E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitou: Duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Derisa serbët po protestojnë kundër Zyrës Administrative në veri të vendit, ambasadori i Francës në Kosovës Jean-François Fitou mendon që duhet të pyeten qytetarët e asaj pjese, në mënyrë që kjo zyre të jetë më efikase. Kurse, shtrëngimin e duarve në mes Thaçit e Tadiqit e vlerëson si pjekuri e re politike.

“Le të pyesim njerëzit në veri për të bërë më të mirën nga kjo Zyre Administrative, për të shfrytëzuar atë dhe të ketë jetë më të mirë kur kemi të bëjmë me shërbime administrative. Kjo është mençuri dhe kjo është arsyeja që Zyra Administrative do të bëjë gjurmë në veri, jo për arsye politike, por për të ndihmuar njerëzit në jetën e tyre të përditshme”, ka thënë Fitou.

Fitou u ndal edhe te mendimi i Gjykatës Kushtetuese për presidenten e Kosovës, ku tha se Gjykata ka të drejtat e plota dhe vendimet e saja nuk janë politike dhe as marrëveshje private.

“Gjykata Kushtetuese e ka të drejtën të interpretojë Kushtetutën, e lëshon interpretimin e vet, dhe thotë se kur zgjidhet presidenti, presidenti zgjidhet për mandat të gjatë, i cili është pesë vite në Kosovë, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Ne nuk duhet të komentojmë, ai është një vendim i organit më të rëndësishëm dhe i vetmi sa i përket interpretimit të Kushtetutës”, ka thënë Fitou.

Kurse, sa i përket takimit të kryeministrit Thaçi dhe ish -presidentit të Serbisë Tadiq, ambasadori Fitou tha se shtrëngimi i duarve në mes të dy njerëzve të rëndësishëm në vendet e tyre, është një simbolikë e mirë dhe tregon një lloj pjekurie dhe duhet falënderuar të dytë që janë në gjendje të tejkalojnë mënyrën e vjetër të të bërit politikë në Ballkan.

“Më mirë vonë se kurrë. Është një shenje e mirë. Kjo shenjë ka mundur të ndodhë dje, nesër, pasnesër, kjo ndodhi një ditë, dhe natyrisht nuk është shumë vonë, por është diçka pozitive dhe që tregon pjekuri në mes të dy politikaneve të rëndësishëm në Ballkan dhe është diçka që duhet të merret si një sinjal shumë i mirë për të ardhmen”, ka thënë Fitou.

Fitou i bëri këto komente pas organizimit të pritjes me rastin e Festës Kombëtare të Francës, ku priti përfaqësues të mediave, të Unionit të Gazetarëve dhe fotograf të rinj, ku u prezantuan edhe fotografitë e qyteteve të Kosovës, të cilat janë realizuar nga studentët e rinj të fotografisë. E ambasadori Fitou ndau dhurata për studentët e rinj dhe tha që me rastin e kësaj feste franceze, dhurata do të shpërndanë edhe për zyrtarët e lartë institucional.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›