E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në seancën e përshëndetur nga Presidenti i Senatit të Çekisë, Premysl Sobotka.

 

I nderuar President i Senatit të Çekisë, Sobotka
I nderuar Kryeministër
Shkëlqesi ambasadorë
Kolegë deputetë,
Më lejoni që në emrin tuaj, ti uroj mirëseardhjen në shtëpinë e shqiptarëve, një miku, Presidentit të Senatit të Çekisë, Premysl Sobotka.
Në shkurt të vitit të shkuar gjatë vizitës zyrtare në Çeki, unë ju ftova juve zotin Sobotka të na nderonit me pjesmarrjen tuaj në parlamentin e Shqipërisë, dhe sot ndihem vërtet shumë e lumtur tju kemi mes nesh, si një dëshmi e miqësisë së fortë mes dy vendeve dhe popujve, të cilët kanë luftuar shumë për identitetin e tyre dhe për ngritjen e një shteti modern.
Çekia është një model i mirë për ne, në etapat drejt integrimit në BE dhe NATO dhe ne e konsiderojmë një partner të rëndësishëm tonin në rugën e arritjes së këtyre objektivave prioritarë.
Shqipëria po ndërton tashmë historinë e zhvillimit dhe progresit, ka një

transformim të jashtëzakonshëm, ka një rritje ekonomike të admirueshme, ofron një klimë të sigurt dhe favorizuese për biznesin, po forcon gjithnjë e më shumë shtetin e së drejtës, po reflekton siguri në rajon, është më pranë se kurrë BE-së dhe NATO-s.
Në janar të vitit të ardhshëm Çekia do të marrë presidencën e BE-së, kohë kur ne besoj do të kemi përmbyllur fazën e ratifikimit të MSA-së. Presidenca juaj e BE-së është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ju më shumë se çdo vend tjetër mund të kuptoni historinë tonë të vështirë, nën diktaturë dhe aspiratën tonë për tju bashkuar perëndimit.

I nderuar President Sobotka,
Ju sot më dhatë një lajm të mirë; Senati çek do të ratifikojë brenda tetorit protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Po sot morëm lajmin se  Parlamenti i Lituanisë ratifikoi Protokollin e NATO-s, pas Shteteve të Bashkuara, Hungarisë dhe Letonisë. Unë besoj se me këtë ritëm do të mund të mbyllim këtë fazë dhe në Samitin e 2009-tës do të bëhemi anëtare me të drejta të plota të Aleancës së Veriut.
Ajo që ne vlerësojmë është edhe qëndrimi çek për rajonin në përgjithësi dhe ndaj Kosovës, në veçanti me njohjen e saj në maj të këtij viti. Është tashmë e qartë, se pavarësia e Kosovës ka shtuar stabilitetin në rajon dhe i ka dhënë nxitje proceseve të tij integruese në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Miqësia e dy popujve tanë, i nderuar President Sobotka, është e hershme; shumë studentë kanë përfundur studimet e tyre në vendin tuaj ku janë ndejerë si në shtëpinë e tyre, dhe më vjen mirë që tashmë kjo miqësi është rivitalizuar dhe marrëdhëniet tona janë intensifikuar.
Megjithatë, edhe pse vitet e fundit, bashkëpunimi ekonomik dypalësh ka njohur rritje, ka akoma shumë për të bërë po të kemi parasysh se tradicionalisht Çekia ka qenë një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë.
Dëshira jonë është të shohim një prezencë edhe më të madhe  të investitorëve çekë në vendin tonë, për tju përgjigjur kështu potencialit ekonomik ekzistues.
Kjo vizitë e juaja, është një dëshmi e miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona. Le të angazhohemi së bashku për forcimin e kësaj miqësie, si partnerë, si aletatë, si dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta.

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›