E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndër njerëz të armëve, nuk ka veç gjahtarë mburravecë

09-02-2013 / Nga Qemal Sakajeva

Prej gjyshërve, na është përcjellë, deri më sot, edhe kjo rrëfenjë:
Dy shqiptarë të Kosovës, po ziheshin keq ndër veti, kurse dy serbë aty pranë, kënaqeshin me çfarë po ndodhte përpara syve të tyre. Serbi  më i vëmendshëm e qortoi tjetrin që, nga kënaqësia, harroi të kryente detyrën: “Fute kryet në thes si unë, se, po të panë shqiptarët që t’i po gëzohesh, e ndërpresin sherrin”.
Të dy e kundruan ngjarjen me kryet rrasë thellë në thesin e linjtë.
Rroken dy kumte njëherësh: 1. Shqiptarë, veproni në mënyrë të arsyeshme me njëri-tjetrin! 2. Dhe, sjellja serbe nuk është miqësore ndaj shqiptarëve.
Kjo, më vonë, është ngritur në nivel studimi dhe përgjithësimi sa, njëri prej ideologëve  dhe politikanëve më me ndikim në Serbi, dhe për një kohë të gjatë, pikërisht akademiku Dobrica Qosiç, ka pasur kurajë që, një ves vetjak të keq njerëzor ta interpretojë si virtyt të lartë të përbashkët, duke shkruar që, është detyrë patriotike e çdo serbi të gënjejë për Serbinë. Qosiç është studiuesi dhe politikani që, pasi botoi një  libër për Kosovën dhe se kompromis të zgjidhjes pranon veç  ndarjen e saj, i nervozuar nga humbja më 1999, tha se nuk jep tjetër gjë më shumë se kaq.
Të dy këto përqasje, njëra nga tradita gojore shqiptare dhe tjetra nga akademizmi serb antishqiptar, janë pasuruar edhe nga militarizmi i një rusi. Gjenerali Leonid  Ivasov, një ekspert i njohur ushtarak, në ato që tha për portalin IN4S, përcjellë nga gazeta serbe Novosti, i thur lavde vesit, që akademiku Qosiç e ka përcaktuar si virtyt.
Të gjithëve u kujtohet se si, autokolona ruse e mbartur turravrap prej  Bosnjës, në qershor 1999 hyri në Prishtinë nëpër natë dhe, atë fantazmë mjetesh të blinduara, e shquam në ekrane, nëpër fasha dritash, të pozicionohej në aeroportin e Sllatinës afër Prishtinës, ndërkohë që fuqia e NATO-s sapo e kishte gjunjëzuar përfundimisht makinën ushtarake të Serbisë dhe, me forca tokësore, po futej në Kosovë. Në intervistën e tij, gjenerali Leonid Ivasov merrej pikërisht me këtë. Ai thoshte se, gjatë hyrjes së trupave ruse në Kosovë, nuk ka pasur rrezik për konflikt më NATO-n. Dhe, sipas tij, kjo nuk ndodhi sepse trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut ishin të frikësuara nga forcat ruse dhe ato serbe; se operacioni ishte sekret i madh dhe për të nuk dinte askush përveç presidentit Boris Jelcin dhe presidentit Sllobodan Millosheviç; madje, nuk  ishte vënë në dijeni as ministri i jashtëm rus,nga frika e rrjedhjes së informacionit; se forcat e NATO-s i frikësoheshin operacionit tokësor; se aty ishte futur një batalion rus në marrëveshje me Sllobodan Millosheviç dhe se ushtria serbe dhe batalioni rus vepronin bashkërisht dhe të harmonizuar; se batalioni rus iku nga Republika Serpska dhe për 6 orë mbërriti në Prishtinë, ndërsa NATO nuk dinte asgjë. Dhe, mbi gjithë këto, ai theksoi dhe pohoi një karakteristikë, me të cilën vërteton gojëtarinë shqiptare  dhe akademizmin serb, duke thënë se “…ne akoma kemi shkathtësinë sllave dhe gjithmonë mund t’i mashtrojmë”.
Dihet edhe kjo, por gjenerali nuk e zuri ngoje: kontingjenti i ushtarëve rusë ishte i pari që u largua nga Kosova, sepse nuk ndjeheshin  mirë në një tokë ku askush nuk i donte dhe, siç u tha në lajme, Moska nuk kishte financa për të mbajtur një forcë, aty ku siguron fuqia ushtarake çliruese. 
Ndër njerëz të armëve, nuk ka veç gjahtarë mburravecë. Sidomos, të mburresh për bashkëpunimin dhe mbështetjen ushtarake dhënë Sllobodan Millosheviçit, këtij “Butcher of the Balkans” (Kasapi i Ballkanit),  është neveri. Historiani  dhe shkrimtari me famë botërore Simon Sebag Montefiore, në librin “Monsters, History’s most evil Men  and  Women, 2008, 2009” (Përbindëshat, burrat dhe gratë më djajë të historisë), në të cilin përfshihen 100 monstra të të gjitha kohërave, Sllobodan Millosheviç “This man, this… monster” (Ky njeri, ky … përbindësh), siç e ka cilësuar Richard Hollbrook, renditet mes 100-tëve, në faqet 360-364.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›