E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Bajram Curri

Të dashur banorë të qytetit të Bajram Currit dhe të të gjithë Tropojës, miq, vëllezërit e mi, motrat e mia, përshëndetjet më të përzemërta, më vëllazërore, nderimi tim më të madh për ju, krenarinë time me secilin prej jush, me Tropojën, me vlerat e virtytet tuaja, mirënjohjen për mbështetjen e pakufishme,  urimin më të përzemërt për fitoren e madhe të 23 qershorit.

Tropojane e tropojanë, vëllezër e motra,

vitet fundit, ne sëbashku, me mundin, djersën, sakrificën tuaj, kemi ndryshuar Tropojën, kemi ndryshuar Shqipërinë. Me lumenj djerse, përkushtim të madh, Tropoja dhe Shqipëria kanë sot një pamje krejtësisht tjetër, kanë shpresë e besim tek e ardhmja. Së bashku kemi bërë gjithçka që pasuritë e Tropojës, pasuritë e Shqipërisë të shndërrohen në të mira për ju, në mirësi për ju, në rroga dhe në mirëqenie për ju.

Këto vite janë asfaltuar rrugë në të katër anët e rrethit të Tropojës, janë ndërtuar e rindërtuar shumica e të gjitha shkollave të këtij rrethi, vajzat e djemtë tuaj nuk përjashtohen si para disa viteve, nga  e drejta e tyte për të ndjekur universitetin, por i kanë dyert e hapura, sëbashku me të rinjtë e të rejat e tjerë shqiptare.

Këto vite, ne kemi dyfishuar pensionet në fshatrat e Tropojës dhe Shqipërisë, kemi rritur me 120-140 përqind rrogat e arsimtarëve, mjekëve e infermierëve, kemi rritur fuqinë blerëse, kemi rritur mirëqenien në mbarë Shqipërinë.

Vitet e fundit, Tropoja dhe Shqipëria njohën zhvillimet më të mëdha historike, u anëtarësuam sëbashku në NATO, firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, lëvizim të lirë, pa viza, në mbarë Europën, do të marrim së shpejti statusin e vendit kandidat e qindra milionë euro investime do të vijnë pas kësaj.

Kjo është alternativa jonë, e cila bazohet në një përpjekje të madhe, të përbashkët, për të plotësuar interesat tuaja më të mira, për t’ju krijuar më shumë mundësi, për të hapur më shumë vende pune, për rroga më të larta, për të ndërtuar infrastrukturë moderne në katër anët e vendit, për t’i dhënë fshatrave të Tropojës infrastrukturën e lagjeve të qyteteve më të zhvilluara të vendit.

Unë sot jam këtu, për t’ju drejtuar një thirrje vëllazërore të gjithë socialistëve të Tropojës e të mbarë Shqipërisë: bashkohuni me ne, bashkohuni me projektin tonë. Juve ju bashkon me ne, përpjekja për të ndërtuar një infrastrukturë moderne, dinjitoze, kudo ku jeni, juve ju bashkon me ne përpjekja jonë për krijimin e qindra mijëra vendeve të punës në Tropojë e Shqipëri, juve ju bashkoj me ne përpjekja jonë e përbashkët për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për Tropojën turistike, Shqipërinë turistike, për Tropojën në Bashkimin Europian, Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Miqtë e mi, kjo është alternativa jonë, alternativë për çdo demokrat, çdo socialist e të paparti. Por cila është alternativa tjetër?

Alternativa tjetër është ajo e nxirjes, e zisë, e pesimizmit, e poshtërimit të gjithçkaje që ju keni ndërtuar. Në krye të fushatës, pasagjeri i autobusit mavi, Shqipërinë tonë, Shqipërinë e anëtareve të NATO-s, Shqipërinë e qytetarëve që lëvizin pa viza në Europë, Shqipërinë që meritoi statusin e  kandidatit, e shpalli Shqipërinë e gënjeshtrës, NATO-n e vlerësoi si natë njëlloj si etërit e tij, Bashkimin Europian si asgjë, si as bukë, as ujë dhe të ardhmen tuaj si inekzistente, që nuk ka vlerë. Nga autobusi i tij mavi, për të, rrugët e ndërtuara me taksat tuaja nuk ekzistojnë, rrogat e pensionet e dyfishuara nuk janë të vërteta, shtëpitë e bukura që keni ndërtuar, bizneset  që keni ngritur, fermat që po zhvilloni janë vetëm mashtrim e nuk ekzistojnë. Me të gjitha këto, shoku i autobusit do që të shkelmojë mbi gjithçka që ju keni realizuar.

