Kryeministri Berisha përshëndet konferencën “Ujë dhe kanalizime për qytetarët: Përgjigje ndaj zhvillimit urban”

- Qeveria do të mbështesë fuqishëm politikat më të mira në drejtim të menaxhimit, administrimit, trajtimit të ujërave mbi parimet më të drejta ekonomike
Kryeministri Berisha përshëndeti sot pasdite, konferencën me temë “Ujë dhe kanalizime për qytetarët: Përgjigje ndaj zhvillimit urban”, organizuar nga Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë, në kuadrin e javës kombëtare të ujit.
Së bashku me kryeministrin Berisha në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës, Ministri i Mjedisit,Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, zoti Fatmir Mejdiu, Kryetari i Shoqatës së Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë, zoti Sahit Dollapi, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare që kanë mbështetur dhe ndihmuar në sektorin e ujësjellës,kanalizimeve,etj.
Pjesëmarrës në këtë konferencë ishin gjithashtu edhe Grupi Shqiptar i profesionistëve të rinj të Ujit, i përbërë nga profesionistë të rinj të sektorit të ujësjellës kanalizimeve, si dhe nxënës dhe fëmijë, anëtarë të programit sensibilizues “Miq të ujit”.
Duke marrë fjalën, kryeministri Berisha përgëzoi organizatorët e konferencës, veçanërisht të rinjtë dhe fëmijët “Miqtë e ujit”, për misionin e tyre të rëndësishëm në drejtim të krijimit të një qëndrimi të ri të shoqërisë ndaj ujit dhe përdorimit të tij, si dhe ndaj mjedisit në tërësi, duke e vlerësuar këtë si një kontribut ndaj jetës, shëndetit dhe zhvillimit. Në këtë kontekst, kryeministri siguroi se qeveria ka dhe do të ketë problemin e ujit dhe menaxhimit të tij, një ndër përparësitë madhore të saj.
Kryeministri Berisha falenderoi me mirënjohje qeveritë e një sërë vendeve mike, si dhe shumë institucione ndërkombëtare, të cilat kanë kontribuar gjatë këtyre viteve në zbatimin e projekteve të rëndësishme për furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri shprehu angazhimin e qeverisë për të punuar me vendosmëri në drejtim të një menaxhimi sa më të mirë të potencialit të madh ujor që zotëron vendi. “Ne do të punojmë me vendosmëri në këtë fushë, do të bëjmë gjithçka për një menaxhim të merituar të potencialit të madh ujor që ne kemi, do të bëjmë gjithçka që në liqenet dhe në detrat tona të mos derdhet as edhe nje litër ujë i papastruar.” theksoi kryeministri.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha, ndër të tjera u shpreh:
Së pari, dëshiroj tu përshëndes shumë përzemërsisht ju, vullnetarëve të vlerave dhe të përdorimit të ujit, tu përgëzoj për misionin që keni marrë jashtëzakonisht të rëndësishëm për këtë vend dhe për këtë shoqëri dhe tu siguroj se mbështet me admirim të madh nismën tuaj të mrekullueshme, për të cilën shoqëria shqiptare ka nevojë të madhe, ka nevojë për një ndryshim thelbësor ndaj kësaj pasurie shumë të madhe, ka nevojë për një ndryshim të gjithanshëm dhe uroj e dëshiroj që kjo nismë e juaja të përqafohet në drejtime të tjera, po kaq të rëndësishme nga bashkëmoshatarët tuaj dhe ju, në mënyrë që të kontribuoni për një qëndrim tjetër ndaj ujit, ndaj mjedisit dhe ndaj një seri çështjesh të rëndësisë shumë të madhe, për jetën, shëndetin dhe zhvillimin tonë.
Unë dua të përgëzoj organizatorët e kësaj konference dhe ti siguroj se qeveria ka dhe do të ketë problemin e ujit, ekonominë ujore, një ndër përparësitë më madhore te saj.
Këto vite janë bërë përpjekje serioze për një përballje të re në problemin kompleks të ujërave. Në këtë rast unë dua të shpreh mirënjohjen më të thellë, qeverisë gjermane, Bankës Gjermane të Zhvillimit, për një ndihmë jashtëzakonisht të rëndësishme që kanë dhënë gjatë këtyre 20 viteve, në fushën e ujit, furnizimit me ujë, dhe trajtimin e ujërave e të zeza, të falënderoj Komisionin Evropian, qeverinë holandeze, qeverinë italiane, qeverinë e Luksemburgut, qeveritë e vendeve mike, të cilat me bujari të madhe kanë mbështetur projekte për furnizimin me ujë të qytetarëve shqiptarë, qeverinë austriake për rolin e saj dhe mbështetjen e saj shumë të fuqishme veçanërisht në Shkodër, por edhe në zona të tjera.
