E Diel, 1 Nëntor 2026

Fituesit e anketes:REFIK RESMJA, Nga portier tek goleadori më i madh i futbollit shqiptar

Nga Bedri ALIMEHMETI

Refik Resmja, numri 11 i KS Tirana, i Partizanit dhe i ekipit kombëtar është padyshim një nga emrat më të mëdhenj në historinë e futbollit shqiptar. Me futbollin që shpalosi nëpër fushat e blerta të vendit tonë, por edhe nëpër stadiumet e shumë vendeve të Botës si në Berlin, Budapest, Sofje, Lajpzig, Bukuresht, Stamboll, Moskë, Pragë, Hanoi, Pekin, Varshavë etj, u duartrokit dhe u përshëndet për nivelin e lartë të futbollit dhe korrektesën e pazakontë që demostroi në fushën e lojës. Shtatdrejtë, elegant, futbollist me përgatitje të gjithanshme atletike e tekniko taktike dhe mbi të gjitha golashënues i jashtëzakonshëm me një goditje të veçantë të topit me të majtën për të mos u harruar kurrë. Kështu ka mbetur Refik Resmja në kujtesën e të gjithë futbolldashësve shqiptarë, të cilët patën fatin ta ndjekin atë në gjysmën e dytë të viteve 40-të, komplet në dhjetëveçarin e viteve 50-të dhe thuajse deri në mesin e viteve 60-të. Një rrugë e suksesshme 17 vjeçare mbi katër këndorin e gjelbërt me arritje të pazakonta për t’u patur zili nga çdo futbollist. Shtatë herë kampion kombëtar dhe katër herë fitues i Kupës së Shqipërisë me fanellën e kuqe të Partizanit, dy herë fitues i medaljeve të argjendta në Lojërat e ushtrive të bllokut të lindjes (Traktati i Varshavës) në Lajpzig (1958) dhe Hanoi (1963), disa herë radhazi golashënuesi më i mirë në kampionatet shqiptare, fitues për vite me radhë në anketën e përvitëshme të “10 sportistëve më të mirë të vitit” të gazetës “Sporti Popullor” të asaj kohe (sot “Sporti Shqiptar”). Kjo është karriera sportive e “Mjeshtrit të Merituar” Refik Resmja.

Refik Resmja u lind më 18 maj 1931 në një familje qytetare tiranase. Bashkë me moshatarët i vrau e i coptoi së pari gjunjët e gishtërinjtë e këmbëve duke rendur pas topit prej lecke nëpër rrugicat e sheshet e lagjes “Xhamija Sherif” (sot “Ali Demi”) i magjepsur pas rrokullisjes së atij lëmshi, pa e ditur që nuk do t’i ndahej gjatë gjithë jetës. Në atë kohë kur Resmja i vogël kishte nisur të hidhte shtat, Riza Lushta, Naim Kryeziu, Adem Karrapici, Foto Janku, Rudolf Gurashi, Niko Dovana etj, po bënin epokë në futbollin shqiptar, që sapo kishte luajtur kampionatet e parë. Pra kishte kë të imitonte, kë të merrte si shembull për t’i ngjasuar, ndaj me shokët gjithnjë e më shpesh do të gjendej në fushën e Shallvares, sidomos në ditët kur luante Sportklub Tirana skuadra e qytetit të tij.

Dhe shumë shpejt ai do të inkuadrohej në ekipin e të rinjve Sportklubit Tirana. Madje, sapo i kishte mbushur pesëmbëdhjetë pranvera, Resmja do të zbresë në vitin 1946 në fushën e lojës në roje të portës së këtij ekipi. Këtë rol kishte ëndërruar për vite me radhë të kryente në radhët e një skuadre futbolli. Donte t’i ngjasonte portierit të Tiranës Rud Gurashit, donte të bëhej si durrsaku Niko Dovana, si Pashobeg Resuli apo Xhakomino Pozeli, që kishte ruajtur portën e kuqezinjve të Kombëtares shqiptare të sapo shpallur kampionë të Ballkanit. Por, një ditë në fund të një seance stërvitore gjatë një ndeshje miqësore me shokët e skuadrës preferon të luaj sulmues. Dhe i befason të gjithë me veprimet e tij.  Pas kësaj Refik Resmja nuk e pa më veten kurrë mes katërkëndorit të portës. Grishja e hershme për të qenë “gardian” i saj iu shndërrua në ambicien e një “gjahtari të pamëshirshëm” të  rrjetës së saj, “silurimet” drejt së cilës nuk i ndali sa herë zbriste mbi “qilimin e blertë”.

Në Kampionatet e viteve 1947, 1948 dhe 1949 Resmja luajti për ngjyrat e Sportklubit Tirana. Ndërkohë në vitin 1950 thirret për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe bëhet pjesë e klubit Partizani ku talenti dhe aftësitë e tij shpërthyen dukshëm në të gjitha drejtimet. Ende i ri Refik Resmja shumë shpejt arrin të bëhet një nga futbollistët më të shquar të Shqipërisë. Emri i tij është i pranishëm në të gjithë ambientet futbolldashës, numrin e tij 11 e mbajnë në fanellat e tyre me mijëra fëmijë anë e mbanë Shqipërisë.

