E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Kënetë, Durrës

Qytetarë dhe qytetare të Durrësit,

Banorë të Kënetës,

Përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të pakufishme për mbështetjen e madhe që i kenë dhënë dhe i jepni PD, për pritjen e zjarrtë dhe vëllazërore që me rezervuat sot. Vij sot tek ju për të shprehur nderimin më të madh, respektin më të thellë për lumenjtë e djersës që derdhët këtu në këtë zonë që quhet kënetë dhe  e shndërruat atë në një nga qytet e bukura të Shqipërisë. Me lumenjtë  e djersës tuaj, ju bëtë që Durrësi ky qytet i përjetshmen të jetë sot, më i madh, më i lulëzuar se kurrë ndonjëherë në historinë e tij.

Unë jam sot këtu për tu garantuar ju, se së bashku me deputetët tuaj, Oerd Bylykbashi, Igli Care, Eduard Halimi dhe deputete të tjerë do të bëjmë gjithçka që këta lumenj djerse që ju keni derdhur këtu, me këto shtëpi dhe vila të mrekullueshme që keni ndërtuar tua kthejmë me infrastrukturën më moderne të ndërtojmë të gjitha bulevardet, rrugët dhe rrugicat e të gjithë territorit të kënetës dhe më gjerë.

Do të bëjmë gjithçka të krijojmë këtu shërbimet më të mira, kushtet më të shkëlqyera për bizneset dhe punësimit. Ju e shihni, mblidhemi në oborrin e një shkolle, nga më të bukurat e Shqipërisë, por unë jam këtu për tu zotuar se do të ndërtojmë çdo shkollë, çdo kopsht dhe gjithçka që ju duhet ju për të ndërtuar një jetë dinjitoze qytetare, ashtu si ju e meritoni.

Këto vite ne kemi ndërtuat mbi 14 kilometra rrugë, kemi garantuar ujë në 24 orë, por në 4 vitet që vijnë janë vitet e kompletimit përfundimtar të çdo rruge  e rrugice të kënetës me infrastrukturën më të mirë.

Vëllezër dhe motra,

Në pak vite ne kemi investuar në Durrës më shumë se në të gjitha kohërat e marra së bashku, ne kemi ndërtuar mbi 500 km rrugë, ne ndërtuam terminalin dhe i dhamë Durrësit, fytyrën moderne, fytyrën perëndimore të vështrimit të saj nga deti. Ne ndërtuam universitetin dhe po ndërtojmë kampusin e tij, për të bërë Durrësin mijëravjeçar, tempullin e dijes ashtu siç e meriton, ku fëmijët tuaj, fëmijët e shqiptarëve të shkollohen me cilësinë më të lartë.

Ne do të bëjmë gjithçka për punësimin tuaj. Në vijë ajrore, pak qindra metra na ndajnë nga porti me i fuqishëm energjetik, ku çdo ditë investohet dhe se shpejti do të jetë porti më i fuqishëm energjetik i rajonit ku do të punësohen mijëra qytetarë.

Në muajin korrik apo gusht fillon thellimi i portit dhe ankorimi i anijeve 44 mijë tonëshe, shumëfishimi i kapaciteti të tij, shtimi i madh i punësimit në port ku do të punësohen edhe qindra mijëra qytetarë të tjerë.

Punësimi është motoja jonë, rritja e rrogave dhe pensioneve për ju është objektivi ynë më madhor, integrimi i Durrësit, integrimi i Shqipërisë në BE, është rruga jonë, është ylli ynë polar nga i cili do të bëjmë  gjithçka për të arritur sa më shpejt.

Në këto zgjedhje miqtë e mi përballen dy alternativa, alternativa  e mundit dhe  e djersës, e përkushtimit dhe  e vlerave, alternativa me të cilën së bashku me ju anëtarësuam Shqipërinë në NATO, së bashku me ju po ecim drejt Evropës, së bashku me ju dyfishuam bizneset, së bashku me ju do i dyfishojmë më tej, shumëfishuam turizmin do e dyfishojmë më tej. Së bashku me ju, do të realizojmë projekte zhvillimore, porte, aeroporte, porte energjetike , për të punësuar dhjetëra mijë shqiptarë. Së bashku me ju po rrisim rroga dhe pensione po e shndërrojmë Shqipërinë në superfuqi, në vend lider në energjinë jeshile në rajon. Janë në ndërtim  e sipër dhjetëra e qindra HEC-e. Së shpejti, brenda pak ditëve, lajmi i madh për të gjithë shqiptarët, gazsjellësi Transadriatik do të miratohet. Ky projekt së bashku me Kaskadën e Devollit lartësojnë në mbarë botën, emrin e Shqipërisë, potencialet e mëdha ekonomike, besueshmërinë e saj në mbarë botën.

Alternativa tjetër është alternativa e nxirjes së çdo gjëje që ju gra dhe burra fisnikë keni arritur me mundin dhe djersën e punës suaj.

Për këtë alternativë, shtëpitë tuaja nuk janë vila të bukura të vaditura me djersën tuaj , por janë shpella dhe ju jeni shpellarë. Për këtë alternativë, ujësjellësi dhe uji që merrni 24 orë nuk është i vërtetë, por ju jeni mesjetë dhe shkuar mesjetës. Kjo shkollë është piramidë është e gënjeshtër dhe nuk ekziston.

