E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit parlamentar të Partisë Demokratike

Sot, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha u zhvillua mbledhja e përjavshme e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, gjatë së cilës, kryeministri Berisha u fokusua në disa çështje të rëndësishme, ku vend parësor zunë problemet e integrimit, për të cilat, Kryeministri u shpreh se “janë dhe do të mbeten gjithnjë përparësia më madhore e kësaj mazhorance dhe e kësaj force politike.”

-

Duke informuar fillimisht mbi punimet e Samitit të Partive Popullore Evropiane, të mbajtur në Bruksel, në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Janë disa, çështjet kryesore, të cilat unë desha të sjell në vëmendjen  tuaj sot, së pari problemet e integrimit, të cilat janë dhe do të mbeten gjithnjë përparësia më madhore e kësaj mazhorance dhe e kësaj force politike.

Unë sapo jam kthyer nga një Samit i Partive Popullore Evropiane në Bruksel, në të cilin merrnin pjesë rreth 17 kryeministra, apo kryetarë shtetesh të vendeve anëtare, përveç dy prej nesh, në të cilin u vendos, u firmos, traktati i ri ndërqeveritar, që stipulon një qëndrim të ri të eurozonës ndaj difiçitit buxhetor dhe borxhit publik, sipas të cilit deficiti buxhetor duhet të zbresë tek  2.2% dhe nuk duhet të jetë më shumë, si dhe me disa sanksione për çdo mos zbatim të kësaj disipline jashtëzakonisht të rëndësishme për të parandaluar në të ardhmen krizën e borxheve.

Shqipëria nuk është vend anëtar, as dhe kandidat siç dihet, por Shqipëria do të adaptojë këto kritere, si kritere të drejta dhe të shëndosha, si kritere të cilat i shërbejnë rritjes ekonomike të qëndrueshme.  Nuk mund të them se këto mund të vendosen në mes të vitit, por unë mund t’ju them se do të bëhen  përpjekjet më madhore duke filluar nga viti që vjen, për vendosjen në bazë  të performancës  financiare dhe makro-ekonomike të kritereve dhe kërkesave, që u vendosën në marrëveshjen ndër-qeveritare të firmosur tashmë nga 25 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Natyrisht, pjesëmarrja në këtë Samit është një mundësi reale e madhe për të shprehur pikëpamjet dhe qëndrimet ndaj zhvillimeve në vend dhe zhvillimeve në rajon.  Siç kam bërë të ditur, mora fjalën në këtë Samit dhe shpreha vlerësimin tim për marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë, si një marrëveshje që kontribuon realisht në paqen dhe stabilitetin në Rajon, por domosdoshmëri  e shoqërimit të saj, në konsolidimin e mëtejshme të perspektivës Europiane për Kosovën, me çmontimin e plotë të strukturave paralele në veri të Kosovës, si struktura të cilat mbahen për një  mundësim potencial  për ndryshim kufijsh në Ballkan, si dhe kërkova njerëzisht, të rishqyrtohet një vendim i  EBE-së, që ka të bëjë me normën e kreditimit të bankave, bija apo jo, të sistemit bankar të vendeve të zonës Euro dhe unë mund t’ju them se edhe në biseda të veçanta, gjeta një mirëkuptim që ky vendim është lëndues, dhe shpresoj që në mënyrë më të programuar, të adaptohet një qëndrim tjetër, pavarësisht se ne nuk jemi vend anëtar i euros as i Bashkimit Europian, ekonomia jonë është një ekonomi tërësisht e euorizuar plotësisht dhe sistemi ynë bankar është kryekëput, nga bankat nënë të vendeve anëtare të euros.

Natyrisht, në këtë ditë qëndrimi në Bruksel, në të gjitha bisedat me kolegët e mi dhe pothuajse shumicën e tyre i takova, ishte problemi i statusit të Shqipërisë.  Unë gjithnjë shpreh qëndrimin tim dhe të mazhorancës, që ky proces duhet të jetë një proces i merituar.  Ky është interesi i qytetarëve shqiptarë dhe nuk kërkoj një rrugë  tjetër.

