Jozefina Topalli: “Aleanca për Qytetarin”, rezultat spektakolar, kryeson në të gjithë vendin

N/kryetarja e Partisë Demokratike dhe njëkohësisht Kryetarja e Kuvendit znj.Jozefina Topalli në një konferencë për shtyp të bërë përpara mediave, në selinë e PD shprehu mbështetjen për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e procesit zgjedhor. Ajo ftoi kryetarin e opozitës, të deklarohet se do të pranojë rezultatin për këtë proces, duke shënuar një risi të historisë zgjedhore. “Jam sot këtu për të përgëzuar komisionerët dhe numëruesit për detyrën e tyre tejet të rëndësishme. I ftoj të vazhdojnë me përkushtim numërimin e çdo vote dhe zbatimin e plotë të ligjit, si deri më tani. Ky proces ende nuk ka përfunduar, prandaj ne jemi të vendosur, ashtu siç ju kemi premtuar, të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga Komisionet Zonale të Qeverisjes Vendore, si dhe certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Në rrafsh kombëtar koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. Numëruesit dhe komisionerët janë heronjtë e ditës. Gjithë Shqipëria i ka sytë tek ata. Shqiptarët dje kanë votuar për administratorët lokale, në paqe, qetësi dhe rregull, si Europianë nga Tropoja deri në Delvine. Procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet, me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji. Ftoj z. Rama, të deklarohet se do të njohë rezultatin, në çdo bashki dhe komunë”- u shpreh kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se, pikërisht kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Sipas saj, administratorët lokalë duhet të kurorëzohen ashtu siç u votuan dje nga votuesit e tyre në bashki dhe komuna: me dinjitet evropian. Znj. Topalli uroi gjithashtu gazetarët për Ditën e Evropës.
...