Fjala e Kryeministrit Berisha në seancën plenare të Parlamentit, gjatë diskutimeve për ligjin e Menaxhimit e integruar të Mbetjeve Urbane
“Zonja Kryetare e Parlamentit,
Zonja deputete dhe zotërinj deputetë,
Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Sot, kjo ditë shënon de facto themelimin në këtë sallë të ”Partisë së Plehut”. Pasi u themelua “Aleanca e Plehut”, shpërtheu epidemia; “o burra të gjejmë vota në plehra” dhe po rrëmohet, po kërkohet, po bëhet gjithçka që në plehra të mbijnë particka.
Zonja e zotërinj,
Ligji i cili është miratuar në këtë Parlament, është ligji i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike. Thelbi dhe qëllimi i tij është mbrojtja e këtij vendi nga mbetjet toksike. Por le t’i shohim gjërat jashtë bursës së shpifjeve dhe sharjeve, në të cilën sa më shumë të shpifësh e të shash aq më lart ngjitesh në shtyllën e turpit. Le të shohim pak jashtë saj. Çfarë është ky ligj? Ky është ligji që i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të Parlamentit, të gjitha plehrat toksike. Ky është ligji që i imponon qeverisë që mbetjet jotoksike të lejohen të importohen, jo siç ndodh deri tani, jo siç u vendos në 2003-shin kur këta zotërinj ishin në pushtet, këta që i kanë varur shpresat tek “Partia e Plehut” për të ardhur në pushtet dhe që nuk do ta shohin pushtetin të paktën dhe për 20 vjet ne këtë mënyrë. Nuk vihet kështu në pushtet, nuk është kjo rruga e pushtetit.
Ja ku e keni listën. Sipas kësaj liste, në Shqipëri duhet të hyjnë 400 mbetje, ndërsa ky parlament dhe kjo qeveri ka vendosur që në Shqipëri mund të hyjnë gjithsej 50 mbetje, prej tyre, asnjëra toksike dhe secila prej tyre do të hyjë sipas kushteve që do të përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Përse duhet ky ligj? Duhet sepse ky parlament ka ratifikuar një marrëveshje me BE-ne. Ndërkohë që birbilenjtë u frynin trumpetave dhe borive, bilbilave këtu, ne firmosnim Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe kjo Marrëveshje, në nenin 70 dhe 108, për mjedisin dhe përafrimin e legjislacionit, i imponon Shqipërisë të lejojë qarkullimin e lirë të plehrave jo toksike.
Të dashur qytetarë,
Cili është raporti i Shqipërisë me hapësirën evropiane? Ju duhet ta dini, të dashur qytetarë, se Shqipëria eksporton mbetje të saj nga kjo listë, në vit, 96 mijë e 900 ton. Ja ku është lista. Shqipëria eksporton mbetje të saj, pra mbetje të prodhimit, mbetje të tjera, në vendet e Bashkimit Evropian dhe vende të tjera. Meqenëse kanë dhuntinë të mashtrojnë më lehtë se sa pinë një kafe, më lejoni t’ju informoj atëherë se; nga këto mbetje; mbetje plastike janë 37 tonë, mbetje alumini, mbetje zinku, mbetje plumbi, mbetje magneziumi, mbetje tekstili, mbetje druri. Të gjitha këto mbetje, për shkak të kësaj marrëveshjeje që kemi firmosur me BE-në, Evropa i pranon nga Shqipëria.
Unë them se këta që përpiqen të mbijnë partinë mbi plehrat, këta janë të pashpresë, sepse kryetari i tyre, duke e parë se e ka të pamundur të fitojë, pasi kalon nga disfata në disfatë, ka vendosur me çdo kusht të urdhërojë të krijohet parti dhe të varet prej tij. Një ditë thirri Filip Çakulin dhe i tha; “ose Fix Fare parti, ose do sikterisesh”. Çakuli i thotë: zotëri, a nuk nxore mësim nga 99-shi ti që do të më bësh mua parti?”. Është ekzaktësisht kështu si ju them unë, nëse doni ju sjell dokumentin. Pastaj ai gjeti faqezinjtë dhe u tha; ”dilni kundër regjistrimit o faqezinj, sepse përndryshe ju dolën pasuritë”. Dhe faqezinjtë rendën poshtë e përpjetë “Eureka”, për të shpëtuar pasuritë e fshehura dhe u thanë shqiptarëve mos u regjistroni se ky regjistrim është në përputhje me modelet antishqiptare e antikombëtare. Shqiptarët u treguan atyre “Partinë e Plehut”, hyni në “Partinë e Plehut”se rrugë tjetër nuk keni.
