E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Samiti i PPE, shumë i rëndësishëm dhe i karakterizuar nga një frymë e qartë optimizmi

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në Bruksel, në Samitin e Partisë Popullore Evropiane (PPE). Në këtë samit ishin të pranishëm kryetarë shtetesh dhe kryeministra, si dhe kryetarë të partive opozitare në Evropë, anëtare të Partisë Popullore Evropiane, të cilët diskutuan për zhvillimin e një qasjeje të përbashkët të EPP-së mbi çështje evropiane, që i paraprin mbledhjes së Këshillit Evropian.

Pas punimeve të samitit, Kryeministri Berisha bëri këto komente për mediat shqiptare atje: 

“Ishte një samit që iu përkushtua kryesisht problemit të rritjes ekonomike. Mund të them se ishte një samit i karakterizuar nga një frymë e qartë optimizmi dhe i gjithë përqendrimi do të jetë se si të rikthehet rritja ekonomike në hapësirën e Bashkimit Evropian dhe në Evropë në tërësi. Masat e parashikuara u vlerësuan si masa shumë të rëndësishme.

Ndërkohë, në samit u diskutua ndër të tjera edhe statusi për Serbinë dhe probleme të tjera. Në fjalën time, unë shpreha vlerësimin tim të madh për marrëveshjen e fundit midis Kosovës dhe Serbisë, si marrëveshje shumë e rëndësishme, jo vetëm për të dy vendet, por për të gjithë rajonin. Sikundër, theksova se vendimi për statusin e Serbisë është një vendim i drejtë dhe i rëndësishëm. Por, është e domosdoshme të mbështetet iniciativa e Komisionit Evropian për studimin e fizibilitetit dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës, një vend me një rëndësi shumë të madhe për paqen dhe stabilitetin në rajon. Në fjalën time theksova se marrëveshja u jep përgjigje problemeve madhore që ekzistonin, por ajo që mbetet për t’u çmontuar dhe për t’i mbetur të shkuarës, janë strukturat paralele, paramilitare, të cilat kurrë nuk mund të garantojnë as liritë e të drejtat, as zhvillim të atyre rajoneve dhe që mbahen për qëllime të caktuara. Theksova gjithashtu se respektimi i marrëveshjes nga të gjitha palët është një gjë e domosdoshme, në mënyrë që paqja, stabiliteti, të konsolidohen.

Ngrita në mënyrë të posaçme problemin e një vendimi qendror, për sa i përket kreditimit nga Bankat bija në vendet tona, në Shqipëri e në vende të tjera dhe, kërkova që ky vendim të rishqyrtohet, sikundër, të shihet mundësia që Banka Qendrore Evropiane  (BQE) dhe institucione të tjera të tregojnë një përkujdesje për sistemin bankar të vendeve jo anëtare, i cili në tërësi është sistem i përbërë nga bija të vendeve anëtare të zonës së euros.

Mendoj se ky ishte një samit shumë i rëndësishëm. Në samit u diskutua gjerësisht për problemet ekonomike. Unë e njoha samitin me zhvillimet në Shqipëri dhe natyrisht, mbrojta para kolegëve dhe miqve të mi pikëpamjen time se procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është dhe duhet të mbetet një proces i bazuar kryekëput  në meritë, sepse vetëm i tillë ai u shërben mbarë qytetarëve shqiptarë.

Në samit, një vend të veçantë zuri gjendja jashtëzakonisht e rëndë e të drejtave të njeriut në Bjellorusi, problemet madhore të shëndetit dhe të qëndrimeve ndaj lideres,  udhëheqëses së opozitës së Ukrainës, Yulia Tymoshenko, si dhe probleme të tjera.

Pyetje: Pas fjalimit tuaj, keni përshtypjen se liderët e djathtë kanë një perceptim të drejtë për reformat në Shqipëri, çfarë shkon e çfarë nuk shkon?

Kryeministri Berisha: Unë mendoj se kam qenë gjithnjë një intelokutor i besueshëm dhe transparent me miqtë e mi. Unë sjell këtu  të gjitha të vërtetat e zhvillimeve në Shqipëri dhe i përmbahem tezës se; ky duhet të jetë veçse një proces i merituar. Natyrisht, besoj se është e qartë dhe nuk di ndonjë njeri në familjen e Partive Popullore Evropiane që të mos ketë kuptuar me kohë se, njeriu që bërtet është edhe ai që vetbllokon. Kjo tani është evidente. Por përsëri ka pasur një progres. Ka një qëndrim momental, i lidhur me siguri me zhvillimet e kësaj jave në Bruksel, pasi ka një përqendrim të veçantë mbi reformat në Ballkanin Perëndimor dhe ecurinë e tyre. Le të shohim se çfarë qëndrimesh do të mbajnë. Qëndrimi bllokator i tij është tashmë i njohur, jo vetëm nga qendra e djathtë, por nga të gjitha rrymat politike të Evropës. 

