E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Të bëjmë gjithçka për të parë të vërtetat e historisë së kombit në sy, me drejtësi, si një rrugë e sigurt drejt të ardhmes

Kryeministri Berisha mori pjesë sot në takimin homazh të zhvilluar në Kuvendin e Shqipërisë, për të nderuar 22 intelektualët shqiptarë që u pushkatuan pa gjyq nga sistemi komunist, 61 vite më parë, nën akuzën e hedhjes së një bombe në ambasadën sovjetike.

Të pranishmit në këtë takim homazh u përshëndetën nga Kryetarja e Kuvendit znj. Jozefina Topalli, Kryeministri Berisha, znj. Keida Kaceli, mbesa e Jonuz Kacelit, një prej të pushkatuarve të 27 shkurtit 1951. Gjithashtu, në nderim të kësaj ngjarjeje të rëndë të historisë shqiptare, u shfaq edhe një dokumentar mbi jetën, veprën dhe kontributin e këtyre intelektualëve.   

Kryeministri Berisha theksoi se ekzekutimin pa gjyq të 22 intelektualëve shqiptarë është një nga ngjarjet më të shëmtuara të historisë së terrorit të masakrave të regjimit të Enver Hoxhës, dhe një akt i pashembullt në analet e historisë. Këta intelektualë, theksoi ai, përbënin ajkën e elitës kombëtare të krijuar në ato vite.

Kryeministri tha se apeli që bëjmë sot për këtë ngjarje të rëndë, nuk synon glorifikimin e tyre, por ka vetëm që qëllim; kjo histori të mos përsëritet më, kjo histori tragjike të memorizohet dhe të mbetet një mësim, një plagë, në ndërgjegjen kombëtare, individuale, të çdo qytetari të këtij vendi. “Le të shohim me gjakftohtësi, me paanësi, me ndershmëri, historinë tonë dhe atë të Evropës”, u shpreh Kryeministri.

“Janë 5 mijë qytetarë të ekzekutuar pa gjyqe, janë dhjetëra e mijëra të burgosur e të internuar. Por ku jemi ne? Në këtë aspekt, ju garantoj se ne jemi në udhëkryq. Ne jemi njerëz të lirë, por sërish jemi në udhëkryq, sepse mendojmë se kjo që ndodhi kalohet duke e arkivuar. Në rast se veprojmë në këtë mënyrë, ne kërcënojmë të ardhmen tonë”, nënvizoi Kryeministri.

Në fjalën e tij të plotë, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Jemi mbledhur sot këtu për të përkujtuar ndoshta një nga ngjarjet më të shëmtuara të historisë së terrorit, të masakrave të regjimit të Enver Hoxhës, ekzekutimin pa gjyq të 22 intelektualëve shqiptarë, që përbënin ajkën e elitës kombëtare të krijuar në ato vite, në ato dekada të Shqipërisë së shkëputur nga perandoria osmane. Ky akt është i pashembullt në analet e historisë. Nuk mund të gjendet një akt tjetër në të cilin 22 qytetarë, 22 intelektualë, u ekzekutuan para se të vendoste gjykata për ta, u varrosën në një gropë të përbashkët, të hapur shumë ditë më parë sesa ata të arrestoheshin. U përzgjodhën njerëz që ndoshta as që e njihnin njëri -tjetrin, por që kishin të përbashkëta vlerat në të cilat besonin, personalitete që vunë gjithçka për çlirimin e vendit të tyre, por natyrisht besonin se vendi i tyre, kombi i tyre, do të gëzonte lirinë e merituar. Këta janë 22 intelektualë, por që përfaqësojnë 5 mijë burra e gra shqiptare të ekzekutuar pa gjyqe, qytetarë të këtij kombi.

Ne jemi mbledhur këtu t’i nderojmë këta 22 personalitete dhe të gjithë ata që u ekzekutuan për bindjet e tyre, për besimin te Zoti, për bindjen te Shqipëria e lirë e demokratike, tek besimi i tyre te liritë dhe të drejtat e njeriut. Ata kanë vetëm një kushtrim, një apel: Mos na harroni! Ky apel nuk ka të bëjë aspak me ta, sepse ata i përkasin tashmë një bote tjetër, por ky apel ka të bëjë me ne, më shumë se me këdo tjetër, ka të bëjë me të rinjtë e këtij vendi. Ky apel nuk synon dhe nuk ka ndonjë kërkesë për glorifikimin e tyre. Përkundrazi, ka vetëm që qëllim; kjo histori të mos përsëritet më, kjo histori tragjike të memorizohet dhe të mbetet një mësim, një plagë, në ndërgjegjen kombëtare, individuale, të çdo qytetari të këtij vendi.

