E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në seancë plenare të Kuvendit, për buxhetin e vitit 2012

Zonja kryetare,

Zonja deputete,

Zotërinj deputetë,

Të dashur qytetare e qytetarë shqiptarë,

Sot është dita më e shënuar e parlamentit shqiptar. Dita, në të cilën ligjvënësit e vendit vendosin për buxhetin e Shqipërisë, vendosin në të vërtetë, për buxhetin familjar të 820 mijë familjeve shqiptare, të cilat janë aksionerë direkt në këtë buxhet, vendosin për buxhetin e të gjithë shqiptarëve, kontot e portofolat e tyre, vendet e tyre të punës, shërbimet ndaj tyre, për shkollat e fëmijëve të tyre, për shërbimin mjekësor, mjekët e infermierët që kujdesen për njerëzit e tyre të dashur, vendosin për kohën e tyre, si dhe sa shpenzojnë ata për të arritur në destinacionin e tyre të përditshëm, të përjavshëm apo të përmuajshëm, vendosin se çfarë do të bëhet me mundin, djersën e punën e tyre, gjatë vitit 2012, se cila është perspektiva e punësimit të tyre. Në fund të fundit, vendosim për begatimin, mirëqenien e mëtejshme të familjeve shqiptare. Nuk ka vendim më të rëndësishëm që mund të marrë parlamenti shqiptar, sesa ky vendim, sepse, natyrisht, e përgjithshmja është e përgjithshme, është parësore e jetike, por nuk duhet të harrojmë se personalja është jeta e përditshme, e përorshme e çdo qytetari shqiptar. Nuk duhet të harrojmë se përtej klisheve qëndrojnë hallet, dertet e problematikat e qytetarëve, të cilat në një masë të caktuar duhet të marrin përgjigjen e tyre nga vota e sotme e deputetëve të vendit.

Buxheti, si tërësi e të ardhurave dhe shpenzimeve publike të një kombi, në çdo qelizë e segment të tij, do të dëshironim të ishte më i madh. Kjo është e vërtetë për çdo vend, edhe për ata, të cilët kanë qindra vjet zhvillimi në liri, por është një e vërtetë disa herë më e madhe për ne shqiptarët, të cilët 20 vjet më parë dolëm nga një diktaturë më të shkatërruar se çdo vend tjetër, nga çdo katastrofë politike, sociale apo natyrore. Megjithatë, unë besoj se shqiptarët duhet të ndjehen të kënaqur, sepse para së gjithash, falë mundit e djersës së tyre, punës e përkushtimit të shkëlqyer të tyre, forcës së iniciativës së tyre të lirë, shpirtit të tyre të sakrificës, solidaritetit të tyre familjar, burimeve natyrore të vendit tyre, reformave të thella e të gjithanshme të kësaj mazhorance, gjatë këtyre viteve dhe, mbi të gjitha, modelit ekonomik të vendosur në Shqipëri, ia dolën që në një hark kohor gjashtëvjeçar, të inkasojnë në buxhetin e tyre rreth 8 miliardë dollarë më shumë dhe nëse  i referohemi buxhetit të vitit kulmor të qeverisë së përparshme të taksës progresive dhe të kleptokracisë së instaluar, del se kemi të bëjmë me tre buxhete shtesë. Shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë, por ne ia kemi dalë të mbledhim në këto vite, 8 miliardë dollarë më shumë. Duke mos llogaritur këtu shumë miliardë që me uljen e taksave, tarifave doganore mbeten të paprekura në kontot e tyre bankare.

Këto nuk ishin vitet më të mira të ekonomisë europiane e botërore. Këto ishin vitet e krizës më të thellë e më përpirëse në historinë e Europës dhe botës, që nga vitet 30 të shekullit të kaluar. Këto ishin vite, në të cilat rrudhja dhe rënia ekonomike njohu përmasa të frikshme. Këto ishin vite, në të cilat nga kriza e flluskave të mëdha u kalua në krizën e borxheve. Ekonomia shqiptare u dëshmua me qëndresën e një Davidi të vërtetë.

