E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikoliq: Duarshtrëngimi, gjest personal i Tadiqit

Presidenti serb Tomislav Nikoliq, tha sot se shtrëngimi i duarve mes kryetarit të Partisë Demokratike, Boris Tadiq dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Dubrovnik, ishte një gjest personal i Tadiqit.

Nikoliq u tha gazetarëve, pas takimit me patriarkun Irinej, se të premten ka biseduar me Tadiqin për vizitën e tij të Dubrovnik, përkatësisht në samitin e Kroacisë dhe se ish presidenti i Serbisë nuk e ka informuar se ai do të takohej me Thaçin.

"Po të më kishte treguar, unë do t’i rekomandoja, që të mos i shtrëngojë duart me një njeri, i cili është nën akuza të rënda", tha Nikoliq, siç transmeton REL.

Presidenti serb Nikolliq tha se shteti nuk ka të bëjë asgjë me duarshtrëngimin mes Tadiqit dhe Thaçit dhe se ai si president as që ka qenë i ftuar në samitin e Kroacisë.

Nikoliq: Do të bisedoja me Jahjagën vetëm në takim formal

Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq ka thënë sot se do të pranonte të bisedonte me kryetaren e Kosovës Atifete Jahjagen, por jo në takimet joformale, veç në takimin formal.

Presidenti serb Nikoliq, ka thënë se nuk sheh pse nuk do të bisedonte me përfaqësuesit e Prishtinës “nëse vjen koha për llojin e tillë të bisedimeve”. Mirëpo ai ka përmendur se gjithsesi këtë nuk do ta bënte në tubimet joformale veç në takimet formale.

“Ne duhet ta zgjedhim a do t’i braktisim takimet apo në to do të luftojmë për qëndrimet tona, unë jam për atë që të marrim pjesë kudo ku duhet të dëgjohen qëndrimet tona”, ka thënë Nikoliq, siç transmeton RTK.

Mirëpo sipas tij, para kësaj duhet miratuar interpretim të përbashkët të marrëveshjes nga Brukseli që të dihet nëse autoritetet në Beograd kanë pranuar që “institucionet e Prishtinës të jenë të pranishëm në forumet ndërkombëtare derisa aty është edhe Serbia.

“Duhet të shohim nën cilat kushte do të marrim pjesë. Nëse organizatorët i kanë përmbushur kushtet atëherë nuk shoh arsye të mos jemi aty ku janë përfaqësuesit e Prishtinës, qoftë edhe të mos i shtrëngojmë duart me ta” ka theksuar Nikoliq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›