E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryeministrit Berisha në tubimin përmbyllës të fushatës elektorale në Kavajë

Përshëndetjet më të zjarrta, nderimin më të madh, mirënjohjen më të thellë ndaj jush, grave dhe burrave të Kavajës, demokrateve dhe demokratëve të këtij qyteti, në të cilin shpirti i lirisë, fryma e lirisë, shpirti i dinjitetit njerëzor nuk u mposhtën kurrë. Unë jam sot këtu për të shprehur mirënjohjen time, krenarinë time të pakufishme me mbështetjen tuaj, respektin tim më të madh për sakrificën tuaj, zotimin tim solemn se fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja juaj, e grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të Kavajës; do të jetë fitorja në të cilën ne do të ecim të vendosur drejt niveleve më të larta të mirëqenies, në Kavajë dhe mbarë Shqipërinë.

Fitorja e 23 qershorit do të jetë fitorja e punësimit masiv të qytetarëve të Kavajës dhe mbarë Shqipërisë. Kjo fitore hap dyert për krijimin e 250 mijë vendeve pune për punësimin e vajzave dhe djemve të Kavajës edhe të mbarë Shqipërisë. Fitorja hap dyert për dyfishimin e turizmit në Kavajë dhe shfrytëzimin e të gjitha potencialeve turistike mahnitëse dhe të mrekullueshme të saj, për ndërtimin e resorteve të mëdha që do ta bëjnë Kavajën turistike të famshme në Evropë dhe në botë. Katër vitet që vijnë do të jenë vite në të cilat Kavaja, fermerë e saj do të njohin mbështetjen më të fuqishme, trefishimin e granteve, pensioni minimal 150 dollarë, pagesën me para në dorë të TVSH-së për çdo gjë që ata përdorin për prodhim. Katër vitet që vijnë do të jenë vitet e lidhjes direkt të Kavajës me Tiranën, me autostradën e saj; do të jenë vitet në të cilat Kavaja do të kapë nivelet më të larta të zhvillimit.

Vëllezër e motra,

Zonja dhe zotërinj,

Në përpjekjen tonë për t’u bërë lirë, vajzat dhe djemtë, burrat dhe gratë e Kavajës kanë pasur si ëndrrën më të mirë dhe më të bukur integrimin e Kavajës në Evropë, integrimin e Shqipërisë në Evropë. Katër vitet që vijnë do të jetë vitet e integrimit të Shqipërisë, vitet e statusit dhe hapjes së negociatave për vend anëtar në Bashkimin Evropian; do të jenë vitet në të cilat Kavaja do të ketë shumëfishim të investimeve, Shqipëria do të ketë shumëfishim të investimeve.

Qytetare dhe qytetarë të Kavajës,

Edhe 2 ditë na ndajnë nga dita e fitores së madhe. Unë ju bëj thirrje ju, vajzave dhe djemve, grave dhe burrave të Kavajës që këto dy ditë të punojmë çdo orë, të punojmë çdo minutë për të bindur çdo qytetar të këtij qyteti të mrekullueshëm, çdo fermer të këtij rrethi të mrekullueshëm, çdo mik që keni kudo, në Kavajë dhe jashtë saj që me 23 qershor të bashkojë votën me ne për Kavajën e zhvilluar, për Kavajën krenare që ecën e sigurt drejt niveleve më të larta të zhvillimit, drejt mirëqenies dhe drejt punësimit, për Kavajën e integruar në Bashkimin Evropian, për Kavajën fitimtare, për Shqipërinë fitimtare, për fitoren.

Votoni 44-ën, votoni fitoren!

Rrofshi ju! Rroftë Kavaja! Rroftë Shqipëria!

Gëzuar fitoren!

Fitore! Fitore! Fitore!”


20/06/2013

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›