Unë e kuptoj se ju e keni këtë, ditën më të vështirë të vitit, por uroj dhe shpresoj të çliroheni, sepse po më shtyni të devijoj nga fjalimi. E lexoj këtë në fytyrat tuaja. Një vit më parë, në këtë sallë, ju ratë në sindromën e tmerrshëm të tunelit të Kërrabës, hytë në tunel e nuk dolët. Sëbashku qëndruam në këtë Parlament, deri në orën 5 të mëngjesit. U përpoqa t’ju shëroja. E pamundur. Përdora të gjithë aftësitë e mia mediko-psikologjike. E pamundur. Sërish do të mbeteni në sindromën e tunelit. Ju nuk e votoni buxhetin. Unë flas në shenjë respekti ndaj jush, në detyrim kushtetues, por ju nuk e votoni buxhetin, se keni sindromën.

Duke u kthyer tek të dhënat, në rast se u përjetua kriza më e thellë, ekonomia shqiptare rezistoi. Ajo u njoh me një buxhet gjithnjë në rritje. Buxheti i Shqipërisë ka qenë 222 miliardë lekë, në vitin kulmor të suksesit tuaj, viti 2004. Ai u bë 232 miliardë në vitin e përbashkët 2005, shkoi në 258 miliardë në vitin 2006, në 351 miliardë në vitin 2007, në 379 miliardë në vitin 2009, në 362 miliardë në vitin 2010, në 390 miliardë në vitin 2011 dhe 396 miliardë në vitin 2012. Scripta manent -  faktet mbeten. Fjalët tuaja i merr era. Do të thotë se kjo ekonomi, mbi të cilën u përpoqët me të gjitha mekanizmat, duke bërë një agresion të përditshëm psikologjik mbi tregjet e vendit, qëndroi. Lumenjtë e djersës së qytetarëve shqiptarë, modeli ekonomik që ne vendosëm, bënë të mundur që ekonomia shqiptare, në rast se ekonomitë e tjera njohën rënie, recesion deri në minus 12, 16 për qind, të ruajë rritjen e përvitshme ekonomike, të ruajë të paprekur parametrat e treguesit e stabilitetit makroekonomik. Si habertarë të papërmbajtur, çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, ju nisnit lajmet më pesimiste për ekonominë dhe financat e vendit, për rrogat e punonjësve buxhetorë dhe për pensionet e pensionistëve të vendit. Asgjë nga të gjitha ato nuk u provuan të vërteta. Latini thotë Errare humanum est - të gabosh një herë është njerëzore. Por të gabosh dy herë, Zoti të ruajt, të gabosh tre herë, gënjen veten tre herë. Ju e keni për të gjashtën herë. Ju bëheni të pashpresë. Unë prisja të vinit këtu me buxhet të votuar në komisionet parlamentare, por ju e keni kundërshtuar buxhetin. Unë do të votoja me ju, në rast se ne do të sillnim një buxhet me deficit buxhetor 5-6 për qind, në rast se ne do të sillnim një buxhet, në të cilin borxhi publik do të shkonte 70 për qind. Unë do të votoja me ju, në rast se do të synoheshin të përdoreshin manovrat inflacioniste për qëllime utilitariste. Unë do të votoja me ju, në rast se nuk do të ishte e mundur të rriteshin rrogat e pensionet. Atëherë si ka mundësi? Ju jeni në sindromën e tunelit dhe të një tuneli pa dritë, në raportin që keni me buxhetin. Tuneli i Kërrabës po përfundon dhe ju prapë jeni në pjesën e errët të tij.

