E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takon Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA),zotin Troel Froling

Kryeministri Berisha priti në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut (ATA), zotin Troel Froling. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me shoqatën e Traktatit të Atlantikut gjatë gjithë kësaj periudhe dhe kontributin e rëndësishëm të saj në mbështetjen dhe promovimin e vlerave, për të cilat është krijuar dhe mbron NATO.

Zoti Froling e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohte dhe miqësore dhe në mënyrë të veçantë shprehu mirënjohjen më të thellë te tij  dhe të Shoqatës të Traktatit të Atlantikut, si dhe të gjitha shoqatave atlantike në vendet anëtare të NATO-s dhe ato aspirante, për mbështetjen  që qeveria shqiptare i ka dëshmuar Shoqatës së Atlantikut të Veriut, dëshmi e qartë e së cilës është edhe mbajtja për herë të parë në Shqipëri e sesionit të 57-të, të Asamblesë së Përgjithshme të ATA.

Zoti Froling shfrytëzoi rastin për ti përcjellë kryeministri Berisha përshëndetjet më  të ngrohta dhe miqësore të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s dhe njëkohësisht President i Asamblesë së Përgjithshme të ATA, zotit Karl Lamers.

Më tej, në takim u diskutua edhe mbi zhvillimet  e fundit për sa i përket reformës së rëndësishme që NATO, Aleanca më e suksesshme politike ushtarake e kohërave, po realizon për shndërrimin dhe transformimin e saj, për t’iu përgjigjur me efikasitetin që sfidat e shekullit të ri kërkojnë. Në këtë kontekst u vlerësua lart kontributi i jashtëzakonshëm i NATO-s, në Libi, që bëri të mundur parandalimin e planeve çnjerëzore të Gadafit,  për eleminimin e mijëra dhe mijëra të pafajshmëve në këtë vend, gjatë lëvizjes  së popullit libian për çlirimin nga regjimi diktatorial i Gadafit. Falë këtij kontributi, qytetarët libianë janë çliruar tashmë nga vargonjtë e robërisë dhe po shohin përpara drejt ndërtimit të lirisë ne vendin e tyre.

Zoti Froling vlerësoi edhe shndërrimin  e rëndësishëm që ka pësuar Shqipëria gjatë këtyre viteve që bëri të mundur anëtarësimin e saj në NATO , duke e kthyer Shqipërinë në një shembull të rëndësishëm për shumë vende të tjera që po punojnë për realizmin e ëndrrës euroatlantike.


02/11/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›