E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Rrashbull, Durrës

Të dashur banorë të Rrashbullit, zoti kryetar i komunës, zoti ministër, të nderuar kandidatë për deputetë të qarkut të Durrësit, zonja Albana Vokshi, kandidate për deputete në zonën e Rrashbullit, përshëndetjet më vëllazërore, mirënjohjen më të thellë për pritjen e jashtëzakonshme, por, para së gjithash, për mbështetjen tuaj jashtëzakonisht të rëndësishme, mbështetjen e madhe që i keni dhënë dhe i jepni Partisë Demokratike që ditën e themelimit të saj e gjer më sot.

Unë jam sot këtu për të paraqitur para jush zonjën Albana Vokshi dhe deputetët e qarkut të Durrësit, për t’ju dhënë juve fjalën se sëbashku me kryetarin e komunës, Albana Vokshi do të bëjë realitet çdo projekt, i cili do të ndryshojë jetën tuaj, do t’ju lehtësojë juve, do të bëjë që bizneset, fermat tuaja të japin fitime gjithnjë e më të mëdha, do të bëjë që të keni këtu një infrastrukturë moderne, shërbime cilësore njëlloj si qytetarët e Durrësit, të Tiranës dhe qytetarët e vendeve të zhvilluara.

Miqtë e mi, këto vite në komunën e Rrashbullit, në rrugë, ujësjellës, kanalizime kemi investuar rreth 40 milionë dollarë. Unë jam këtu për t’u zotuar se do të investojmë tre herë më shumë gjatë katër viteve që vijnë, në mënyrë që ju të keni infrastrukturën më moderne, infrastrukturën e një komune të vendeve të zhvilluara, do të bëjmë gjithçka në uljen e taksave që të nxisim biznesin, punësimin tuaj, dyfishimin e turizmit, të çojmë më tej axhendën e punësimit të banorëve të Rrashbullit, Durrësit e mbarë Shqipërisë, do të trefishojmë grantet për fermat e fermerët, në mënyrë që të rrisim më tej punësimin. Punësimi juaj, rritja e mirëqenies, shërbime cilësore, integrim në Bashkimin Europian janë objektivat tonë më madhore.

Vëllezër e motra,

po shkojmë drejt 23 qershorit, ditës së vendimit të madh. Dy alternativa përballen njëra me tjetrën. Alternativa jonë e mundit dhe djersës suaj, e punës suaj me përkushtim, alternativa e suksesit e cila ka bërë që këto vite bizneset tuaja të dyfishohen, që fermat tuaja të rrisin ndjeshëm prodhimin, që rrugët tuaja të asfaltohen, që të mos ndërpritet më energjia elektrike, të rritet e përmirësohet cilësia e saj, të furnizohemi më mirë me ujë, që fermat tuaja të zgjerohen, që turizmi të rritet disa herë, që sëbashku të anëtarësohemi në NATO, të lëvizim të lirë në mbarë Europën, të meritojmë statusin e vendit kandidat.

Alternativa tjetër bazohet në vitin zero, në nihilizmin e gjithçkaje që ju gratë e burrat e Rrashbullit  e të Shqipërisë keni arritur, bazohet në atë që ai shpall Shqipëri të gënjeshtërt, sipas të cilës, vilat e mrekullueshme që keni ndërtuar nuk ekzistojnë, por janë bunkerë të zinj, sipas të cilës, rrugët që janë shtruar nuk ekzistojnë, pot janë inekzistente, ujësjellësit e ndërtuar nuk janë të vërtetë, turizmi nuk është rritur, por është pakësuar, pensionet nuk janë rritur, por janë katandisur keq e më keq, shkollat nuk ekzistojnë, universitetet janë piramida, NATO është natë, Bashkimi Europian nuk është as bukë, as ujë. Këto nuk i deklaron një njeri në rrugë, por i deklaron kryetari i forcës politike që pretendon të ndërtojë Shqipërinë nga zero, t’u fusë kazmën gjithçkaje që kemi bërë këto vite.