Dua t’ju informoj ju dhe qytetarët e këtij vendi, se qëndrimi ynë ka vlerësimin e padiskutueshëm. Për vendet anëtare të Bashkimit Europian  dhe Komisionin Europian procesi i integrimit nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë ndryshe, veçse se një proces i mbështetur nga të gjitha forcat politike kryesore. Një proces, në të cilin secila forcë politike të ndjejë se ka kontributin e tij dhe aksionet e tij dhe absolutisht  ky është dhe qëndrimi ynë i palëkundur. Por e kuptoni  ju që unë rastisa në Bruksel,  ditën pasi ishte bërë dy muaj punë serioze në Komisionin e Ligjeve, për paketën e Kodit Penal, pasi ishin bërë një seri amendamentesh serioze në këtë paketë, në mbledhjen e grupit parlamentar kryetari i PS, urdhëron grupin dhe merr vendimin të mos votohej paketa. 

Për të justifikuar këtë vendim paraprak, që kishte imponuar, sollën amendamentet absurde të fajit kolektiv, gjënë e fundit në këtë botë, që z. Edi Rama mund të imagjinonte.  Mund të imagjinonte  një amendament të tillë dhe e bënin këtë, vetëm e vetëm për të justifikuar shkeljet e rënda të Kushtetutës, që ata kanë bërë në njësimin e hetimeve për faj kolektiv në të shkuarën, tani është anëtar kryesie ai Dhori Sallaku. 

Pra kërkonin ti impononin kësaj mazhorance në sistem demokratik një gjë të tillë, gjë të cilën nuk mund ta pranojë, as edhe një njeri i lirë mbi tokë.  Megjithatë pyetjes  së  përsëritur, se çfarë do të ndodhë tani me bllokimin, unë iu përgjigja me rezervë, por iu përgjigja, se kjo është një politikë, e cila synon  kryekëput  bllokimin dhe dështimin, sepse z, Rama sheh si rrugë të vetme, ardhjen në pushtet, dështimet dhe bllokimet, të cilat i keqkalkulon, të cilat i bazon në një arsyetim të hedhur poshtë në zgjedhjet e 2011 nga qytetarët, por vazhdon të besojë se një zinxhir dështimesh të çfarëdolloj,  do të mund të penalizonin  qeverinë dhe jo opozitën dhe kur ajo është shkak direkt i tyre.  Ky zotëri ka platformë të vetme trillimin, sajimin dhe bllokimin.

Megjithatë më vjen shumë keq, por u detyrova t’ju them interlekutorëve të mi, që mos u çudisni kur nesër ajo paketë të votohet, sepse qëllimi  ishte kjo ditë, një ditë në të cilën bëhen vlerësime për Ballkanin Perëndimor. Këtë ditë situata në Tiranë duhet të ishte e bllokuar, në mënyrë që të mos mund të thuhej një fjalë e mirë dhe unë jua shpjegova, qoftë nenin absurd të dënimit kolektiv, qoftë amendamentet e  Hugo Chavesit në reformë elektorale. Jua them këtë, sepse kërkonin me çdo kusht identifikimin e zgjedhësve me gishtërinjtë e duarve, praktikë e kërkuar vetëm ne Venezuele nga Chavesi. Dhe pse kjo!  Në mënyrë që ky fond të mund të përdorej për të kontrolluar zgjedhësit, përkatësinë e tyre dhe bindjet e tyre politike.  Gjëra të tilla si pranon askush.  Megjithatë,  unë shfrytëzoj rastin ti bëj thirrje opozitës, të heqë dorë nga koncepti se, bllokomi i intereson opozitës, absolutisht vetëm e dëmton thellë dhe e largon progresivisht nga çdo shans.  Bashkimi Europian e ka bërë të qartë 1 mijë herë se procesi është gjithëpërfshirës  edhe në Komisionin e Integrimit, ne jua kemi besuar atyre në mirëbesim, nëse do të mendojnë se do e përdorin komisionin për të bllokuar  gabojnë, ndaj dhe ju kërkoj të gjithë ju deputetëve anëtarë të këtij komisioni të bëni gjithçka, për të shpejtuar procesin e punës.