Ndaj kam shumë kënaqësi të informoj shqiptarët se buxheti i viti 2012, para së gjithash e mbi të gjitha, garanton stabilitetin makroekonomik të ekonomisë shqiptare. Ky buxhet, i një vendi jashtë eurozonës, vendos në themel të tij të gjitha kriteret më të shëndosha europiane të parametrave makroekonomikë. Para së gjithash, si takimin e parë të tij, ky buxhet ka përcaktuar takimin me qytetarin shqiptar, ka vendosur në epiqendër qytetarin, familjen shqiptare. Rritja e rrogave dhe pensioneve është edhe qëllimi i parë më madhor i këtij buxheti, pas stabilitetit makroekonomik, i cili është jetik e vendimtar për të gjitha zhvillimet e tjera. Ndaj zhvillimi i dytë madhor është rritja e rrogave e pensioneve. Kjo është një politikë konstante e kësaj qeverie, e paprecendent ndonjëherë në histori, një politikë, e cila që nga viti 2006 deri në vitin 2012, ka bërë që rroga mesatare e shqiptarëve të rritet me 120 për qind, rroga minimale të rritet me 120 për qind, pensionet minimale të rriten me 120 për qind; ka bërë që fatura sociale e kësaj qeverie, për të mbrojtur fytyrën e saj njerëzore, zemrën e saj të dhembshur, të rritet për pensionet nga 480 miliardë në 1040 miliardë; ka bërë që vetëm për barnat të katërfishohet shuma për rimbursimin e tyre dhe të zgjerohet lista, në shkallën më të madhe; ka bërë që mësuesit, infermierët, mjekët të marrin me këtë buxhet, 120 për qind më shumë, sesa merrnin në vitin 2005; ka bërë që pensionistët në fshat, se aty e keni hallin ju, të cilëve, në një mesatare, ju u jepnit 34 dollarë pension, sot, me këtë buxhet, të marrin 80 dollarë dhe po ecim drejt 100 dollarëve; ka bërë që të mos ketë më pension të plotë në qytet nën 120 dollarë; ka bërë që shqiptarët të marrin më shumë se tre vende të Bashkimit Europian, në rroga e pensione; ka bërë që nga sistemi arsimor, sistemi shëndetësor të mos largohet më njeri, por, përkundrazi, të bëjë përpjekje të mëdha për të rritur cilësinë e shërbimeve.

Zotërinj deputetë,

Është dyfishuar gjithashtu ndihma ekonomike. Kanë qenë vitet e rënies më dramatike të varfërisë. Në sajë të politikave të qeverisë, ky vend është vendi i vetëm në rajon, sipas të gjitha institucioneve botërore, që ka jo rritje, por ulje të papunësisë dhe ju u thoni  shqiptarëve se ka 1 milionë të papunë, në një kohë kur shqiptarët kanë krah pune gjithsej 1 milionë e 60-70 mijë qytetarë. Ky është nihilizmi më ekstrem jo ndaj qeverisë, por mundit e djersës së tyre për begati. Por po të rrish gjithë ditën në një orbitë të ngushtë, Parlament-Parti Socialiste-Sheraton-Rogner, sigurisht që nuk shihni asgjë tjetër, përveç kamerierëve që ju shërbejnë. Shkoni një herë, në zonat tuaja dhe shihni si gjallëron, si derdhet djersa, si ecën tregu, si janë hallat e dertet e tyre.

Pra, kemi të bëjmë me një shpërndarje ndër më të mirat dhe Shqipëria ka fatin të ketë indeksin GINI të krahasueshëm me atë të vendeve më të mira dhe unë garantoj qytetarët shqiptarë se, sa të votojnë këtë qeveri, do të bëj gjithçka për të lehtësuar krijimin e të ardhurave, do të bëj gjithçka për ndarjen dhe shpërndarjen më të drejtë e të ndershme të tyre. Është e regjistruar në analet e historisë jo vetëm të Shqipërisë, por të rajonit e botës, momenti kur ju votonit kundër rritjes së rrogave e pensioneve, momenti kur ju deklaronit në mënyrë të pakonceptueshme që kjo është një veprimtari kriminale, momenti kur ju deklaronit se ky është një trillim i madh e falsitet se Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk do të ketë fonde për të paguar rrogat. Të gjitha këto kujtohen. Koha ka memorien e saj, në muret e së cilës shkruhet çdo gjë dhe ju duhet ta dini. Ajo regjistron gjithçka.

