Fjala e kryeministrit Berisha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike

E nderuar kryetare e Kuvendit
I nderuar kryetar i grupit
Të nderuar deputetë dhe deputete
Të dashur qytetarë dhe qytetare që ndiqni këtë mbledhje javore të grupit parlamentar të Partisë Demokratike
Së pari dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe t’ju falenderoj për përkushtimin tuaj të madh, ndaj reformave të rëndësishme që keni votuar, po votoni dhe do të votoni në parlament, në mënyrë të pa ndërprerë.
Ne vërtet po ecim drejt datës 23 qershor, detyrimit tonë madhor për një proces zgjedhor të shkëlqyer, detyrimit tonë madhor për një program, i cili po përpunohet në mënyrën më intensive, çdo orë dhe çdo ditë, i cili për hir të së vërtetës dhe po zbatohet, siç janë paketat e reformave, që vijnë brenda kësaj jave në parlament dhe të tjera të mishëruara në vendime të qeverisë, të cilat prekin në mënyrë pozitive direkt, pothuaj çdo qytetarë shqiptarë.
Para se të ndalem tek reformat që vijnë kësaj jave në parlament, do ti kërkoja Kryetarit të Grupit Parlamentar të negociojë me zotin Gramoz Ruçi dhe me grupet e tjera parlamentare, uljen e moshës së votimit, në 16 vjeç.
Janë me qindra të rinj, të cilët më pyesin në whatsApp, në Facebook, në sms. Po ne a do të votojmë? Po ne pse nuk votojmë? Mirëpo po të rrimë ta mendojnë thellë, mos konsideromi i tyre, dëshmon një prapambetje në kohë të gjykimit tonë për ta.
Zonja dhe zotërinj
Të dashur qytetarë dhe qytetare
Kjo është një gjeneratë krejtësisht tjetër, e pa krahasueshme as edhe me një gjeneratë të vetme në historinë e kombit. Kjo është një gjeneratë, e cila u mëkua që ditët e para të jetës me lirinë dhe vlerat e saj. Kjo është gjeneratë e internetit, i cili i bën ata të dinë më shumë, sesa ç’dinin 50 vjeçarët para gjeneratës së tyre. Kjo jo se ata nuk kishin përkushtim, por se burimet e informacionit që ta kanë, i mbrujnë, i maturojnë këta me një sasi dijesh, që ne e kemi të vështirë ti vlerësojmë dhe ti marrim me mend.
Unë di që edhe vende të tjera kanë ulur moshën e votimit, madje mos gaboj në Shqipëri ka parti politike, të cilat kanë ulur moshën e anëtarësimit dhe Partia Demokratike duhet ta ulë moshën e anëtarësisë, detyrimisht. Unë them edhe njëherë se kjo është një gjeneratë, të cilën ne e kemi të vështirë ta imagjinojmë shkallën e zhvillimit të saj. Krejtësisht tjetër. Nuk po flas për veten time. Nuk po flas për vitet e fëmijërisë sime në shkollën 7-vjeçare dhe shkollën e mesme në Tiranë, por edhe po të marrim kohëra shumë më të afërta, dallimet janë të paimagjinueshme. Ata janë të përgatitur për përgjegjësi. Imagjinoni ju, mijëra e mijëra prej tyre aplikojnë dhe ndjekin universitetet në mbarë botën. Imagjinoni ju, në periudhën time akademike, dhënia e gjuhëve të huaja përbente një çështje madhore, kurse këta japin “Toeflin” me lehtësinë më të madhe, apo gjuhët e tjera.
Shqipëria s’ka pasur kurrë në histori një gjeneratë brilante, siç është kjo e tanishmja. Ndaj dhe zoti kryetar do ti bësh një ftesë zyrtare zotit Gramoz Ruçi. Nuk ka asnjë vështirësi teknike, sepse gjithçka e kemi automatike për listat e votimit. Mjafton vullneti politik i forcave politike dhe në një kohe prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë të gjithë 16 vjeçarët e vendit.