Ne këtë vit kremtojmë edhe vitin e 100 vjetorit të Pavarësisë. Në 100 vite ne jemi shqiptarët më të lumtur, sepse kemi arritur në këtë piedestal kombëtar si njerëz të lirë, por kemi arritur në këtë 100 vjetor, pas rrugës më të mundimshme që një komb mund të ketë bërë në  100 vjet, pas një udhëtimi të shoqëruar me lumenj gjaku, djerse, dhimbjeje, vuajtjeje, sakrificash. Lavdi Zotit ne jemi sot këtu, të lirë.

Në këto 100 vjet, merita më e jashtëzakonshme e këtij kombi është se vjen i lirë, vjen me dinjitet, sepse liria, para së gjithash e mbi të gjitha, është dinjitet njerëzor, të tjerat pastaj kanë relativitetin e tyre. Por do të ishte e pafalshme për ne në qoftë se, krahas vlerësimeve, trashëgimisë glorifikuese, nuk do të shihnim drejt në sy edhe ato të cilat bëjnë të turpërohet çdo njeri të lirë, çdo qytetar. Këto kanë qenë pjesë e pandarë e historisë së këtij 100 vjeçari të kombit shqiptar.

Zonja e zotërinj,

 Le të shohim me gjakftohtësi, me paanësi, me ndershmëri,  historinë tonë dhe atë të Evropës. E kam theksuar dhe e theksoj përsëri se Evropa ka njohur në tërë historinë e saj diktatura dhe diktatorë nga më mizorët. Por Evropa ka pasur dy diktatorë më gjakësorë, më barbarë, më çnjerëzorë. Ky është Rudolf Hitleri, i cili me doktrinën e tij raciste kreu krimet më monstruoze në historinë e njerëzimit, edhe ndaj kombit të vet, si dhe Enver Hoxha që, në historinë e tij, kreu krimet më monstruoze ndaj kombit të tij. Shumë prej tyre e njihnin, sidomos intelektualët gjirokastritë, të cilët kishin vetëm një faj, faktin që e dinin se kë përfaqësonte ai. Këta kishin luftuar kundër Hitlerit, kishin bërë gjithë detyrën e tyre, por do të grumbulloheshin një ditë, do të mblidheshin dhe ekzekutoheshin pa gjyq, sepse diktatori dinte një gjë të sigurt, që këta burra nuk mund të ishin kurrë dakord me regjimin e tij, nuk mund të ishin kurrë dakord me kalvarin që ai vendosi ndaj kombit të tij. Ky ishte shkaku themelor se përse ai i ekzekutoi.

Janë 5 mijë qytetarë të ekzekutuar pa gjyqe, janë dhjetëra e mijëra të burgosur e të internuar. Por ku jemi ne? Në këtë aspekt, ju garantoj se ne jemi në udhëkryq. Ne jemi njerëz të lirë, por sërish jemi në udhëkryq. Ne mendojmë se kjo që ndodhi kalohet duke e arkivuar. Në rast se veprojmë në këtë mënyrë, ne kërcënojmë të ardhmen tonë. Historia fakton disa gjëra shumë interesante; në raportet e mirë - e keqe, dashuri - urrejtje, njerëzi- barbari, të gjitha këto ekzistojnë në “fakultetet” mendore të njeriut. Ata që lexojnë dhe shohin literaturë, këtë e kanë shumë të qartë. Por njeriu bën gjithçka që të zhvillojë “fakultetet” e tij mendore më të arrira, më pozitive, më të vyera. Ne jemi në udhëkryq, sepse ne nuk kemi arritur të përballemi me të shkuarën tonë, absolutisht jashtë çdo sensi hakmarrjeje. Ne ligjet i kemi, jemi i vetmi vend me ligjin e Genocidit, i cili është në fuqi. Ky ligj është aplikuar në mënyrë simbolike. Rëndësi të jashtëzakonshme ka fakti që ajo që kemi kaluar, të ketë folenë e vet në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Gjermanëve u ndodhi tragjedia më e madhe e historisë së tyre, në Luftën e Dytë Botërore, por ata patën një mendimtar të madh, një filozof gjenial që u tha; jeni fajtorë!. Kjo u shërbeu atyre për të kuptuar se; Sërish, kur të dalim në krye të botës si vend i fuqishëm e i zhvilluar, kurrë të mos lejojmë më të shkatërrojmë veten tonë. Kjo ndërgjegje  i shoqëroi ata nga gjenerata në gjeneratë.

