E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e 23 qershorit lë Ramën me testamentin e etërve të tij

09-02-2013 / Gazeta 55

3000 të rinj dhe të reja të Durrësit anëtarësohen në Partinë Demokratike, pas një takimi entuziast me kryeministrin Sali Berisha. Mesazhi i të rinjve: “PD përfaqëson ndryshimin dhe zhvillimin e vendit”
Premtimi i kreut të qeverisë: “Lehtësira për punësimin e të rinjve, qeveria do paguajë kontributet sociale për të gjithë të punësuarit”
 
Mbi 3000 të rinj dhe të reja nga qyteti i Durrësit kanë zgjedhur t’i bashkohen Partisë Demokratike, duke u bërë pjesë e Partisë Demokratike dhe e Forumit Rinor të saj. Ceremonisë festive të shpërndarjes së kartave  të anëtarësimit i është bashkuar edhe kryetari i PD, njëherësh kryeministri Sali Berisha, i cili në mënyrë simbolike iu ka dhënë kartën e anëtarësimit tre të rinjve durrsak, ndërsa ka përshëndetur të 3 mijë të rinjtë e tjerë, që janë bërë pjesë e FRPD-së.
Në fjalën e tij, duke falënderuar edhe përfaqësuesit e 100 partive simotra nga Europa dhe mbarë Bota, për praninë e tyre në këtë ceremoni festive, kryeministri Berisha u shpreh se, “kjo ditë është ndër më të bardhat, më të bukurat, më të rëndësishmet në tërë ekzistencën e Partisë Demokratike, sepse me vendimin  e tyre dhe anëtarësimin e tyre në radhët e PD, 3 mijë të rinjtë durrsakë, dëshmojnë se idealet e PD-së, janë më të gjalla se kurrë, se entuziazmi i saj është më i madh se kurrë, energjia e saj është më e madhe se kurrë. “Ju sot, anëtarësoheni në forcën politike kryesore të ndryshimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sot ju hyni në shtëpinë tuaj, në banesën tuaj, në zemrën e zhvillimit të vendit dhe ndryshimit të tij. Të rejat dhe te rinjtë e Shqipërisë, të Durrësit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, themeluan 22 vjet më parë partine e tyre, Partinë Demokratike, partinë e ndryshimit. Në 22 vite, ata kanë qenë përcaktues të fitoreve të një pas njëshme të kësaj force politike. Është energjia juaj, mendja juaj e hapur, dashuria juaj për Shqipërinë, përkushtimi juaj i madh, që bëri që Shqipëria të ndryshojë më shumë se çdo vend tjetër, nga vendi i kloneve dhe telave me gjemba, vendi i izolimeve me bunker, sot vend aleatë i NATO-s, vend qytetarët  e të cilit lëvizin të lirë në mbarë Europën”, u shpreh kryeministri Berisha në përshëndetjen e tij.
Kreu i qeverisë theksoi se, të rinjtë dhe të rejat e këtij vendi, energjitë dhe vizioni i tyre, bënë që në një hark kohor 6 vjeçar  Shqipëria të trefishonte numrin e studentëve, Shqipëria të ecte me shpejtësi drejt Shqipërisë së dijes, Shqipërisë së zhvillimit.
“Çdo projekt , publik apo privat qoftë ai, për zhvillimin e këtij vendi,  ka për gurrë, ka për burim ëndrrat tuaja rinore, realizmin e tyre, shndërrimin e tyre në realitet, ndaj dhe jam sot këtu, për t’ju premtuar dhe për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se, qeveria, me qëllim që energjitë tuaja entuziazmin juaj, vizioni juaj, të shndërrohet në energjinë, entuziazmin, vizionin e zhvillimit të vendit, të bëjë gjithçka për punësimin tuaj”, tha kryeministri Berisha.
Kryeministri premtoi se, qeveria ka në fokus punësimin e të rinjve dhe për këtë do vendosë së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për çdo të ri, për tre vjet me radhë, në çdo sipërmarrje që do të punësojë të rinj.