Pyetje; Ne kemi dëgjuar z. Doul i cili ka thënë se e mbështet statusin e Shqipërisë, Komisioneri po ashtu. A e mbështesin liderët e tjerë dhe a keni vërtetë përshtypjen se ky është një bllokim momental?

Kryeministri Berisha: Unë e kam theksuar dhe e theksoj se absolutisht nuk ka asnjë pengesë, përveç faktit se opozita shqiptare bllokoi për dy vite më radhë votimin e reformave evropiane. Unë e kam theksuar dhe e theksoj; nuk mund t’i kërkoj kërkujt që të mbështesë statusin për Shqipërinë, në një kohë kur partia kryesore opozitare, në një rast unik në Evropë, nuk voton reformat e drejta të kërkuara për procesin e afrimit të mëtejshëm me Bashkimin Evropian. Ata që e konceptuan  dhe e konceptojnë bllokimin si një mjet për të dëmtuar qeverinë dhe që dëmtojnë vendin e tyre, ata natyrisht do të kenë të gjitha përgjegjësitë para shqiptarëve.

Pyetje: Reforma zgjedhore është kushti kryesor për marrjen e statusit, si e gjykoni ecurinë e deritanishme dhe a mund të plotësohet ky kriter para qershorit?

Kryeministri Berisha: Absolutisht mund të plotësohet. Mund t’u them se, me vullnet të përbashkët, mund të bëhet edhe për 4 deri 6 javë, sepse ne kemi bërë të gjitha lëshimet  e duhura. A e dini ju që për adresimin e rekomandimeve të ODIHR ne i kemi njohur PS-së pothuajse ekskluzivitetin e paraqitjes së amendamenteve?. Natyrisht, tryezë nuk do të thotë diktat, do të thotë arsyetim dhe mirëkuptim. Ky proces nuk ka asnjë vështirësi, sepse rekomandimet janë të qarta. Në rast se dikush, për ta bllokuar atë, sjell gjëra që nuk janë rekomanduar kurrë, apo e militarizon siç e keni marrë vesh dhe ju, kjo është tjetër gjë. Ata kanë kërkuar dënime me 8 vjet për komisionarët. Kur e thashë këtë gjë këtu në samit, u çuditën. Gjëra të tilla dalin jashtë çdo lloj logjike demokratike. Por, megjithatë ne mbetemi të vendosur, të hapur, të punojmë me intensitet, me besim të plotë, me institucionet ndërkombëtare,  për ta kompletuar atë sa më shpejtë.

Pyetje: Ju parashikoni 6 javë për këtë reformë, po për reformat e tjera do keni oferta?

Kryeministri Berisha: Ne jemi të prirur të punojmë intensivisht për kompletimin e saj. ODIHR dhe Komisioni i Venecias kanë kontraktuar ekspertët më të mirë të Evropës dhe botës për zgjedhjet, pra që janë të njohur në gjithë botën. Nuk ka çfarë pengese të ketë këtu. Ne kemi garanci të plotë që këta ekspertë do t’u përmbahen standardeve. Për shembull; u bë një kërkesë që të përdoren gjurmët e gishtave. Një kërkesë të tillë e kishte bërë Hugo Chavez. Pra rezultoi se kjo ishte një kërkesë e tij. Dhe është bërë për të justifikuar zgjedhësit. Por, le ti lëmë këto.

Pyetje: Nëse mbaron kjo reformë, do të jetë më e lehtë për reformat e tjera?

Kryeministri Berisha: Absolutisht të gjitha reformat, përveç praktikës së bllokimit, nuk kanë asnjë vështirësi. Ekziston e gjithë ekspertiza, ekziston e gjithë ndihma, ekziston gjithçka për të proceduar me seriozitetin më të madh. Unë që loboj për avancimin e Kosovës, nuk mund të them që të avancojë Shqipëria pa realizimin e reformave, sepse reformat janë të domosdoshme.

Pyetje: Ju thoni që BQE duhet të rishikojë edhe njëherë çështjen për bankat bija, përse duhet ta bëjë këtë?

Kryeministri Berisha: Sepse ka dhënë një direktivë të drejtë; që të rishqyrtojë kreditimin e tyre, politikën e kreditimit. Kjo ka pasur lidhje me ndonjë vend, larg Shqipërisë, ku është kredituar në sasi shumë të mëdha. Por unë ju garantoj se ata të cilët trajtojnë këtë problem më siguruan që kjo kërkesë do të shqyrtohet. Ato janë banka bija të bankave nëna të vendeve anëtare të euros. Në këtë kontekst, një mbështetje edhe për to është e domosdoshme”.   


01/03/2012

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›