Mbreti Charles uron Kosovën për 18-vjetorin e Pavarësisë: Ditë e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme mes vendeve tona

Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Mbreti Charles III sot në 16 shkurt i ka dërguar një letër urimi Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke theksuar raportet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe duke riafirmuar përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar për bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen.
Në letrën e tij, Mbreti Charles III shprehet se kjo ditë përbën një mundësi të veçantë për reflektim mbi historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ai shpreh inkurajimin e tij për fuqinë e lidhjeve dypalëshe dhe thekson rëndësinë e ruajtjes së këtyre marrëdhënieve të forta edhe për dekadat e ardhshme.
“Kjo ditë shërben si një mundësi e çmuar për të reflektuar mbi miqësinë e qëndrueshme midis vendeve tona. Jam thellësisht i inkurajuar nga fuqia e lidhjeve tona dypalëshe dhe mbetem i përkushtuar për të nxitur një bashkëpunim edhe më të ngushtë në vitet që vijnë. Ndërsa përballemi me sfidat e përbashkëta të kohës sonë, veçanërisht ato që lidhen me klimën dhe ruajtjen e botës sonë natyrore, shpresoj që vendet tona të vazhdojnë të punojnë së bashku për zgjidhje domethënëse dhe të qëndrueshme”, theksohet në mesazh.
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka publikuar këtë letër, duke nënvizuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe vazhdimësinë e dialogut politik dhe ekonomik midis dy shteteve, si dhe përkushtimin për të punuar së bashku në çështje globale si ndryshimet klimatike, ruajtja e mjedisit dhe zhvillimi i qëndrueshëm.