Sa serioze është kjo që bëni kur i dini të gjitha këto, sepse absolutisht ajo zonja që ju keni propozuar për Anëtare të Bordit të Bankës së Shqipërisë, ajo i njeh në mënyrën më të detajuar të gjitha detyrimet e këtij vendi. I njohin dhe ca të tjerë, që me OJF-të e tyre për integrimin janë bërë të pasur. Se për të folur për integrimin dhe për të marrë para për projekte integrimi jeni të vetmit, por për të punuar për të bllokuar integrimin, jeni të parët.
Qytetarë të dashur,
Këta ju flasin për toksina, por a e dini ju sesa toksina hyjnë në Shqipëri?. Në Shqipëri futen njëmijë lëndë toksike, ato janë ilaçe, ato janë fertilizantë, ato janë insekticide, ato janë të gjithëllojshëm, ato janë futur edhe më përpara, ato janë futur që kur është krijuar shteti shqiptarë dhe deri më sot. Por kanë kushtet e kontrollit të tyre. Atëherë, sipas kësaj logjike primitive, ne duhet ta përjashtojmë çdo lloj importi toksik. Por a ka më toksike dhe të rrezikshme sesa helmet e arsenikut, apo helmet e zhivës dhe helme të tjera? Nuk ka gjëra më toksike se ato. Por megjithatë, unë ju garantoj se ato futen me destinacionin e caktuar dhe kontrollohen, po nga ato laboratorë, që ju thoni se ne nuk i kemi. Por ne i kemi laboratorët more zotërinj, ne i kontrollojmë ato. Duhet t’i ndalojmë ato tani, se doni ju të krijoni “Partinë e Plehut”? Jo! Absolutisht jo.
Mendoni ju se do i gënjeni shqiptarët. Kanë ikur ato kohëra kur u thoshin se po erdhi treni ekspres do ndodhë hataja dhe dilnin një grusht “bashibozukësh” dhe e kthenin trenin prapa. Por “trenin e Evropës” nuk do të mund ta ndalë kush më në këtë vend dhe ky është procesi i integrimit.
Pra, cila paska pasur interesa, ajo që lejonte 320 lloje apo kjo që lejon 50 lloje mbetjesh?. Ju thoni të mos lejojmë asnjë se doni të krijoni “Partinë e Plehut”. Ky është një vend i lirë dhe ju mund të krijoni 35 parti - dhe mos u dëshpëroni përse ju refuzoi Filipi.
Vazhdoni krijimin e partive se kështu do të vini në pushtet ju, pa alternativë, sepse alternativë ju nuk formuloni dot. Ka ikur koha e mashtrimit, që kur dilni dhe ju thoni shqiptarëve se kjo është “Republika e të papunëve”, në një kohë kur në këtë Republikë janë 1 milionë e 70 mijë krahë pune, sipas statistikës botërore dhe të gjithanshme, që kur ju u thoni shqiptarëve se mund të krijojmë 300 mijë vende pune në një vit. Zotërinj, ju mendoni se janë “hunj të kuq” shqiptarët? Jo, të jeni të sigurt, që ata ju japin ujë në bërryl ju.
Ju keni vetinë që krijoni një realitet që nuk ekziston dhe pastaj t’i besoni këtij realiteti, sepse kryetari juaj, hyn në shtrat Edi Rama dhe zgjohet Angela Merkel, zgjohet Nikola Sarkozi, zgjohet Barak Obama. Zotërinj, a e kuptoni ju se jetoni në një situatë të pa precedent për sa i përket realitetit? Ju këtë realitet doni ta sillni në parlament. Nëse atij i duket vetja njëherë Angela Merkel, njëherë Nikola Sarkozi, njëherë Barak Obama, njëherë David Cameron, ndërkohë që fjalimet ia kopjon Ed Miliband-it , se aty i merr i kopjon dhe vjen e na i lexon.
Kjo rrugë po ju mban jashtë pushtetit. Si ka mundësi që një parti e madhe, që keni firmosur këtë ligj për integrimin, ngriheni tani e bëni inversin, sepse konceptoni një realitet sikundër nuk është. Ju absolutisht vetëm sa na ndihmoni me këtë, sepse sapo nisi debati për këtë, zëdhënësit tuaj në Parlament nisën të flasin për votat. Thatë: “na dështoi Fiksi me Çakulin, tani të kalojmë te plehu sepse na duhet një alternativë. Por nuk është kjo alternativa për të ardhur në pushtet, sepse ju jeni parti e madhe dhe vini në pushtet me një alternativë. Ju keni bërë një zgjedhje, bllokimin e vendit, bllokimin e procesit të integrimit, bllokimin e ligjeve me 3/5. Ju e morët një mësim, por nuk doni të nxirrni mësim, vazhdoni kështu, 2013 po vjen dhe ju garantoj se do të dilni minus 300 mijë vota, në raport me këtë koalicion”.
03/11/2011