Ky buxhet guxon dhe do të rrisë rrogat e pensionet e shqiptarëve, duke e bërë Shqipërinë ndofta vendin e vetëm që këtë vit merr një vendim të tillë dhe ne i qëndrojmë plotësisht këtij vendimi. Ne nuk injorojmë krizën përreth nesh dhe as pasojat e saj, por ne po bëjmë e do të bëjmë gjithçka që, krahas stabilitetit makroekonomik, të ruajmë e të dërgojmë para direkt, çdo muaj, në llogaritë e 800 mijë familjeve shqiptare.

Ky buxhet ka një qëllim tjetër madhor, Shqipërinë dixhitale. Shqipëria në 100 vjetorin e saj do të jetë Shqipëria dixhitale, monumenti më madhështor që ne mund të ndërtojmë në respekt të etërve të pavarësisë dhe sakrificave mbinjerëzore të shqiptarëve për liri e dinjitet. 125 projekte të Shqipërisë dixhitale gjejnë mbështetje të plotë e totale në këtë projekt. Ky është buxheti i 100 vjetorit dhe ka për mision të shënojë ndryshimin  e Shqipërisë. Shqipërinë 100 vjeçare ta paraqesë një nuse të vërtetë para shqiptarëve. Dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme që mund të rinojë më shumë, moshën e këtij vendi, sesa mosha dixhitale. Prandaj ne kemi zgjedhur këtë moshë, për të rinuar Shqipërinë në 100 vjetorin e saj. Ndaj unë nuk e di se si ju mund të votoni kundër tij.

Ky është buxheti i projekteve të mëdha kombëtare, i asfaltimit të mijëra kilometrave rrugë.

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Gjatë këtyre viteve janë ndërtuar, rindërtuar dhe asfaltuar mbi 9 mijë km rrugë. Unë jam këtu për t’ju dhënë fjalën shqiptarëve se me këtë buxhet dhe me atë të vitit të mëpasshëm, në Shqipëri do të asfaltohet çdo rrugë, nga Konispoli në Vermosh, nga perëndimi në lindje, në çdo fshat. Shqiptarët do të kenë infrastrukturën më të re, europiane që meritojnë. Shkoni dhe udhëtoni në zonat tuaja elektorale, jo vetëm me qëllimin për të mbledhur vota, por të shikoni se si po zbulohen potencialet e jashtëzakonshme të Shqipërisë, në të katër anët e vendit. Shkoni një ditë në Gjinar, ngjituni në majën e Çajupit, shkoni në Sarisalltëk, shkoni drejt kanioneve, apo drejt Steblevës, shkoni kudo dhe do të gjeni një vend që nuk e njihni, do të gjeni potenciale të jashtëzakonshme. Shkoni drejt Shishtavecit, udhëtoni drejt Kalasë së Dodës. Juve ju kujtohet para katër vitesh, kur e bëtë Kalanë e Dodës, sikur të ishte prapa Everestit. Shkuat një herë në jetën tuaj dhe na e paraqitët heroizmin e udhëtimit edhe në televizor.  

Këto para do të shkojnë drejt kompletimit të projektit më të rëndësishëm të zhvillimit të këtij vendi, projektit të kompletimit të infrastrukturës moderne, që do t’i bëjë të mundur çdo shqiptari që të vijë në kryeqytetin e vendit, duke kursyer së paku 60 për qind të kohës së tij. Se çdo të bëjë njeriu i lirë me 60 për qind të kohës së kursyer, ajo është çështje e tij. Detyrë  e qeverisë është që të përcaktojë këtë kriter.