Vëllezër motra,

këto nuk kanë qenë vite të lehta. Ne kemi bërë shumë, por kemi shumë për të bërë. Më lejoni t’ju garantoj se brenda këtij viti, secili prej jush do të marrë tapitë e tokës, do të marrë tapinë e shtëpisë, do të finalizojmë legalizimet, do të ngremë zyrën e legalizimeve pranë kryetarit të komunës, do të dërgojmë hipotekën aty dhe procesi do të marr fund me shpejtësi të madhe.

Por unë jam këtu gjithashtu, për t’ju kërkuar juve, për t’ju kërkuar socialistëve të Rrashbullit, Durrësit, Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve të mendojnë për një moment. Këto ditë përballen dy modele. Modeli i Sali Berishës, modeli juaj, i një njeriu që beson tek puna, beson tek familja, beson tek Zoti, beson tek vendi i tij, një njeri që ka faktuar se i qëndron besimeve dhe fjalëve të tij, një njëri që është 20 vjet në politikë dhe jeton në një apartament 125 metër katror, një njeri që është 20 vjet në politikë dhe ka bërë gjithçka në interes të vendit të tij, ka mbrojtur në çdo kohe interesin kombëtar të vendit dhe kombit të tij, është përpjekur sëbashku me ju për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, për statusin e vendit kandidat, sëbashku me ju mbrojti ekonominë shqiptare nga kriza lubi që po përpin ekonomitë e vendeve të tjera, sëbashku me ju kontribuoi për forcimin e iniciativës private dhe që i thotë fjalës fjalë.

Në krahun tjetër, ju keni një politikan që gjithë ditën flet për shkatërrim, një model që flet për shkatërrim, flet për hekura burgjesh e hekura arrestimesh, keni një njeri i cili ka faktuar se ç’janë për të vlerat e familjes, që i ndërron gratë çdo dy vjet, sipas oportuniteteve, keni një njeri që niset drejt karriges së lartë të ekzekutivit me një vilë 57 metra të gjatë dhe një pallat në shpinë dhe nuk tregon një qindarkë se me se po i ndërton ato, një njeri i cili për interesa të veta bllokoi dhe mori peng një vit statusin e vendit kandidat, një njeri që për interesa të karriges së tij i vuri flakën institucioneve dhe donte të vinte në pushtet me dhunë, një njeri i cili ka grumbulluar rreth vetes një grup miliarderësh, vetëm e vetëm për t’i fryrë e pasuruar më tej ata në kurrizin tuaj, një njeri i cili ju parashtron sot dogmat e regjimit të shkuar, qytetarët pa taksa, siç deklaronin etërit e tij 45 vjet me radhë, ndërkohë që rriti me taksa indirekte më shumë se kushdo tjetër qytetarët shqiptarë, një njeri që nuk ka durim të dëgjojë njeri, një brutal që agreson fizikisht bashkëbiseduesit e tij.

Këto janë modelet. Ndaj dhe ju ftoj gjakftohtësish t’i mendoni këto dy modele. Ju garantoj se tek Sali Berisha, çdo shqiptar do të gjejë modelin e tij. Ndaj ju ftoj ju, ftoj të gjithë socialistët e Rrashbullit, demokratët e qytetarët pa parti, socialistët e Durrësit, Tiranës e mbarë Shqipërisë të mendojnë këto ditë më shumë se kurrë për alternativën, për modelet. Do e gjejnë veten shumë herë më afër me ne, më afër me ju, më afër me Sali Berishën, sepse ata janë për integrimin, janë për punësimin, për mirëqenien, për të ardhmen, sepse ata besojnë në punën, jetojnë me punën e tyre, besojnë në familjen, besojnë në vendin. Përpara! Votoni 44-n. Votoni fitoren. Fitore! Fitore! Fitore! Edhe një herë qytetarë të Rrashbullit, Durrësit, demokratë, socialistë e të paparti bashkohuni me ne për fitoren e shkëlqyer që na pret më 23 qershor. Rrofshi ju! Rroftë fitorja!


14/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›