E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin elektoral në Maqellarë, Dibër

Qytetarë  dhe qytetare, banorë të Maqellarës,

Vëllezër dhe motra ,

mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin tim më të madh për ju banorë e mrekullueshëm të Maqellarës për mbështetjen e jashtëzakonshme që i keni dhen dhe i jepni Partisë Demokratike, programit të saj për zhvillimin e Maqellarës, për zhvillimin e Peshkopisë, për  zhvillimin e Shqipërisë

Qytetarë dhe qytetare të Maqellarës,

Një përshëndetje vëllazërore për kryetarin  e bashkisë së Dibrës së Madhe, të gjithë qytetarëve të Dibrës që festojnë sot me ne, fitoren e 23 qershorit.

Jam sot këtu për t'ju dhënë juve fjalën se me deputetët e qarkut të Dibrës, me Sherefedin Shehun, Roland Ketën, Bedri Hoxhën, Rrahim Kalecin, Dhurata Çupin, të cilët ju do i sillni të pestë në parlament, do bëhet realitet çdo projekt për ju, miq të dashur, vaditja e të gjithë komunës së Maqellarës, përfundimi i ujësjellësit dhe të sistemit të kanalizimeve në të tërë komunën, asfaltimi dhe rindërtimi i çdo rruge në tërë territorin e saj, të Peshkopisë, të Dibrës dhe mbarë Shqipërisë.

Katër vitet që vijnë ne jemi të vendosur me ulje e taksave, me trefishimin e granteve për fermerët e Maqellarës dhe të Shqipërisë, të shumëfishojmë potencialet e prodhimit bujqësor, blegtoral, industrial, në qarkun e Peshkopisë.

Miqtë e mi, ndërtimi i rrugës Kukës-Peshkopi do të bëjë Korabin majën e majave të shqiptarëve, malin turistik më të njohur në Europë dhe në botë dhe hapet me këtë rrugë, një kapitull i madh i turizmit në Korab, në Lurë , në mbarë Peshkopinë.

Por unë jam sonte tek ju për t'ju dhënë juve fjalën e nderit se rruga e Arbrit, tuneli i Qafë Murrizit dhe Boshti Jugut janë zotimet tona më solemne, me fjalën e  nderit para jush, para mbarë qytetarëve shqiptarë

Të dashur banorë të Maqellarës,

këto vite së bashku ne ia dolëm të kthejmë në të vërteta disa nga ëndrrat më të bukura tonat, të gjeneratave që vijnë. Ndaj dhe njëherë le të vazhdojmë rrugën së bashku. Ne anëtarësuam Shqipërinë në NATO, ne ndërtuam dhe rindërtuam një infrastrukturë moderne, nga Kukësi në Librazhd dhe do të vazhdojmë të rindërtojmë çdo rrugë të këtij qarku me grantet tona, djersën dhe mundin tuaj, por ndërtoni fermat më moderne, po zgjeroni bizneset tuaja.

Së bashku do të marrim statusin e vendit kandidat. Na e bllokoi shoku i autobusit për 236 ditë por më në fund e detyruam ti votojë ligjet. Statusi në pret dhe qindra milionë euro investime gjatë vitit të ardhshëm dhe viteve që vijnë.

Vëllezër dhe motra,

kjo është alternativa jonë, e nderimit të njëri-tjetrit, e besimit tek djersa, lodhja, energjitë, tuaja, alternativa e  realizimit të ëndrrave tona më të bukura, alternativa  e ecjes drejt punësimit, drejt mirëqenies, drejt zhvillimit. Alternativa tjetër është alternativa që përpiqet me çdo kusht tu dëshpërojë ju, tu zhysë ju me çdo kusht ne pesimizëm, të mohojë sukseset tuaja, të shkelmojë arritjet tuaja. Përpiqet tu bindë ju se këto nuk janë të vërteta, t ’ju zhysë ju në pesimizëm, të mohojë sukseset tuaja, të shkelmojë arritjet tuaja, përpiqet t’u bindë juve se këto nuk janë të vërteta, se lëvizja e lirë pa viza është e gënjeshtërt, se NATO është natë, se rrugët nuk janë reale, se fermat tuaja nuk vlejnë, se shtëpitë e reja që ndërtoni janë kasolle dhe asgjë, por asgjë nuk mund të mposhtë vullnetin e fitimtarëve, burrave dhe grave që ndërtojnë me djersën, sakrificën e mundin e tyre, suksesin dhe të ardhmen që meritojnë.