Në alternativën e nxirjes, në Shqipëri në 4 vite nuk ka ndodhur asgjë e mirë, NATO-ja është natë, lëvizja pa viza nuk është liri dhe nuk ekziston, nuk ka asnjë vlerës dhe duhet bllokuar. Në këtë alternativë, ju të dashur qytetarë që jeni këtu, jeni robër, jeni skllevër dhe nuk jeni njerëz të lirë. Në këtë alternativë gjithçka duhet shembur dhe duhet filluar nga zero sepse nga xhamat e zinj të autobusit mavi, kjo është Shqipëria e gënjeshtër, nuk është Shqipëri e vërtetë.

Por kjo është Shqipëri e vërtetë, pa diskutim që ka vuajtje, ka dhimbje, ka probleme, por ka edhe sukses, ka zhvillim dhe ju e nxorrët Shqipërinë nga rast i humbur, nga rast i dështuar, në rast të fituar, në rast të suksesshëm .

Miqtë e mi, më 23 qershor ju zgjidhni midis dy modeleve, modelit tuaj, modelit të Sali Berishës, i cili është modeli juaj, i njeriut i cili njëlloj si ju beson tek djersa e ballit, beson tek punë dhe përkushtimi, i njeriut i cili gjithë jetën është përpjekur siç jeni përpjekur ju të përkushtohet,të punojë i palodhur, të bëjë gjithçka për më të mirën e qytetarëve, që ju ka shërbyer si mjek, ju ka shërbyer si politikan. Modeli ynë është modeli i vlerave.

Sali Berisha njëlloj si ju beson tek familja e tij, beson tek qytetarët e tij. Cili është modeli tjetër miqtë  e mi? Modeli tjetër është modeli i njeriut që 270 ditë në vit nuk shkelte në zyrën e punës. Modeli tjetër është modeli  i njeriu të dështuar, i një buri aventurier që ndahet dhe martohet me gra sa herë vijnë zgjedhjet, për qëllime elektorale. Modeli tjetër është modeli i një njeriu që zhvillon në familje gjyqe me akuza nga më të tmerrshmet dhe të pavërteta ndaj familjarëve të tij. Modeli tjetër është modeli i cili fsheh dhe nuk deklaron pasuritë. Në rast se Sali Berisha 20 vjet në politikë njësoj si ju  ka një apartament 120 metra katror dhe asnjë metër katror më shumë, ka qënë president, është kryeministër tani. Cili është modeli i shokut të autobuzit mavi? Është një vilë 57 metra e gjatë, një vilë mbi shpinë dhe asnjë qindarkë për të deklaruar se me se i ka ndërtuar. Fshehja e pasurive në një kohë kur kam deklaruar çdo qindarkë të fituar në 20 vjet me punën time, me rrogën time.

Modeli i Sali Berishës është modeli juaj, i dashurisë për vendin, i respektit për vendin dhe i qëndrimit për vendin. Në çdo rrethanë ne së bashku qëndruam në anën e drejtë, kaluam vështirësi, kaluam luftëra, por kombi sot është i lirë, secili prej nesh dha kontributin e tyre, por cili është modeli tjetër? Modeli tjetër është ai i vendosjes në qafë të çelësit të artë Goran Bregovicit, këngëtarit të himneve të masakrave të serbëve mbi shqiptarët e Kosovës dhe pastaj shkon në Kosovë dhe u thotë ”Juve Sali Berisha u duket Skënderbe” Jo zoti Rama, Sali Berisha nuk ju duket Skënderbe atyre, por ata nuk mund ta kuptojnë kurrë, se si ti i vure çelësin e artë të kryeqytetit  të Tiranës Goran Bregovicit, i cili ju thurte himne masakrave të serbëve mbi kosovarët. Prandaj kërko të falur.

Modeli ynë është modeli i arsyes,  ne ulemi njeri me tjetrin dhe dëgjojmë njeri-tjetrin. Ne dëgjojmë vërejtje dhe pranojmë vërejtjet, kritikat e njëri-tjetrit se kështu e do vendi, se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës, se njëherë përfitoj unë nga ju dhe herën tjetër ju nga unë.

Modeli i tij ëhstë sulmi me grushta ndaj atij që e kundërshton, sharja përbuzja ndaj atij që e kundërshton, brutaliteti, pra këto nuk janë probleme të miat. Problemet e mija janë çështjet tuaja, infrastruktura juaj, rrogat tuaja, punësimi juaj, zhvillimi juaj shkollimi i fëmijëve tuaj dhe shërbimet më të mira më cilësore. Por modelet janë modele dhe modelet rrezatojnë më shumë se çdo gjë tjetër. Mbi bazën e tyre ndërtohet optimizmi, mbi bazën e tyre ndërtohet projekti, mbi bazën  e tyre ndërtohet e ardhmja ndaj ftoj socialistët, ftoj qytetarët e kënetës dhe të mbarë Shqipërisë, të ecim me modelin tonë të përbashkët, të vazhdojmë për punësimin, të vazhdojmë për integrimin, të vazhdojmë për zhvillimin të vazhdojmë për të ardhmen.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria, përpara për integrimin , përpara për punësim, përpara për zhvillim,

Votoni 44!  Fitore!


14/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›