Ju bëj thirrje komisioneve të tjetra, meqenëse shumë normale, opozita kërkoi që një pjesë  e kërkesave të jenë si të thuash ekskluzivitet  i Parlamentit në mënyrë, që ajo të demonstronte rrolin e vet dhe këtu nuk ka asgjë jo normale dhe ne e pranuam këtë, e pranuam jo për të bllokuar, ne e pranuam jo për të maskuar, prandaj mundësisht anëtarët  tanë në këtë Komision të bëjnë gjithçka, për të avancuar punën në komision për të gjitha problemet.  Komisionet tjera të bëjnë gjithçka për t’iu përgjigjur në kohë dhe prapë së parë ata mund ti bllokojnë, pro detyra jonë është të bëjmë gjithçka që na përket dhe e dyta është të qartësojmë opinionit publik shqiptarë dhe ndërkombëtarë se vazhdon politika e bllokimit. Ndihet  më konfortabël  ai, nuk përballon dot ai realitet tjetër, përveç  se realitetin e bllokimin. Kjo nuk është në programin e partisë së tyre absolutisht, por kjo është në programin e pashkruajtur  të  etërve të tyre, kjo është fare e thjeshtë. Nuk ka ndodhur me PS, ndodh tani! Sepse për këta, qeveria, shumica është armike, ndaj së cilës duhet të bësh gjithçka, ta rrethosh me hunj, me gurë e me zjarr, ta bllokosh në votimin e ligjeve, megjithatë  ne vazhdojmë punën dhe përpjekjet në të gjitha aspektet  përfshirë këtu qëllimin tonë të palëkundur të bashkëpunojmë me opozitën.

Para se të shkoja në Bruksel, unë u takova me Drejtorin e Reformës së Këshillit të Europës.  Ne kemi një traditë bashkëpunimi shumë të mirë me Këshillin e Europës, i kërkova të bashkëpunojmë në një reformë jashtëzakonisht të rëndësishme, reformën e imunitetit.  Pse i kërkova  Këshillit të Europës.  Sepse institucioni më i involvuar është Komisioni i Venecias.   Komisioni i Venecias ka bërë në fillim të vitit 2006 një ekspertizë  dhe ka kërkuar, që heqja e imuniteteve të bëhet duke ndryshuar ligjet me 3/5.  U bë një seminar para 3-4 muajsh, ku ekspertë të tjerë u shprehën se kjo duhet bërë me ndryshim të kushtetutës.

Dua tu sqaroj  juve, se kur  u diskutua ndryshimi i Kushtetutës dhe reforma kushtetuese,  unë propozova dhe insistova që të përfshijmë dhe imunitetet, por  z. Rama  e refuzoi në mënyrë kategorike.  Tani, cili është qëndrimi ynë.  Qëndrimi ynë është dhe për këtë e garantova Këshillin e Europës, që ne jemi të gatshëm për secilin variant, të votojmë në Parlament për heqjen e imuniteteve në Shqipëri.  Theksoj këtu se heqja e imuniteteve në të gjitha pushtetet në Shqipëri është një zotim me shkrim me firmë  i qeverisjes socialiste në 2004. Përpjekjet ne i kemi bërë të vazhdueshme. Uroj dhe ftoj PS, të bashkohet në këtë proces duke garantuar se në rast se duan të ndryshojnë të bëjnë një nen në Kushtetutë, që në këtë vend nuk ka imunitet për krimin e zakonshëm dhe korrupsionin, që nesër ne e bëjmë ndryshimin. Po të duan të ndryshojnë ligjet me 3/5 të drejtësisë  dhe të Parlamentit dhe këtë e bëjmë.  Le të shpresojmë, të mos paragjykojmë, por  Këshilli i Evropës më ka garantuar se do të angazhohet me gjithë ekspertizën e tij për të asistuar në Shqipëri, në përmbushjen e këtij detyrimi që rrjedh nga firmosja e vitit 2004 e marrëveshjes  së qeverisë shqiptare më Këshillin e Europës.