Në moshën njëzet e një vjeçare më 20 nëntor 1952 vesh për herë të fanellën e ekipit kombëtar. Luan që nga minuta e parë ndaj në një takim miqësor në “Qemal Stafa” ndaj Çekosllovakisë, ku ekipi ynë nën drejtimin e trajnerit Myslym Alla, me gola të Z. Gjinalit, Q. Telitit dhe S. Jarecit arrin një fitore te bukur 3-2. Një javë më pas me po të njëjtën skuadër, Resmja vesh sërish fanellën e Shqipërisë së teknikut Alla, dhe ekipi ynë është sërish fitues 2-1 me gola të Z. Gjinalit e L. Boriçit. Të mos harrojmë në radhët e kombëtares Çekosllovake luanin emrat e njohur Hanaçek, Jira, Novak e Dvorak. Një vit më pas më 29 nëntor 1953 në një miqësore ndaj Kombëtares së Polonisë, Kombëtarja shqiptare e teknikut hungarez Miklosh Vadash fiton në “Qemal Stafa” 2-0. Në këtë ndeshje Refik Resmja në 35′ shënon golin e tij të parë me fanellën e ekipit Kombëtar, ndërkohë që në 12′ kishte shënuar Loro Boriçi. Për Resmen ky gol ishte i pari e i fundit me fanellën e kombëtares, që në ato vite i kishte shumë të pakta takimet ndërkombëtare. Kështu pas këtyre tre ndeshjeve ai do të luajë edhe në dy takime të tjerë, ndaj Kinës në Pekin më 15 shtator 1957, ku ekipi ynë humbi 2- 3 dhe ndaj RD Gjermane në “Qemal Stafa” 1-1.

Gjatë karrierës futbollistike për ngjyrat e Partizanit ai ishte bashkëlojtar me emrat e njohur: Loro Boriçi, Besim Fagu, Rexhep Spahiu, Aristidh Parapani, Fatbardh Deliallisi, Sulejman Maliqati, Miço Papadhopulli, Miço Ndini, Gani Merja, Kolec Kraja, Simon Deda, Panajot Pano, Mikel Janku, Lin Shllaku etj. Kurse veç këtyre në ekipin Kombëtar pati bashkë lojtarë : Qemal Voglin, Zihni Gjinalin, Skënder Jarecin, Qamil Hallunin, Eqerem Tallushin, Muhamed Vilën, Xhevdet Shaqirin, Enver Shehun, Shyqyri Rreli, Osman Reçin etj.

Në kampionatin e vitit 1951, kur ishte vetëm 20 vjeç në 23 ndeshje shënoi 59 gola, duke u përfshirë në rang listën e golashënuesve më të mirë të Botës. ku vazhdon të mbajë edhe sot vendin e pestë.

Pas ndërprerjes së aktivitetit futbollistik në vitin 1964, Refik Resmja drejtoi si trajner ekipin e të rinjve të Partizanit, ku përgatiti me kujdes shumë futbollistë të rinj të talentuar. Më pas drejtoi në pankinë ekipet e të rriturve të Partizanit e Teutës si edhe ekipin kombëtar Shpresa U-21 të Shqipërisë. Më pas deri sa doli në pension kreu detyrën e inspektorit të futbollit në Klubin Partizani.

Mban titujt: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”, si edhe është nderuar me medaljen e artë “Naim Frashëri”.

U nda nga jeta më 7 shtator 1997.

Kanë thënë për Refik Resmen

STEFAN BOSHKOV (legjendar i futbollit bullgar) – “Resmja është i madh midis të mëdhenjve”

GUSTAV SHEBESH (Trajner i njohur hungarez, në vitet 50-të kur pa Refik Resmen në lojë kryente detyrën e zv-Presidentit të FIFA-s) – “Resmja është i denjë për të luajtur përkrah Pushkashit të madh”.

Libri i Refik Resmes

Emri: Refik

Mbiemri: Resmja

Vendlindja: Tiranë

Datëlindja: 18 maj 1931

Arsimi: ILKF “Vojo Kushi”

Roli: Gjysmësulmues i majtë

Skuadrat me të cilat është aktivizuar: SK Tirana, Partizani

Numri në fanellë: 11, 10

Trofe:

Kampionate: 7 me Partizanin

Kupa të Shqipërisë: 4 me Partizanin

Me ekipin Kombëtar:

Ndeshje: 5 Gola: 1

shifrat

7 herë shënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar

59 gola ka shënuar Refik Resmja në vitin 1951

2.56 gola ka qenë mesatarja e Resmes në vitin 1951, rekord botëror

I pesti ne rang listën e shënuesve më të mirë në botë brenda një sezoni

Refik Resmja, rekord absolut, 2,56 gola për ndeshje në një sezon

 

E vështirë, por të mos thënë e pamundur që në ahmakun e futbollit të gjesh një emër shqiptar. Mund të gjesh Panajot Panon si futbollisti i shekullit zgjedhur nga shqiptarët, por Refik Resmja është librin e artë dhe rekordi i tij ekziston që nga viti 1951. Në 23 ndeshje Refiku ka shënuar 59 gola për Shqipërinë. Sot beteja luhet mes Myler dhe Mesit, për sezonin, ndërkohë që Myler mban ende vendin e parë për gola në një kampionat. Por as njëri dhe as tjetri ende nuk kanë arritur shifrën prej 59 golash në vetëm 23 takime të zhvilluara. I takon vitit 1951, kur Refiku ish vetëm 20 vjeç dhe në 23 ndeshje realizon 59 gola. Rekord absolut, i cili me 2.56 gola për ndeshje është thuajse i paarritshëm. Themi thuajse i paarritshëm, sepse sot në futbollin modern këto shifra mund dhe duhet ti takojnë fantashkencës. Edhe pse kanë kaluar 61 vjet nga ajo ditë Emri i Refik Resmes vazhdon te shkruhet ne analet e historisë botërore të futbollit, duke na bërë edhe ne shqiptarët krenarë për një emër tonin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›