Buxheti do të mbështesë fuqishëm projektet e mëdha kombëtare të krijimit të pyjeve me dru frutorë, në këtë vend. Shqipëria ishte një vend i pazhvilluar. Fatkeqësia e saj më e madhe është se erdhi në fund të shekullit që shkoi, me prapambetjen më të thellë në shumë aspekte, me infrastrukturë mesjetare në territore të tëra dhe në tërë vendin, me një infrastrukturë disa here më të prapambetur se të asaj që dikur quhej bota e tretë. Kjo është e vërteta. Shqipëria duhet të zhvillohet, por ka një shans që të zhvillohet në rrugë jeshile, ka një shans që të marrë zhvillimin më të qëndrueshëm, më të shkëlqyer, për këto gjenerata dhe gjeneratat që vijnë dhe ky është zhvillimi jeshil. Këtë, ne e bazojmë para së gjithash, në dashurinë për jetën dhe shëndetin e njerëzve. Ne duam që shqiptarët të kenë jetën më të gjatë, të rrojnë më shumë,  të jenë më të shëndetshëm. Në këtë kontekst, ne duam që të gjitha burimet e tyre, i gjithë zhvillimi i tyre të jenë në funksion të këtij parimi, të kësaj platforme. Ky është vend i bekuar. Kjo është një Norvegji e vogël në Gadishullin e Ballkanit dhe kjo qeveri me ligjet dhe reformat  e saj ka bërë të mundur që të vihet në lëvizje si kurrë më parë, të ndizet një ethe e vërtete në ndërtimin  e HEC-ve, shfrytëzimin  e energjisë së rinovueshme, potencialeve të saj të jashtëzakonshme. Dilni dhe shkoni në rrethet tuaja, që nuk shkoni kurrë. Në Korçë kanë përfunduar tre HEC-e, në Gramsh dhe me radhë, sot janë të përfunduara 18 HEC-e. Kanë ecur thellësisht ndërtimet në 33 HEC-e, kanë filluar ndërtimet në 24 të tjerë.

Qeveria po bën gjithçka për thithjen e i investimeve të huaja. Shqipëria jeshile ka qenë dhe do të mbetet drejtim themelor i buxheteve të këtij vendi. Janë licencuar 1600 megavat energji ere, negociatat më serioze po bëhen për gjotermiken, energjinë solare. Pra, Shqipëria do të jetë një superfuqi e vogël energjetike në rajon. Nuk mund të më thoni kurrë ndonjëherë, që mund të gjeni një ëndërr timen që nuk është bërë realitet. Këtë nuk e thoni dot. Sepse unë shoh ëndrra dite dhe jo nate. Krahas kësaj, Shqipëria duhet të vishet në drurë frutorë. 250 milionë rrënjë arrorë dhe ullinj do të mbillen në këtë vend. Po të pyesni veten, ju thoni se as 15 milionë rrënjë nuk mbillen dhe sigurisht, sepse ju keni një imagjinatë të kufizuar për qëllime politike. Sigurisht që do të mbillen. Sigurisht, po të mos e shëtisni këtë vend, nuk e dini se ku mund të mbillen. Dilni pak jashtë orbitës suaj. Sot, kam kënaqësinë që t’i informoj shqiptarët se fondi i pyllëzimit me dru frutorë do të trefishohet. Kam kënaqësinë t’i informoj shqiptarët se në mbarë vendin është ndezur një pasion i papërmbajtur për të mbjellë dru frutorë dhe e vërteta është se aplikimet janë 4 herë më të mëdha, se sa parashikimet tona. Ky është realitet dhe ky është buxheti që do të mbështesë këto kërkesa. Ju vazhdoni të mohoni, vetëm kur një ditë do të shihni pyjet. Shkoni kudo, në Berat, në shpatet e malit të Sinjës, në komunën e Sinjës të shikoni plantacionet  e mëdha të qershive dhe të ullinjve që po mbillen. Shkoni të shikoni Lunxhërinë. Dilni dhe shihni realitetin se ndoshta ju ndihmon të drejtoni votën.