Miqtë e mi, po vij nga qarku i Kukësit. Isha në Tropojë, Krumë, Kukës, kudo në të katër anët, zotimi solemn për fitore 4 me 0 për ju, për Dibrën, për Tiranën, për Shqipërinë. Fitorja është në dorën tuaj. Le të jenë këto tetë ditë, ditët në të cilat ju do të bëni për vete çdo socialist, çdo të paparti të vijë me ne, për zhvillimin e Maqellarës, me ne për ujësjellësit, vaditjen, rrugët, shkollat, kanalizimet, zhvillimin e të ardhmen. Me ne, në rrugën tonë të nderit dhe dinjitetit drejt Europës, për ne për biznese e punësim më shumë, për ferma moderne. Çdo socialist në Maqellarë, në Peshkopi  e mbarë Shqipërinë është dhjetë herë më afër nesh, sesa me atë që përpiqet me çdo kusht të zhytë këtë vend në dëshpërim të pamerituar, ta shpallë Shqipërinë të gënjeshtër, sepse  e vërtetë ishte Shqipëria e etërve të tij.

Më 23 qershor përballen jo vetëm dy alternativa, ajo e zhvillimit dhe ajo e mohimit, ajo e të ardhmes dhe ajo e dëshpërimit, ajo e punës, djersës e suksesit dhe tjetra e dëshpërimit, e kalimit nga dështimi në dështim, nga disfata në disfatë, por përballen edhe dy modele. Modeli i vlerave që i beson familjes, që i beson Maqellarës, që i beson Peshkopisë, që i beson Shqipërisë, që i beson kombit, që i beson Europës. Dhe modeli tjetër që në një vit, 270 ditë nuk del në punë, modeli që shan e shpif çdo ditë, që fyen mësuesit, mjekët, infermierët, që juve këtu në shesh ju quan robër, policët banditë dhe për Shqipërinë ka përdorur fjalët më të turpshme që mund të përdorë njeri.

Modeli që jeton me djersën e ballit, modeli që vadit me djersë kafshatën e bukës dhe të ardhurat e tij, që jeton me nder në familjen e tij dhe modeli tjetër që niset për të marrë vota me vilë 57 metra të gjatë dhe me pallat në shpinë, pa treguar një qindarkë me ç’fonde janë ndërtuar ato, duke e konsideruar veten mbi të gjitha ligjet.

Modeli ynë i përbashkët që bazohet në besimin në vlerat e familje, në përpjekjen e madhe gjithë jetën, për të ndërtuar për fëmijët tanë një jetë më të mirë dhe modeli i atij tjetrit që martohet dhe ndahet në prag të çdo zgjedhjeje për të fituar vota dhe që ngre padi në familje dhe ndaj cilitdo që e kundërshton.

Modeli ynë është modeli i njeriut të qytetëruar që dëgjon kundërshtarin, që dëgjon mikun, por dëgjon edhe atë që nuk e do dhe respekton mendimin ndryshe. Modeli i tij që vërsulet si brutal me grushte e për veshi kundër atyre që e kundërshtojnë dhe del bën fushatë me tërheqje veshi për dy javë, për të larë turpin që bëri në Vjenë.

Edhe një herë thirrja ime vëllazërore më 23 qershor, të bëjmë gjithçka të bashkohemi me të gjithë banorët e Maqellarës e Dibrës, për të sjellë në parlament Sherefedin Shehun, Roland Ketën, Bedri Hoxhën, Ekrem Spahiun, Rahim Kalemin, Dhurata Çupin. Ju jap fjalën time të nderit se sëbashku me ta do të zbatojnë çdo projekt për Maqellarën e zhvilluar, për Dibrën e zhvilluar, për Shqipërinë e zhvilluar. Ju falenderoj dhe përulem me nderim të madh para jush dhe ju kërkoj ndjesë dy herë për vonesën time. Fitore! Fitore! Fitore!


15/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›