Kryeministri Berisha merr mbështetjen e liderëve të qendrës së djathtë për planin Ahtisari si zgjidhje për çështjen e Kosovës
Kryeministri Berisha ndodhet sot në Romë ku mori pjesë në hapjen e punimeve të mbledhjes së Partive të Qendrës së Djathtë, e cila u zhvillua me pjesëmarrjen e shumë liderëve demokristianë dhe të partive të djathta nga e gjithë bota.
Në këtë aktivitet, i cili u drejtua presidenti i Internacionales së Partive të Qendrës së Djathtë Piero Ferdinando Cazini merrnin pjesë gjithashtu ish kryeministri sllovak dhe njëkohësisht zëvendëspresidenti i Internacionales së Partive të Qendrës së Djathtë Mikulas Dzurinda, presidenti I Meksikës Calderon, ish presidenti i Kolumbisë, Ministri i Drejtësisë së Italisë Clemente Mastella, ish ministri i qeverisë Berluskoni, Roco Butiglione etj.
Në këtë aktivitet Kryeministri Berisha shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit zonja Topalli.
Duke falënderuar organizatorët për punën e mirë, Kryeministri Berisha në fjalën e tij përshëndetëse iu drejtua të ftuarve me propozimin për përkrahjen nga ana e delegatëve të partive të qendrës së djathtë të planit Ahtisari për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, si zgjidhja e vetme e favorshme për statusin.
Kryeministri u shpreh se zgjatja në kohë e miratimit të statusit nuk është aspak e favorshme për situatën në Ballkan dhe për rajonin në tërësi. Propozimi i Kryeministrit Berisha u përkrah nga të pranishmit, nga kryetarë dhe ish kryetarë shtetesh.
Sot pasdite kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë përpara delegatëve të internacionales në të cilën do të flasë për zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe rajon.
Më pas, kryeministri Berisha do të marrë pjesë në një pritje të organizuar në pallatin Quirinale nga presidenti i Republikës së Italisë Giorgio Napolitano.