Në të vërtet po të kthehemi në traditë, se tani ka shumë që nuk ju pëlqen më tradita, e shoh që Ndue Paluca po buzëqesh, se pushka i jepej 16 vjeç . Tani nuk është më koha e pushkës, tani vota i jepet 16 vjeç , edhe nusja jepej 16 vjeç, ndaj dhe kjo moshë ka patur një vlerësim në të gjitha kohërat, por tani kjo është mosha e lirisë, është mosha e internetit. Tani është krejt tjetër. Ne duhet tu japim të drejtën e votës, si një shoqëri e qytetëruar. Na takon edhe për një arsye tjetër. Ne jemi komb i ri. Ne jemi komb, që vetëm 12 përqind e kemi mbi moshën 65 vjeç dhe në aspektin e përfaqësimit të moshave është e domosdoshme, për të qenë më të drejt, më të barabartë ndaj qytetarëve, që të paktën 16 vjeç e sipër, t’ju jepet e drejta e votës.
Uroj që diskutimi dhe negociatat tuaja zoti Patozi me zotin Ruçi dhe me përfaqësuesit e LSI-së dhe forcave te tjera politike, të ecin në frymën e duhur, pa politizime ndaj një akti që vetëm e fisnikëron procesin e votimit dhe e bën këtë vend të përfaqësohet me votë, shumë më mirë sesa përfaqësohej më parë. Do të fitojnë të drejtën e votimit edhe mbi 100 mijë qytetarë të rinj çka është shumë e mirëpritur.
Zonja dhe zotërinj
Duke shfrytëzuar përcaktimet kushtetuese, sot ne kemi sjellë në parlament amendimet e ligjit të urbanistikës, me të cilat ne shkëputemi nga një praktikë e vjetër, pa asnjë diskutim të paktën 63 vjeçare, në të cilat autoriteti i Këshillit Kombëtarë i Rregullimit të Territorit shtrihej në gjithçka, për të dështuar në shumëçka.
Mbi bazën e amendimeve të ligjit, Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit do të ketë vetëm veprat e një rëndësie kombëtarë kudo që janë ato, në qendër të Tiranës apo në Martanesh, Bizë apo kudo që ndërtohen, se ky është rregulli dhe përgjegjësia. Gjithçka tjetër është atribut i qeveritarëve vendor. Merr fund praktika e neveritshme e përcaktimit të kateve dhe qosheve nga Kryetari i Këshillit të Rregullimit të Territoreve, përkatësish kryeministri, që edhe ai nuk i përcaktonte edhe merrej me to edhe nuk merrej. Merr fund shpërndarja e përgjegjësive në të gjitha drejtimet për ti lënë ato jetime. Merr fund përdorimi i Këshillave të Bashkive të Komunave në stilin e sovjetëve të dikurshëm.
Përgjegjës numër një dhe kryesor, autoriteti kryesor për zbatimin e planit rregullues të përgjithshëm të Komunës apo Bashkisë, do të jetë kryetari i Komunës ose Bashkisë, i cili do të ketë një Këshill Teknik dhe jo një këshill jo teknik. Do të ketë një Këshill Teknik që do të japë me shkrim mendimet e tij. Natyrisht kryetari vendos. Kjo nuk mund të jetë ndryshe. Këshilli i Bashkisë, Këshilli i Komunës do të mbeten autoriteti suprem për çdo gjë që ka të bëjë me çështje pronësie në territorin e Bashkisë dhe të Komunës. Ato kompetenca nuk mund të hiqen, nuk mund të delegohen, por nuk mundet që Këshilli i Bashkisë të vendosë për katet e pallateve. Nuk mundet që të bëhet Këshilli i Bashkisë arenë interesash të fragmentuara. Jo. Këshilli i Bashkisë do të ruajë të gjitha autoritetin mbi çdo gjë që ka të bëjë me pronësinë në territorin, çka do të thotë vendimet që merren për çështje pronësie në territorin e caktuar janë vendime që merren nga Këshilli i Bashkisë.
Për here të parë në histori të këtij vendi , ligji sanksionon si kusht sinekuanon, ndarjen e shpërblimit që shqyrtohet nga ndërtimi mbi truallin në pjesë të barabarta edhe me atë që toka i mbetet oborr, i mbetet garazh, parkim apo çfarë do që i mbetet rreth godinës. Kjo bën të paqenë të nesërmen e votimit tuaj, ushtrinë e sekserëve në mbarë Shqipërinë, kjo bën të paqenë ndëshkimin e njërit dhe shpërblimin e tjetrit për faktin e vetëm se këtu ndërtohet pallati dhe një metër me tutje jashtë mureve mbetet oborr. Kjo bën një shpërndarje shumë më të ndershme dhe do ta quaja dhe ideale të vlerës që krijohet nga ndërtimi dhe zhduk çdo lloj tensioni.