Pra, janë donator të shumtë, si Banka Botërore, të cilët kanë bërë mundur që së bashku me angazhimin e buxhetit të shtetit, sot 98 % e familjeve shqiptare marrin ujë të rrjedhësh, natyrisht jo 24 orë ashtu siç duhet ta marrin, por 2 % nuk e marrin atë dhe në përqindje janë pak, por në shkallë vendi janë shumë. Prandaj dua ti garantoj këta qytetarë shqiptarë se qeveria do të bëjë gjithçka për të garantuar ujë të rrjedhshëm në çdo familje shqiptare, për të garantuar ujë 24 orë në të gjitha familjet shqiptare.
Kemi tashmë një strategji të qartë për të cilën gjej rastin të falënderoj qeverinë franceze, ambasadën franceze për përgjigjen e shpejtë dhe ndihmën imediate që ju dhanë institucioneve tona, në zbatimin e saj. Ne do të punojmë me vendosmëri në këtë fushë, do të bëjmë gjithçka për një menaxhim të merituar të potencialit të madh ujor që ne kemi, do të bëjmë gjithçka që liqenet dhe në detrat tona të mos derdhet as edhe një litër ujë i papastruar. Në këtë kontekst janë mbi 350 milion euro investime në vazhdim. Në të gjitha qytetet e ultësirës bregdetare po ndërtohen impiantet e përpunimit të ujërave të zeza. Dua tu rikujtoj këtu se impianti i parë i përpunimit të ujërave të zeza në vendin tonë u inaugurua në dhjetor të vitit 2005, investim i qeverisë gjermane. I dyti u inaugurua në Pogradec dhe sot janë 14 të tjera që po ndërtohen në të gjitha zonën e ultësirës bregdetare dhe së shpejti detrat dhe liqenet e Shqipërisë do të jenë më të pastrit e rajonit dhe më gjerë.
Dua edhe njëherë të rikthehem tek vullnetarizmi juaj. Është një akt fisnik që keni ndërmarrë, për të cilin ne kemi shumë nevojë. Ne sot kemi një realitet që vetë e krijojmë, një realitet që ndryshon me shpejtësi, por e vërteta është se shpeshherë, ky realitet ndryshon shumë më shpejt se ne vetë, ndaj dhe puna edukuese e juaja, e nxënësve me të gjithë grupmoshat e tjera jam i bindur se do të ketë rezultate të ndjeshme.
Ne kemi nevojë të madhe të krijojmë një qëndrim të ri ndaj ujit, ndaj mjedisit, me të cilin sërish kemi probleme. Nuk ka peizazhe më të bukura se peizazhet e këtij vendi. Ju garantoj unë ju se janë të pakrahasueshme, por nuk i shëmton asgjë më shumë ato, se sa plehrat, të themi të vërtetën qëndrimi ynë ndaj plehrave. Ndaj dhe unë ju ftoj ju të dashur nxënëse dhe nxënës të kontribuoni për një qëndrim të ri, në shkallë kombëtare, për një qëndrim të ri të shoqërisë shqiptare ndaj këtij problem themelor, ndaj këtij problem shumë të rëndësishëm.
Shqipëria ka të gjitha potencialet, të gjitha mundësitë të shndërrohet ndofta në më të parat vende, me një zhvillim të qëndrueshëm të bazuar plotësisht në një Shqipëri jeshile, në një Shqipëri, e cila të ketë mjediset më të pastra, më të zhvilluara, më të shëndetshme. Potencialet e saj të energjisë së rinovueshme i japin mundësi të madhe këtij vendi të mbajë në nivelet më të ulta emetimin e dioksidit të karbonit. I japin mundësi Shqipërisë të zhvillohet në vendin e parë prodhues dhe eksportues të energjisë së rinovueshme. Një projekt tjetër i madh me një vlerë te jashtëzakonshme është dhe projekti i krijimit në këtë vend i pyjeve me dru frutorë .
Ndaj dhe unë ju ftoj ju nxënës dhe nxënëse të Tiranës dhe të mbarë Shqipëri ta konsideroni, të merrni nisma për të mbjelle nga një pemë ulli, arrë, mollë, lajthi, ta vizitoni atë herë pas here, ta provoni se ç’kënaqësi të madhe do të ndjeni në rritjen dhe frutat që ajo do të prodhojë, por në tërësi ne do të realizojmë së bashku një projekt të madh, shndërrimin e Shqipërisë në një kopsht më të madhin në Evropë.
Edhe një here ju përgëzoj për nismën, falenderoj organizatorët dhe ju siguroj se qeveria do të mbështesë fuqishëm politikat më të mira në drejtim të menaxhimit, administrimit, trajtimit të ujërave mbi parimet më të drejta ekonomike.
01/11/2011