E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në takimin e djeshëm të CDI-së, në Romë

“I dashur President, ju falenderoj për këtë organizim të shkëlqyer të takimit të CDI-së.
 
Unë e mbështes plotësisht dokumentin që ju prezantuat këtu dhe kërkoj mirëkuptimin tuaj të shikoni mundësinë  e përfshirjes së një pjesë për paketën e Ahtisarit lidhur me statusin final të Kosovës.
 
Kosova është çështje sigurie, është një çështje  kritike për gadishullin e Ballkanit, një gadishull i cili doli nga një e kaluar e tmerrshme. 
 
Për ata që e njohin rajonin, kriza më e vështirë e Ballkanit mbetet çështja e Kosovës.
 
Bashkimi Europian dy vjet më parë shpalli tri parime, të cilat janë thelbësore për zgjidhjen e çështjes së Kosovës; mosbashkim me vendet fqinje të tjera,  jo kthim prapa dhe respektim të kufijve ndërkombëtarë.
 
Ish-presidenti finlandez Ahtisaari i bazuar në këto principe hartoi një projekt që ishte projekti më i mirë i mundshëm për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje.
 
Por,  pavarësisht këtij vullneti, fatkeqësisht Beogradi është ende jo realist në qëndrimet e tij. Përdorimi i forcës dhe dhunës në aspekte të tjera të këtij qëndrimi është i njëjtë me atë që kishte 15 vite më parë.
 
Rusia vështirësoi qëndrimin e saj jo më shumë për arsyet e Serbisë, por për arsyet e saj imperialiste dhe për të inkurajuar sa më shumë që të jetë e mundur ndarjen e Europës mbi këtë çështje.
 
Unë besoj se mbështetja e projektit të Ahtisaarit është qëndrimi më i mirë në shërbim të paqes , stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Edhe puna e Trojkës Europiane është bazuar në këtë projekt. 20 ditët e fundit që konsiderohen si tejet të rëndësishme sollën disa rezultate.  Përfaqësuesit e Kosovës paraqitën një traktat të ri për Beogradin për bashkëpunim pajtim dhe miqësi një traktat që buron nga shembulli më I mirë I historisë europiane, ndonëse Beogradi ende është jobashkëpunues.
 
Mendoj se në dokumentin shumë të rëndësishëm që do të nënshkruajmë në përfundim të këtij takimi duhet theksuar se paketa e Ahtisarit meriton të mbështetet si zgjidhja e vetme e çështjes thelbësore së Kosovës.”

 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›