Kjo i jep mundësi Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Teknik të zhvillojnë qytetin, pa asnjë formë presioni dhe jashtë lobingjeve. Kjo pra bën të mundur një epoke të re në fushën e urbanistikës. Me këtë ligj, leja e ndërtimit për të cilin ne shqiptarët u bë më famëkëqijtë, të tretit në botë. Në mënyrën më të paimagjinueshme një lejë ndërtimi sipas dokumenteve të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri për shkak të Tiranës dhe absolutisht jo për shkak të Shkodrës, Vlorës, Korçës apo ndonjë qyteti tjetër, por për shkak të Tiranës, ishte 399 ditë.
Vendi i tretë në botë me zvarritjen dhënies së lejeve. Natyrisht është korrupsion ai, sepse po shkoi 399 ditë është 399 herë korrupsion. Pra kjo merr fund, zbret në 45 ditë, si koha më maksimale. Pra ne arrijmë në një standard mjaft të mirë dhe të pranueshëm për lejet e ndërtimit, por jo në standardin më të shkurtër, sepse atë e ka Singapori. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Sikundër, aty është i stipuluar parimi “heshtja është miratim”. Në qoftë se ti i ke plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe unë përpiqem të zvarris të drejtën tënde, ti e fiton të drejtën tënde automatikisht, pavarësisht nga keqdashja që e zvarrit problemin.
Qytetarët kanë për ligj themelor Kushtetutën, territoret kanë për Kushtetutë Planet e Përgjithshme Rregulluese. Ky plan u premtua në krye të çdo mandati nga ish kryetari i bashkisë së Tiranës, por e vërteta është se nuk u realizua kurrë. E vërteta është se u bënë konkurse ndërkombëtare nga më të rëndësishmet, por vetëm e vetëm për planet pjesore, për llokma pjesore dhe Plani i Përgjithshëm nuk u bë. Kjo, sepse Plani i Përgjithshëm është Kushtetuta dhe ajo nuk të lejon që ta trajtosh qytetin ashtu sikundër nuk e meriton. Ajo nuk të lejon të mos kesh standarde transparente që ti duhet të dëshmosh në veprimtarinë tënde.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Unë kam shumë kënaqësi t’ju informoj ju se, në mënyrë absolute, kam pasur gjithsej, gjatë gjithë këtyre muajve, vetëm tre ankesa. Për hir të së vërtetës, dy të verifikuara, të drejta dhe të reflektuara nga autoritete vendore dhe e treta është në verifikim e sipër. A mund të imagjinoni ju një plan që përcakton ndërtimet e të gjithë kryeqytetit, të cilin e ka studiuar me lupë çdo qytetar i interesuar për ndërtimin, për tokën, për truallin e tij e me radhë dhe të mos ketë ankesa, përveç atyre treve. Kjo, sepse parimet e atij plani janë parime të ndershme. Kjo, sepse u hoqën praktikat e dënimit. Ishte dënuar masivisht popullata autoktone e Tiranës, përveç ndonjë tiranasi që u grabit pronat edhe vëllezërve të tij, me ndihmën e të tjerëve. Kjo është e vërteta. Ka procese atje. Pra ishin ndëshkuar për faktin e vetëm se orientimi tërësor politik i tyre është bërë i famshëm pas dënimit përfundimtar politik që i bënë diktatorit të fundit në Evropë me votën e tyre, në vitin ‘91. Ajo punë mori fund. Në planin e ri nuk ka as të dënuar, as të privilegjuar, sepse janë përcaktuar parime të ndershme që i trajtojnë pronat tuaja si të barabarta para ligjit. Kjo është një arritje shumë e madhe. Janë edhe një seri qytetesh të tjera, të cilat unë i përgëzoj, që kanë bërë gati Planin e Përgjithshëm të Rregullimit.