Kryeministri Berisha merr pjesë në inaugurimin e qendrës tregtare dhe argëtuese Tirana East Gate, një investim me vlerë 104 milionë euro
Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në ceremoninë e inaugurimit të qendrës tregtare dhe argëtuese Tirana East Gate (TEG), një investim i Balfin Group dhe Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve, me vlerë 104 milionë euro në total, ku rreth 50 milionë euro janë investim i vetë bizneseve dhe 54 milionë euro janë investim i qendrës. Qendra, me sipërfaqe 90.000 mijë metër katrorë, do të punësojë 2000 punonjës direkt dhe 2000 punonjës indirekt.
Në përshëndetjen e tij, Kryeministri Berisha u shpreh se inaugurimi i kësaj qendre shënon ngjarjen më të madhe në historinë e tregut të Shqipërisë.
Duke shprehur mirënjohje për të gjitha firmat që kanë zgjedhur të jenë prezent me dyqanet e tyre në këtë qendër, Kryeministri Berisha i garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, brenda ligjeve të vendit, që besimi i tyre të shndërrohet në një sukses të vërtetë për ata dhe për Shqipërinë.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:
Zoti Mane,
Zonja Mane,
Shkëlqesi ambasadorë,
Zoti kryetar i Bashkisë,
Përfaqësues të Fondit të Shqiptaro- Amerikan të Ndërmarrjeve,
Të dashur qytetare dhe qytetarë, të pranishëm sot në ngjarjen më të madhe në historinë e tregut të Shqipërisë në të gjitha kohërat, inaugurimin e kësaj qendre madhështore dhe të mrekullueshme, e cila është, do të thosha, dhe dhurata më e bukur që grupi Balfin dhe Fondi Shqiptaro - Amerikan i Ndërmarrjeve i bëri Shqipërisë në prag të 100 vjetorit të saj. Tirana East Gate është qendra më e bukur, më e madhe, më e rëndësishme tregtare e vendit dhe, ndoshta, ndër më të bukurat në rajon dhe më gjerë. Zamir, një ditë një miku im më thoshe se “e vizitova qendrën dhe se gjatë gjithë vizitës time atje mendoja se mund të gjendesha në Paris, Nju Jork, Londër dhe çdo kryeqytet të botës". Mikut tim i sugjerova – “vizitoje edhe njëherë dhe mendo se kjo është Shqipëria”. E vërteta është se kjo është Shqipëria. Ky është një investim shqiptar i Balfin grup dhe mikut, ndër më të shquarit të kombit shqiptar, Presidentit të Fondit Shqiptaro – Amerikan të Zhvillimit, zotit Michael Granoff.
Ky është një ndërtim në një kohë rekord. Tetëmbëdhjetë muaj më parë kemi inauguruar fillimin e punimeve të kësaj qendre. Në hapësirat e tij është vendosur Carrefour, flamuri tregtar numër një i Evropës dhe ka ardhur këtu nën flamurin shqiptar. Flamuj të tjerë të tregut janë në këtë qendër, gjë e cila dëshmon një besim të jashtëzakonshëm të këtyre kompanive, në radhë të parë te partneri i tyre Zamir Mane, por edhe tek Shqipëria. Duke u shprehur atyre mirënjohjen më të thellë për zgjedhjen që kanë bërë, dua t’i garantoj se qeveria do të bëjë gjithçka, brenda ligjeve të vendit, që besimi i tyre të shndërrohet në një sukses të vërtetë për ata dhe për Shqipërinë.
Zoti kryetar i Bashkisë, duhet të ndjehesh shumë i lumtur sot. Dy mijë qytetarë nisin punën në këtë qendër dhe dy mijë të tjerë indirekt marrin rrogat për veprimtari të kësaj qendre. Tirana East Gatë është investimi më i madh në historinë e tregut në Shqipëri, investim prej 104 milionë euro. Rreth 50 milionë euro janë investim i vetë bizneseve, ndërsa 54 milionë euro janë investim i qendrës. Parafolësit, me të drejtë, theksuan se kjo qendër është vazhdim i sukseseve të Zamir Manes në fushën e tij. I ka themelet në QTU, në qendrën tregtare që u shndërrua më shpejtësi në historinë më të madhe të suksesit të tregut në Shqipëri. I ka rrënjët në persistimin e Zamit Manes. Og Mandino në veprën e tij të famshme “The Greatest Salesman” jep një mesazh për njeriun – “ata që persistojnë realizojnë, ia dalin”.
Ndaj dua ta mbyll fjalën time duke falënderuar me shumë mirënjohje grupin Balfin, Fondin Shqiptaro- Amerikan të Ndërmarrjeve, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij investimi të mrekullueshëm, të kësaj qendre që bën krenar çdo shqiptar, të kësaj qendre që i jep tregun në Tiranë dhe në Shqipëri një dimension që kurrë nuk e ka patur më parë.
Urime!”
25/11/2011