Fjala e fundit për ish-krerët e UÇK-së, çfarë pritet të ndodhë nesër në Hagë?

Ditën e nesërme katër ish-krerët e UÇK-së kanë të drejtën për të dhënë fjalën e tyre të fundit përpara togave të zeza të Hagës, pasi gjykimi ndaj tyre është në etapën e fundit dhe po shkon drejt vendimit që do të japë trupi gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgimin e Hagës që nga muaji nëntor i vitit 2020, do të kenë nga 20 minuta secili për të folur.
Seanca nis rreth orës 09:00 dhe do të zgjasë deri në orën 16:30 të pasdites dhe të gjitha mediat do të kenë mundësi që ta ndjekin drejtpërdrejt.
Ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së janë ngritur akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe Prokuroria Speciale e Hagës ka kërkuar nga 45 vite burg për secilin prej tyre.
Mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, duke argumentuar se nuk ka prova që i lidhin ata me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Specializuar.
Sipas avokatëve, gjatë procesit janë paraqitur dëshmi që, sipas tyre, tregojnë se asnjëri prej të akuzuarve nuk ka dhënë urdhra për kryerjen e veprave të pretenduara.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999, në disa zona të Kosovës dhe veriut të Shqipërisë.