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Në katër vitet që vijnë qeveria e ardhshme do të përgatisë Planin e Përgjithshëm të Rregullimit të Republikës së Shqipërisë, në të katër anët e saj. Ky është zotimi për urbanistikën e Shqipërisë së këtij shekulli. Kjo është pjesa e programit të ardhshëm. Le të ndalemi ne në kapitullin e ri që hapëm. Ndaj do t’ju lutesha shumë që këtë ligj ta përparësojmë, të cilin qytetarët e Tiranës mezi po e presin, sepse 11 vjet rresht ua premtoi dhe i mashtroi zoti Rama; sepse 11 vjet rresh ai së bashku me një grup të ngushtë e trajtuan Tiranën si një plaçkë të tyren; sepse 11 vjet rresht përdorën studimet pjesore për të ndërtuar kupolën miliardere të Partisë Socialiste. Pra epokë tjetër nis. Ndaj edhe unë, shumë njerëzisht, do të kërkoja të përparësonim këtë ligj edhe ligjet e reformave, reforma ndër më të mëdhatë në historinë e këtij vendi, siç është heqja e çdo detyrimi tatimor dhe doganor për çdo makineri, produkt, mjet që i shërben rritjes së prodhimit. Shqipëria bëhet nga më të paktat vende në botë me këtë sistem shumë të rëndësishëm. Po kështu, heqja e tatimit mbi të ardhurat personale për të gjithë ata që kanë rroga nën 30 mijë lekë; heqja e çdo detyrimi për të riun e punësuar për tre vjet nga sipërmarrësi. Ju garantoj që lista e reformave do të vazhdojë pandërprerë. Shqipëria e katër viteve që vijnë do të jetë Shqipëria që, pavarësisht nga kriza e rëndë ekonomike që mesa duket do të persistojë dhe mesa duket do të vazhdojë, me këto masa që marrim do të bëjmë gjithçka që të dyfishojmë rritjen ekonomike, të dyfishojmë krijimin e vendeve të punës.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Ju duhet ta dini se ata që njohin ABC-në e demografisë së këtij vendi dhe lëvizjeve demografike në këtë vend konstatojnë se gjatë katër viteve që shkuan janë krijuar jo 100 mijë, jo 130 mijë apo 140 mijë, por janë krijuar rreth 200 mijë vende të reja pune. Në qoftë se kemi parasysh grupmoshën që hyn në moshën e punës, në qoftë se kemi parasysh nivelin e papunësisë dhe fluksin e madh që nuk përfill grupmoshën që vjen nga zona rurale në zonën urbane dhe që do të vazhdojë, Shqipëria ka ritmet më të larta në botë, krahas Kinës, për procesin e urbanizimit. Ishim vendi më rural se çdo vend tjetër në Evropë, ishim një nga vendet më rurale dhe sot jemi 46 me 54 përqind fshat- qytet, në favor të qytetit, ndërsa kemi qenë 68 përqind 20 vjet më parë. Pra ka një ritëm urbanizimi, ku i bie mbi 1 përqind, por që mbi 1 përqind i thonë 20-30 mijë banorë në vit që vijnë nga zonat rurale dhe, natyrisht, vijnë për të kërkuar punë dhe jo për të qëndruar me duart kryq.
Unë u ndala në këtë çështje për të qartësuar, por përveç kësaj ka edhe të dhëna të tjera. Vetëm në rrugën Tiranë- Elbasan sot punojnë 1450 punëtorë, ku 220 prej tyre janë inxhinierë dhe teknikë grekë, ndërsa të tjerët janë inxhinierë, teknikë dhe punëtorë shqiptarë. Kjo vetëm në njërën rrugë. Ai si front është kryesori, por në total nuk është më shumë se 1/3 e rrugëve që ndërtohen në mbarë vendin, të marra një e nga një. Pra ne me këto reforma do të bëjmë gjithçka që Shqipëria gjatë katër viteve që vijnë të gjenerojë vende pune shumë më tepër se katër vitet që shkuan.
Zonja dhe zotërinj deputetë,
Unë e kuptoj që mendjen e keni pas çdo vote dhe aty duhet mbajtur për të fituar zemrën e çdo qytetari, por duhet t’i konsiderojmë këto reforma, zbatimin e tyre sa më të shpejtë, të një rëndësie jetike për projektin tonë të madh të katër viteve që vijnë. Do të bëjmë çdo gjë që çdo sektor të ketë të ketë projektin që do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar, në një vend evropian.
Faleminderit!”
11/03/2013