Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale në Durrës
“Qytetare dhe qytetarë të Durrësit,
Mirëmbrëma!
Gëzuar fitoren!
Përshëndetjet më të përzemërta ju, durrsakeve dhe durrsakëve, burrave dhe grave të Shijakut, Fushë Krujës, Krujës dhe të gjithë banorëve të këtij qarku.
Mirënjohjen më të thellë!
Fitorja e 23 qershorit është vepra juaj e madhe, është firma juaj historike, është vullneti juaj, i grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të Durrësit për të ndjekur shpirtin tuaj perëndimor, vokacionin tuaj perëndimor, për të mbetur gjithmonë të palëkundur në identitetin tonë kombëtar perëndimor.
Durrësi, kryeurë e kombit me perëndimit, me 23 qershor do të votojë për të ardhmen dhe integrimin.
Vëllezër e motra,
Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitore për mirëqenien e çdo qytetari të Durrësit dhe të çdo shqiptari. Rritja e madhe e rrogave, e pensioneve, e pagesës së papunësisë dhe ndihmës ekonomike është një nga objektivat madhorë të fitores sonë, të projektit tonë. Fitorja e 23 qershorit është fitore për punësimin e të rejave dhe të rinjve, grave dhe burrave të Durrësit edhe të Shqipërisë. Fitorja e 23 qershorit është për durrsaket dhe durrsakët Durrësi i zhvilluar, me një port të madh që nuk e ka pasur kurrë më parë; është Durrësi i universitetit më modern; është Durrësi i bizneseve dhe rritjes së madhe të tyre; është Durrësi me portin energjetik kryesor të Shqipërisë, por edhe në rajon; është Durrësi me portin e peshkatarëve ndër më të bukur në rajon. Fitorja e 23 qershorit është fitorja e të rejave dhe të rinjve të Durrësit, shkollimit të tyre gjithnjë e më cilësor, punësimit të tyre masiv, heqjes së çdo takse për 3 vitet e para të punësimit, kredi të buta për çdo të ri që dëshiron të punësohet në një profesion. Është përpjekja jonë e madhe që të rejat dhe të rinjtë e Shqipërisë me energjinë e tyre të ngjisin vendin në lartësitë më të mëdha të revolucionit teknologjik. Fitorja e 23 qershorit për vajzat, gratë, nënat, motrat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë është para së gjithash fitore në përpjekjen tonë fisnike për barazinë gjinore, për barazinë e nënës me babanë, motrës me vëllain, vajzës me djalin. Vajzat, gratë, nënat, motrat e Durrësit dhe mbarë Shqipërisë duhet ta dinë se me programin e Partisë Demokratike ia dolëm të përgjysmojmë dallimin në paga midis burrave dhe grave. Unë ju garantoj se 4 vitet që vijnë përsëri do ta përgjysmojmë dhe ju do merrni rolin që ju takon në shoqëri, në politikë e në çdo fushë. Vajzat dhe gratë e Durrësit duhet ta dinë se me Partinë Demokratike punësimi i tyre ka njohur dimensione që nuk i ka njohur më parë. Nga viti 2008 deri më sot tregu i punës në Shqipëri u rrit me 7.5 përqind gra dhe 4 përqind burra.
Fitorja e Partisë Demokratike, fitorja e 44-ës për gratë shqiptare do të jetë ligji për statusin e nënave kryefamiljare që shoqëria t’i mbështesë ato siç e meritojnë. Fitorja e Partisë Demokratike, fitorja e Durrësit dhe e mbarë Shqipërisë me 23 qershor do të jetë fitorja e grave dhe burrave të moshuar të këtij vendi. Pensionistët e Durrësit dhe të Shqipërisë i garantoj se nuk do të ketë pension nën 150 dollarë, se qeveria do t’u subvencionojë plotësisht energjinë elektrike, do t’u subvencionojë 100 përqind mjekimin dhe të gjitha ilaçet për shëndetin e tyre, do t’u subvencionojë udhëtimin në autobusë urbanë dhe inter-urbanë, do të subvencionojë shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, do të miratojë ligjin për statusin e pensionistit.
Për fermerët e Durrësit dhe të mbarë Shqipërisë fitorja e Partisë Demokratike do të jetë trefishimi i granteve për fermat e tyre, do të jetë sistemi modern i vaditjes, pagesë me para në dorë të TVSH-së për çdo shpenzim në makineri që ata bëjnë për prodhimin e tyre.
Fitorja e Partisë Demokratike do të jetë infrastrukturë më moderne, e njëjtë me lagjet e qyteteve, në çdo fshat të Shqipërisë; do të jetë mbrojtje e plotë e prodhimeve të tyre bujqësore dhe blegtorale nga konkurrenca e pandershme ndërkombëtare. Ne do bëjmë gjithçka që ju të keni sukses në fermat tuaja. Fitorja e 23 qershorit do të jetë për Durrësin e shekujve dhe mijëvjeçarëve dyfishimi i turizmit të tij, i kapaciteteve të tij, i bizneseve të tij.
Vëllezër dhe motra,
Vota juaj më 23 qershor do të jetë votë për vokacionin e shpirtit tuaj perëndimor, për marrjen e statusit të vendit kandidat brenda muajve që vijnë, për hapjen e negociatave për vend anëtar në Bashkimin Evropian gjatë viteve që vijnë, për thithjen e qindra milionë eurove investime nga Bashkimi Evropian dhe sektori privat i tij, për punësimin e dhjetëra mijëra shqiptarëve, për ndërtimin e infrastrukturës moderne.
Miqtë e mi,
Për ju dhe gjithë shqiptarët dua të pohoj këtu sonte se unë gjithë jetën time jam përpjekur, por kam patur edhe fat. Fati im i madh është 44-tra. Unë linda në vitin 44-tër. 44-tra është numri i fatit, askush nuk do të zhgënjehet. 44-tra është numri i lirisë së shqiptarëve, i ngadhënjimit të tyre.
Miqtë e mi, durrsake dhe durrsakë, shqiptare dhe shqiptarë, kudo që jeni, lexoni pak për numrin 29-të. Çfarë është 29-ta? Është dështimi, në numerologji lexon dështim. Është Edi Rama. Kujdes prej atij numri. Nuk sjell fat, nuk ka mbarësi, ka dështim.
Durrsake dhe durrsakë, socialistë dhe të paparti, shqiptare dhe shqiptarë,
Bashkohuni me ne në numrin e fatit, bashkohuni me mirëqenien, bashkohuni për integrimin, bashkohuni për punësimin, bashkohuni për zhvillimin, bashkohuni për të ardhmen tonë në Evropë.
Rroftë Durrësi!
Rroftë Shqipëria!
Fitore! Fitore! Fitore!”
20/06/2013