Gra e burra të Tropojës, ai kërkon me çdo kusht poshtërimin e të gjithë njerëzve të lirë, të cilët i kanë kthyer shpinën mashtrimeve të tij dhe mblidhen në këtë shesh e në çdo shesh, për të kënduar sëbashku këngën e fitores, fitores së merituar.

Vëllezër  motra, më 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa, por edhe dy modele. Modeli juaj, modeli i Sali Berishës që bazohet në djersën e ballit, bazohet në punën me nder, bazohet në besimin tek puna, tek përkushtimi, tek ju dhe gjenia juaj krijuese, energjia juaj e madhe dhe vendosmëria juaj për të përmirësuar jetën tuaj. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që bazohet në vokacionin e në ëndrrën tonë europiane, që bëmë gjithçka që ne të arrijmë sa më shpejt stacionin më të shkëlqyer të të ardhmes tonë, Bashkimin Europiane. Modeli juaj dhe i Sali Berishës që beson tek familja, vlerat e shenjta të saj, që beson tek Tropoja, tek Shqipëria, beson tek kombi dhe e ardhmja e tij.

Cili është modeli tjetër? Ai është modeli i Edi Ramës, njeriut i cili nuk ka lënë fjalë të ndyrë pa hedhur mbi vendin e tij, mbi Shqipërinë, por edhe mbi socialistët që sot vetë i drejton.

Cila është modeli i Edi Ramës? Modeli i Edi Ramës është dekorimi i atyre që u kënduan xhelatëve të popullit të Kosovës, masakrave mbi të, në një kohë kur ju sakrifikonit jetën tuaj për lirinë e Kosovës. Pa u tha akoma gjaku i djemve tuaj, të rënë për lirinë e Kosovës, Edi Rama do të dekoronte Goran Bregoviçin, si shpërblim për himnet që thuri ndaj masakruesve e xhelatëve të popullit të Kosovës dhe bijve tuaj.

Modeli i Edi Ramës është modeli i përçmimit gjer në urrejtje ndaj njeriut, ndaj çdo kundërshtari, njeriu që agreson me brutalitet, edhe fizikisht, cilindo që mundet, vetëm e vetëm se kundërshton mendimet e tij të zeza. Modeli i Edi Ramës është modeli për të cilin, familja është treg dhe vetëm tregti, që martohet e ndahet sa herë kërkon të fitojë më shumë vota në zgjedhjet e radhës, që i humbet gjithnjë. Modeli i Edi Ramës është modeli i njeriut që nuk nguron të shkelmojë mbi çdo interes tuajin, demokratë, socialistë, të paparti, të rinj e të moshuar, gra e burra, të shëndoshë e të sëmurë, çfarëdo që jeni.

Mbi këtë model, të dashur miq, Edi Rama mbajti peng për 231 ditë, statusin e vendit kandidat. Atë që i bëri ai Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk ia bëri dot kurrkush, përveç etërve të tij. Modeli i Edi Ramës është modeli i hekurave të burgut për çdo njeri që e kundërshton, i padive, duke filluar nga familja e tij, pa asnjë provë dhe të çdo njeriu tjetër të cilin ai nuk e do.

Koha sot fton qytetarët shqiptarë, më shumë se kurrë të bazohen në arsyen e tyre, në ndërgjegjen e tyre, të zgjedhin modelin që ju duket më afër tyre, të zgjedhin alternativën që i çon ata përpara. Përpara drejt fitores! Votoni 44-n, votoni për punësimin, votoni për infrastrukturën tuaj moderne, votoni për Tropojën dhe Shqipërinë në Bashkimin Europian. Rrofshi ju! Rroftë Tropoja! Roftë Shqipëria!


15/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›