“Çdo projekt , publik apo privat qoftë ai, për zhvillimin e këtij vendi, ka për gurrë, ka për burim ëndrrat tuaja rinore, realizmin e tyre, shndërrimin e tyre në realitet, ndaj dhe jam sot këtu, për t’ju premtuar dhe për t’ju dhënë juve fjalën e nderit se, qeveria, me qëllim që energjitë tuaja entuziazmin juaj vizioni juaj, të shndërrohet në energjinë, entuziazmin, vizionin e zhvillimit të vendit, të bëjë gjithçka për punësimin tuaj. Qeveria vendos së shpejti, që të përballojë shpenzimet, kontributet sociale, sigurimet shoqërore, për secilin prej jush, për çdo të ri, për tre vjet me radhë, në çdo sipërmarrje. Ndaj dhe unë ftoj sipërmarrësit e Durrësit, të Tiranës, të mbarë Shqipërisë, ftoj sipërmarrësit nga Europa dhe mbarë Bota, të vijnë në Shqipëri, këtu të punësojnë të rinjtë shqiptarë dhe të njihen me aftësinë, energjinë, ndershmërinë, kualifikimin, të shndërrojnë në realitet, ëndrrat më të bukura të tyre”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek zgjedhjet parlamentare, kryeministri ka theksuar se po shkohet drejt fushatës  elektorale të 23 qershorit, e cila, theksoi ai, është festa e madhe e lirive, e votës së lirë, e fitores  sonë të thellë, e ndryshimit të madh, e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë Europiane. Për shefin e ekzekutivit, 23 qershori do shënojë rrëzimin e murit të bllokimit dhe do të avancojë Shqipërinë drejt projektit Europian.
Ndërsa për rivalin e tij politik, tha se do të mbetet me testamentin e etërve të tij.
“Po shkojmë drejt fushatës elektorale, 23 qershori është festa  e madhe e lirive tona, e votës së lirë, e fitores  sonë të thellë, e ndryshimit të madh, e Shqipërisë së zhvilluar, e Shqipërisë Europiane. Me 23 qershor, ne votojmë për veten tonë, votojmë për ndryshimin e katër viteve që vijnë, votojmë për Durrësin Shqipërinë e zhvilluar, për Durrësin, Shqipërinë Europiane. Me 23 qershor, me votën tonë, me energjinë tonë, ne shembim murin e bllokimit dhe do të lëmë Edi Ramën, me testamentin e etërve të tij, do të ecim drejt Europës pa na ndal askush herë tjetër”, theksoi kryeministri.
Gjithashtu ai ka kërkuar nga të rinjtë dhe të rejat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë, që të trokasin me dashuri dhe respekt në çdo zemër, në çdo mendje, për të mbledhur çdo votë, me qëllim rikthimin e fitores së vitit 92, fitores plebishitare të PD-së.
“Çdo fushatë elektorale të fituar nga Partia Demokratike, ka pasur si arkitekt, ju dhe vetëm ju, para së gjithash dhe mbi të gjitha, të rejat dhe te rinjtë e Shqipërisë. Ndaj dhe duke filluar që nesër, së bashku me njerëzinë, me forcën bindëse, me respektin dhe dashurinë për qytetarët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë, le të trokasim ne, në çdo zemër, në çdo mendje, të mbledhim ne çdo votë, të rikthejmë ne në skenë ’92-shin, fitoren tonë plebishitare, të ecim të sigurt drejtë Europës, drejt zhvillimit, drejt së ardhmes që meritojmë”, vijoi më tej kryeministri Berisha.
Pjesë e këtij aktiviteti u bënë edhe të rinjtë e IYDU të 100 partive të qendrës së djathtë nga e mbarë bota që ndodhen në Tiranë për të zhvilluar mbledhjen vjetore të tyre. Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe Daniel Walther (Valter) përfaqësues i CDU-Gjermani dhe President Nderi i IYDU (Bashkimi Botëror i forumeve Rinore të Djathta). Gjatë përshëndetjes së tij Walther u shpreh se, anëtarët e IYDU kanë ardhur për herë të parë në Shqipëri, sepse Shqipëria po ndryshon dhe do të vazhdojë të ndryshojë.
Ai ka theksuar se ky ndryshim ka ardhur falë Partisë Demokratike dhe kryeministrit Berisha por theksoi gjithashtu se ndryshimi i vërtetë është rinia krenare dhe shumë premtuese e Shqipërisë. “Një ndryshim rrënjësor është lëvizja pa viza që nga 2010 në të gjithë Europën dhe unioni i Forumeve Rinore Ndërkombëtare, ju inkurajon juve që të vazhdoni këtë ndryshim me fitoren e 23 qershorit me kryeministrin Berisha”, u shpreh ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›