Ndërsa këtu te ne, ju jeni dëshmitarë për atë që ndodh. Ju vini sot këtu duke pasur mallin e madh, dhimbjen e thellë për njerëzit tuaj që u pushkatuan, që ranë për t’u bërë të pavdekshëm, por ju të gjithë e dini se janë me dhjetëra e mijëra të tjerë që nuk provuan kurrë burgjet e kampet e përqendrimit, por vdiqën për kafshatën e gojës, vdiqën nga sëmundja dhe uria e sistemit kolektivist që ai vendosi në këtë vend, njerëz që në shekuj nuk e kishin njohur varfërinë dhe që përfunduan në njerëz të uritur që prisnin vdekjen si rruga e vetme për t’i shpëtuar urisë së përditshme. Kjo ishte e vërteta. Ku jemi ne sot? Ne jemi shumë larg një përpjekjeje të madhe kombëtare për vet ndërgjegjësim. Ky vend përdori ligjin për dënimin e krimit dhe genocidit komunist dhe bëri një gjë shumë të madhe. Vende të tjera nuk kishin një regjim si ky dhe, të gjitha krimet e diktaturave ish komuniste të vendeve lindore nuk përbëjnë statistikisht as gjysmën e krimeve të kryera nga diktatura hoxhiste. Pra, ne jemi larg. Ata të cilët u dënuan me ligjin e krimeve kundër njerëzimit dhe genocidit  komunist, u dëmshpërblyen një nga një, qindarkë më qindarkë, pas rebelimit komunist të 97-ës nga pushteti që erdhi në fuqi, për ditët që vuajtën dënimin.

Ku jemi ne sot?  Rreth 5 vjet më parë dërguam në Presidencë një përfaqësues, duke besuar se i përkiste të djathtës shqiptare. Por ai refuzon të firmosë ligjin për Lustracionin komunist, s’firmos ligjin për të zbardhur të vërtetat për atë institucion që ishte hanxhari që u përdor për të ekzekutuar këta burra dhe 5 mijë të tjerë. Madje thotë se unë e ktheva se do më gjuanin me gurë, (e kishte fjalën për ju apo për PD-në, ik e merre vesh këtë). Por kjo nuk ka rëndësi.

Jam sot këtu për t’i bërë një apel kësaj shoqërie, për t’i bërë një apel veçanërisht krijuesve shqiptarë, sepse ata, më shumë se kushdo tjetër, mund të kontribuojnë për të bërë një apel mbarë shoqërisë shqiptare që të mos harrojmë se, ne patëm fatin e zi të përjetojmë diktaturën e diktatorit më gjakësorë pas Hitlerit, ndaj dhe do ta quanin “Hitleri shqiptar”. Dhe ata që e quajtën “Hitleri shqiptar” ata e bënë këtë vlerësim, jo se nuk e dinin që Enver Hoxha gjatë luftës luftoi kundër Hitlerit, sepse të gjitha këto 37 parti kishin qenë parti rezistence. Por ato e dinin se, Hoxha  pas luftës, i bëri kombit të tij ato që Hitleri i bëri gjatë luftës.

Ndaj dhe duke ju shprehur vlerësimin për ta, të dashur familjarë të martirëve të 27 shkurtit, të cilët u bënë të pavdekshëm për ato vlera që sot ne përpiqemi t’i zhvillojmë dhe konsolidojmë, shfrytëzoj  rastin të bëj një apel të fuqishëm; të bëjmë gjithçka për të parë të vërtetat e kombit në sy. Askush nuk duhet t’u trembet atyre dhe, sa më drejtë t’i shohim ne të vërtetat tona, aq më të sigurt do të jemi në të ardhmen tonë.

 Edhe njëherë, duke u përulur me nderimin më të madh ndaj veprës së intelektualëve, martirë të demokracisë, ju ftoj të vazhdojmë përpjekjen tonë të ndershme, të drejtë, serioze, për të nxjerrë në pah atë çka ne përjetuam, në mënyrë që për brezat e ardhshëm të mos mund të përsëritet më.

Faleminderit”.


05/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›