Fitore e thellë dhe e pastër
Plebishit i banorëve të kryeqytetit dhe të të gjithë Shqipërisë për t’u ndarë nga politika opozitare e bllokimit të reformave dhe e sabotimit të procesit të integrimit. Lulzim Basha triumfon në Tiranë me një diferencë të thellë sipas “exit-poll”-it të pavarur të institutit “Gani Bobi”. “Alternativa për qytetarin”, çoi në qendrat e votimit rreth 200 mijë votues më shumë se në 2007-n, çka garanton rotacionin në drejtimin e bashkive kryesore që kontrolloheshin nga opozita. Fitorja e thellë dhe e pastër e dyshes Berishës, Bashës dhe koalicionit PD-LSI, votëbeson mazhorancën për reforma më të thella në 2 vitet e tjera të mandati qeverisës
Përfunduan edhe zgjedhjet vendore. Trendy, apo fryma e fitores së kandidatit të mazhorancës Lulzim Basha, që prej javësh mbizotëronte në Tiranë, tashmë pret një konfirmim zyrtar. Në pritje të këtij konfirmimi zyrtar, të dhënat e para, përfshi këtu edhe “exit poll”-in e Institutit “Gani Boby”, parathonë, jo thjesht një fitore, por një fitore të thellë të Lulzim Bashës. Deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, as Besnik Dervishi, nuk kishte dyshime për fitoren e Lulzim Bashës, megjithëse i harruar prej kohësh prej Edi Ramës, por edhe prej mediave, mbrëmë u gjet si vetmi “për tu thirrur nën forcë” e për tu detyruar të lexonte marrëzitë, të cilave Edi Rama ju kishte gjetur një emër sikurse “exit-polli i PS”, që dukshëm, sikurse duket nga “porositësi” i realizimit të tij, nuk kishte si të nxirrte fitues tjetër, veçse “porositësin”, e thënë ndryshe PS-në. Përpos shifrave, të pritshme në favor të Lulzim Bashës, fitorja e thellë edhe e pastër e djeshmja në Tiranë, merr vlera të tjera edhe më të mëdha e më të rëndësishme. Këto vlera kësaj fitoreje ia shton vetë kandidati fitues, i cili ndërsa mori përsipër, dhe realizoi kthimin e bashkisë së Tiranës te qytetarët. Kjo është një fitore e madhe në një plan më të përgjithshëm. Ndërsa në një plan më personal, kandidati fitues Lulzim Basha, shënoi një fitore personale, përballë dërrmimit që i bëri makinerisë së shpifjeve dhe trillimeve, të dirigjuara nga Edi Rama, e të amplifikuara nga mediat të njohura si të vëna nën kontrollin e tij. Ishte kjo makineri shpifjesh dhe trillimesh, që merak të madh të saj, në shërbim të punëdhënësit të tyre, kishin “moslëshimin” e bashkisë së marrë peng prej tyre, në bashkëpunim me kryetarin e ikur, tashmë të saj. Në këtë kontekst, të ndërgjegjshëm prej javësh për humbjen e bashkisë së Tiranës, kori i vajtuesve, të dirigjuar nga Edi Rama, kanë treguar kujdes më tepër, jo aq sa të shmangin të pashmangshmen, e thënë ndryshe humbjen e bashkisë së Tiranës, se sa të zhvlerësojnë kundërshtarin. Për këtë, prej javësh, minuta të tëra në televizione e faqe të tëra gazetash, janë konsumuar, për të injoruar arritjet dhe sukseset e Lulzim Bashës, si Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, si Ministër i Jashtëm, apo edhe si Ministër i Brendshëm. Por, përkundër kësaj tendence, më e pakta që i kanë rezervuar të njëjtat televizione e gazeta Lulzim Bashës, të paktën në 4 javët e fushatës elektorale, ka qenë mospërmendja e emrit, ndërsa më e shumta ka qenë vjellja e vrerit, duke i bërë mal shpifjet e trillimet, të cilat, për çudinë e të gjithëve, nuk është se vërtiteshin te programi elektoral i Luzim Bashës, por vriteshin te jeta e tij personale dhe kjo, akoma edhe më e çuditshme ishte krijuar virutalish, nga mediat, të njohura për kontrollin e tyre nga Edi Rama. Por, ndërsa Tirana mban peshën më të madhe të fitores së mazhorancës, fitorja e thellë dhe e pastër e saj, merr të tjera vlera, kur mëson dhe e lexon këtë fitore, si një ogur i mirë, që parathotë dhe udhëheq edhe fitoren e mazhorancës në shkallë vendi. Sinjalet e para të mbërritura deri mbrëmë vonë, nga pjesë të tjera të vendit, konfirmonin se Tirana dhe Luzim Basha, nuk janë të vetmit në këtë fitore të madhe e të thellë. Konfirmimi i kësaj, është thjesht vetëm çështje kohe, në respekt e në pritje të “skadimit” të faktorit kohë, si një burokraci, në kuptimin e mirë të kësaj fjale.
...