka, si planet me siluetën e Gjallicës, simbolizon atdheun dhe karakteristikat e zonës, përderisa Buka e thyer për mikun, është simbol i mikpritjes.
Trekëndëshi simbolizon qëndresën dhe forcën, gjegjësisht, mburojën e ushtarit antik, përderisa ylli me 6 fusha - që është marrë nga Stema e Skënderbeut dhe është vendosur në tri anët e trekëndëshit - simbolizon tri zonat e Qarkut të Kukësit – Kukësin, Hasin e Tropojën.
Nga ana tjetër, lulja (Tulipan Albanica) është një karakteristikë tjetër e Qarkut të Kukësit, që tregon pasurinë biologjike të zonës, ndonëse lulja simbolizon edhe rininë- si pasurinë më të madhe kombëtare, ringjalljen dhe jetën.
Ngjyra e kaltër simbolizon paqen, mirëqenien dhe ambiciet për integrime evropiane; e verdha e ndritur energjinë pozitive dhe prosperitetin e zonës, përderisa e kuqja paraqet ngjyrën e vrullit rinor, flakën dhe ngjyrën e lules së Tulipanit.
Ndryshe, Gollopeni u shpall fitues edhe i konkursit për pllakatin kushtuar 100–vjetorit të Pavarësisë, që u përmbyll para një muaji në Tiranë.