Zonja dhe zotërinj,

Buxheti  do të mbështesë këto projekte të madhe kombëtare, të cilat po ecin me shpejtësi jashtë çdo parashikimi. Buxheti do të mbështesë fuqishëm, sistemin e shëndetësisë së vendit. Reforma në shëndetësi, mekanizmi i ri financiar, modernizimi i këtij sistemi është një nga qëllimet tona kryesore. Shqipëria, sot, disponon teknologjitë më moderne në shërbim të njeriut. Mjekë të shkëlqyer, të talentuar, të cilët shërbejnë 24 orë në 24 orë. Shëndetësia  në këtë vendi nuk është se nuk ka probleme, por ajo ka arritur dhe disa rezultate të jashtëzakonshme. Për herë të parë, ky është viti i mortalitetit  infantil 1 shifror. E kemi pasur dy shifror, e kemi pasur stratosferik dhe sot e kemi 1 shifror. Shqipëria e ka sot, disa herë më të ulët, mortalitetin maternal, sesa disa nga vendet e zhvilluara. Këto janë të gjitha të bazuara në statistika të institucioneve ndërkombëtare. Shqipëria ka ecur jo një, por dy vite me radhë me mortalitetin maternal në shifrën zero. Sot, e ka 5, por ka vende të zhvilluara që e kanë 40 apo 45 dhe ky është një nder i madh për të gjitha nënat  e reja, në radhë të parë, për të gjitha familjet e tyre, për këtë kujdes shëndetësor që dëshmohet ndaj tyre. Një sistem spitalesh po ndërtohet. Sapo inauguruam spitalin e Urgjencës së kryeqytetit, një ndërtesë e standardeve më të larta, në të gjitha aspektet. Është spitali i urgjencës më modern që unë kam vizituar në jetën time. Është një spital i pajisur me çdo gjë, me gjithçka, i kronometruar në çdo aspekt. Do të bëjmë gjithçka që një spital i tillë të jetë në çdo Qark. Pra, do të investohet në të gjitha aspektet. Lista  e barnave të rimbursueshme është mbidyfishuar. Unë nuk them se nuk ka probleme.

I nderuar deputet, gjatë fjalimit, të lutem mos më drejto pyetje se më kujton gafën historike që bëre me monumentin e 100 vjetorit, dole dhe u the shqiptarëve se monumenti i 100 vjetorit është monumenti i pavarësisë. Monumenti i pavarësisë është monumenti i pavarësisë, monumenti i 100 vjetorit është monumenti i 100 vjetorit të pavarësisë dhe me këtë dëshmove se as vlonjat, as shqiptar tamam nuk je, sepse, në qoftë se do të isha në vendin tënd, si përfaqësues i Vlorës, kërkesa  e parë që do ta kisha është që kryeqyteti të ketë monumentin  e pavarësisë në 100 vjetorin dhe kjo do të bëhet. Ju e kuptonit shumë mirë, por ju erdhi sms-ja, qe të dilni dhe të protestoni, por si mund të protestoni ju, në vend që të falënderoni qeverinë për vendimin që bëri.

Pra, kemi të bëjmë me një përpjekje të madhe për modernizmin e sistemit shëndetësor dhe kjo do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.

Shqipëria është bërë sinonim i turizmit. Bukuritë e saj mahnitëse po bëhen gjithnjë e më shumë të njohura në Europë dhe në botë. E vërteta është që këtë vit, nga agjencitë më prestigjioze të turizmit, ajo u shpall “Miss Bota” për turizmin dhe përsëri për vitin 2012 dëshmohet se ajo kurorë ishte  e merituar. Investimet më të mëdha në historinë  e vendit do të bëhen drejt turizmit të vendit, me këtë buxhet. Do të asfaltohen të gjitha rrugët turistike të vendit, nga Valbona, në kanione, në Çajup, në malet  e Zagorisë dhe kudo. Ne investuam gjatë viteve të shkuara në infrastrukturën turistike bregdetare. Tani ne i jemi rikthyer dhe do ti rikthehemi me forcën më të madhe infrastrukturës turistike të vendeve malore dhe kjo behet kryekëput që këto zona të mund të kenë një perspektivë të re, të begatimit të tyre dhe te jetës së tyre.

