Kreu i partisë opozitare italiane “Forza Italia” do të vizitojë Shqipërinë me ftesë të Kryeministrit Berisha
Kryeministri Berisha në vazhdim të vizitës së tij në Romë zhvilloi një takim dhe me ish Kryeministrin Italian, njëkohësisht President i “Forza Italia”-s, Silvio Berluskoni.
Ish Kryeministri Berluskoni pasi u njoh me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, shprehu mbështetjen e plotë për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht në përmbushjen e aspiratës së saj për integrimin në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Italia ka dhënë për Shqipërinë, dhe u shpreh për forcim të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi.
Ndërsa e cilësoi Silvio Berluskoni si një mik të madh të kombit tonë dhe të të gjithë shqiptarëve, Kryeministri Berisha e ftoi Atë për të vizituar Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me kënaqësi nga kreu i “Forza Italia”-s.
“Sapo mora një ftesë nga kryeministri Berisha dhe e pranova me shumë kënaqësi. Jam shumë i kënaqur që do të vizitoj Shqipërinë”, u shpreh Berluskoni.