Çështje tjetër  që unë desha të ndalem, është çështja e këstit të dytë për të përndjekurit politik. Dëmshpërblimi.   Vonesa nuk ka pasur asnjë shkak tjetër, përveçse ndryshimeve që ne i kemi bërë ligjit edhe gjatë kësaj periudhe.  Ndryshimet që i bëmë ligjit gjatë kësaj periudhe, shtojnë numrin e dosjeve që duhet të shqyrtohet dhe rasteve.  Ndërkohë  që ligji ekzistues ka përcaktimet e tij.  Nuk ka qenë kjo një mungesë ndjeshmërie, jo.  Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Financave kanë qenë në diskutim të  vazhdueshm se cilat do të ishin mënyra  e kapërcimit të situatës së krijuar me amendimet e reja.  Kanë gjetur rrugën, do të bëhen ndërkohë  gjatë dy javëve të para të marsit, 2-3 ndërhyrje nënligjore dhe do të nisë menjëherë disbursimi i këstit të dytë, për ata që janë për këstin e  dytë, ndërkohë plotësimi i dosjes  së këtyre për kastin e parë  dhe këta do të marrin këstin e parë. 

Unë i pashë që kishte mbledhur  3-4 vetë z. Rama, por unë i përgëzoj ata që ia thanë në sy atë që meritonte. Nuk ka kuptim,  të marrësh ti njerëz, që kanë vuajtur për vite të tëra në burgje dhe ti vendosësh para Gramoz Ruçit dhe miliarderes Keti Bozhdari. Megjithatë, ata kalorës të besimit të tyre në  vlera,  ia thanë z. Rama. I thanë dhe atë, që tetë vjet rresht në pushtet nuk dhe një qindarkë, për ne dhe shpërbleve hanxharët tanë.  Se atyre ua dhanë paratë të gjitha, Nexhmie Hoxhës, Ramiz Alisë të gjithëve, këtyre ua bllokuan dhe atyre jua shpërblyen se kishin bërë krime.  Çdo parti politike ka të drejtë të ndërtojë platformën e vet, por natyrisht mbi një shqyrtim të realitetit dhe jo falsifikimit, se tani cilindo mund të vendoste ai në krah, por të vendosësh  Gramozin, ministrin e fundit të torturës së regjimit komunist!  Ai nuk mund të dilte aty, të paktën për anën më formale.  Atë kishte zgjedhur për tua dhënë mesazhin.

Të nderuar deputetë,

Këto ishin çështjet që unë desha ti sjell në vëmendjen tuaj ndërkohë me qenë së është bërë një tymnajë mediatike, dua të falenderoj me shumë mirënjohje bashkinë e Lezhës, qytetarët e Lezhës, për organizimin e shkëlqyer, që i bënë një date themelore në historinë e kombit  siç është data e lidhjes së Lezhë. Sigurisht që aty u mblodhën princa nga të gjitha trevat shqiptare 568 vjet më parë, por djep, vatër ishte Lezha, kështu që qytetarët e Lezhës me shumë krenari e festuan këtë ditë.  Absolutisht në ftesa bashkia e Lezhës, kishte mbajtur pikë për pikë frymën e asaj lidhje.

Tjetër punë se dikush tha nuk mora ftesën dhe tjetri nuk i njoftoi fare nëse do shkonte apo jo.  Nuk kanë asnjë lidhje, asnjë shkak tjetër  përveçse  një, por ajo nuk varet nga ne. Se po të duket Lezha,  Albulenë pastaj po shkoj nuk po shkoj. Lezha është Lezhë , Albulena është Albulenë.  Edhe atë do ta festojmë. Por këtu fryma është tjetër, këtu ishte parimi  “Një Komb Një Qëndrim” dhe u jetësuan  përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare si asnjëherë që nga 1444. Ato nuk janë larg njëra- tjetrës, por në fakt janë të ndryshme të dyja kështu, që çdo zhurmë tjetër është absolutisht absurde, s’ka asgjë me realitetin ju them me përgjegjësinë më të madhe.


05/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›