Pasi  të përfundojmë sistemin rrugor, nga i cili çdo qytetar të kursejë 60 për qind të kohës për të ardhur në Tiranë, ne besojmë se të gjitha zonat e këtij vendi, në kundërshtim me atë platformë që adaptuat ju, sipas të cilës ka zona që nuk mund të investohet, ne themi se kudo mund të investohet. Rrugët turistike po përparojnë në të gjitha drejtimet e këtij vendi. Po shkohet drejt Valbonës, drejt Vermoshit, drejt Shishtavecit, po ecet drejt parkut të Shebenikut, pra, në të gjitha drejtimet po shpaloset një Shqipëri tjetër, një Shqipëri që ju ofron turistëve shqiptarë dhe botërore një turizëm malor të jashtëzakonshëm, përveç atij bregdetar. Shqipëria është  një Zvicër me det. Le të qeshin dhe të nënqeshin të gjithë ata që nuk e pëlqejnë këtë gjë, por realiteti është se Shqipëria, kur e sheh nga avioni, gjëja  e parë që të sjell ndër mendje është një Zvicër me det. Kur zbret në tokë,  e shikon se duhet një punë  e madhe për ta bërë. Por asnjë komb nuk po derdh më shumë djersë se shqiptarët, për të bërë vendin  e tyre.

Ndaj ne jemi të bindur që mal pas mali, luginë pas lugine, kudo drejt Alpeve, drejt vargmaleve të Shqipërisë Verilindore, Shqipërisë Juglindore, Shqipërisë Qendrore të ecim me të gjithë infrastrukturën e duhur dhe ne po ecim. Ky është zhvillimi i këtij vendi, zhvillimi i qëndrueshëm dhe unë habitem se si ju nuk e votoni këtë buxhet.

Buxheti mbështet forcat  e rendit dhe forcat ushtarake të vendit, për të përmbushur me dinjitet të gjitha detyrimet që kanë ato brenda dhe jashtë vendit. Ky buxhet e bën jetën e qyteteve shqiptare më të sigurt se kurrë. Ky buxhet u bën të mundur forcave tona të armatosura të bazuara në reformën e thellë të përmbushin me sukses të gjitha misionet  e tyre brenda dhe jashtë vendit.

Pra, siç e shihni ka shpërndarjen më të mirë të mundshme dhe unë prisja që ju të kontribuoni në këtë shpërndarje, por ju këtë, nuk  e bëni sepse ju keni votuar kundër ngritjes së rrogave, nuk  e bëni se ju keni votuar kundër infrastrukturës, nuk  e bëni dot sepse po ta mbushësh me fjalë këtë sallë të madhe, duhen 10 të tilla, vetëm për ato që keni thënë kundër rrugës së kombit për ta nxirë në një kohë që ajo shkëlqen çdo ditë  e më shumë. Nuk e bëni sepse ju ratë në sindromën  e tuneli të Elbasanit. Po këtë vit që do të fillojë dhe tuneli i Qaf Murrizit çdo të bëhet? Unë ju them se do të bëhet zotërinj edhe tuneli i Qaf Murrëzit, edhe rruga nga Ura  e Klosit në Murrakë dhe në Rrëshen dhe të gjitha rrugët e tjera.

Ti, që 8 vjet nuk shtrove një kilometër rrugë në vendin tënd, 8 vjet në luginën  e Matit vetëm u shkatërruan rrugët, nuk janë shtruar asnjë metër linear rrugë. Shko tani në Mat dhe shiko rrugët që po ndërtohen. E di ç’ndodh? Ish deputeti i Mallakastrës, i cili shkon vetëm natën tani, se ditën nuk e pranojnë, u thotë qytetarëve të Cakranit se rrugën e ka bërë Berisha për qëllime elektorale, sepse po të donte ai ju nxirrte në autostradë me 2 kilometra. I them këtu se dhe ajo autostradë do të ndërtohet, por edhe rruga Fier - Cakran do të ndërtohej patjetër sepse kudo ka banorë dhe se rrugët e vjetra ne nuk i braktisim. Kjo është politika jonë. Rrugët  e reja do t’i ndërtojmë, rrugët  e vjetra do t’i rindërtojmë.

Zotërinj deputet,

Ky është buxheti, në vija të përgjithshme. Gjatë ditës mirëpres vërejtjet dhe sugjerimet tuaja. Ju njoftoj se jam i hapur dhe kabineti gjithashtu për të gjitha sugjerimet që mendoni se nuk janë për qëllime partiake, por qytetare, dhe keni një shans që buxhetin  e 100 vjetorit të pavarësisë ta bëjmë gjithashtu buxhetin më të mirë të historisë së vendit.

Ju faleminderit.


25/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›