Fitou mbron qëndrimin për fashizmin e VV’së

Gjatë një debati me të rinj rreth pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje, ambasadori francez tha se debati publik në Kosovë është shumë i politizuar dhe në këtë aspekt ai tha se Kosova qëndron me keq sesa Afganistani.
”E kam përdorur fjalën fashizëm sepse e kujtova një shkrimtar italian i cili thoshte se fashizëm nuk është vetëm dhuna por fashizmi fillon aty ku nuk është i mundur debati”, tha Fitou.
Edhe në këtë debat të pranishëm ishin aktivistë të Vetëvendosjes. Aktivisti Rron Gjinovci tha se qëndrimet e ambasadorit francez ndaj popullit të Kosovës janë raciste.
Ndërkaq njëri ndër udhëheqësit e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca që është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës pas mbledhjes së kryesisë bëri të ditur se subjekti i tij do t’i drejtohet edhe shtetit francez rreth deklaratave të ambasadorit Fitou.
”Mendoj që është e udhës që t’i drejtohemi edhe shtetit francez sepse mendoj se kemi pasur të bëjmë me një sjellje të ambasadorit e cila në thelb nuk i përfaqëson vlerat e shtetit të cilin ai e përfaqëson. Gjuha e tij nuk ka qenë aspak diplomatike. Mendoj se nuk është fashizëm e drejta e njerëzve dhe qytetarëve për të protestuar”, tha Konjufca.
Por, ambasadori Fitou në debatin e organizuar nga ambasada franceze rreth pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje theksoi se ekziston një dallim i madh i demonstrimit në rrugë dhe pengimit të një personi që të shpreh mendimin e tij. /rtk/