Kryeministri Berisha inauguroi fabrikën e miellit në Vorë: Qeveria e angazhuar të mbështesë bizneset në investimet e tyre

- Ne synojmë me paketën e re fiskale ti japim një fuqizim të madh biznesit. Ne besojmë se është biznesi gjeneratori i mirëqenies shoqërore, nuk është qeveria. Zotëria e tij ( Rama) kërkon një shoqëri që të punojë për qeverinë, ne kërkojmë një qeveri që të punojë për shqiptarët. Ky është dallimi esencial dhe këtij dallimi do ti përmbahemi për sa kohë shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancë.
Kryeministri Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e inaugurimit të Fabrikës së Miellit “Diamond” në Vorë investim i kompanisë AgroBlend me vlerë prej 8 milionë euro. Në këtë fabrikë, e cila është një nga më të mëdhatë në vend, me një kapacitet prodhimi 250 ton/24 orë janë punësuar 100 punonjës. Fabrika e Miellit “Diamond”, prodhon të gjitha llojet e miellrave, si gatime familjare, furra buke, peta, pica, ëmbëlsira dhe për çdo përpunim i produkteve të brumit. Pasi ka vlerësuar punën e Kompanisë AgroBlend, lider në prodhimin e miellit dhe të nënprodukteve të tij në Shqipëri, Kryeministri Berisha u shpreh se, ky investim ka një vlerë të madhe dhe është një vlerë e shtuar për ekonominë. Kryeministri Berisha në emër të qeverisë ka garantuar të gjitha bizneset se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që investimi i tyre, mundi djersa e tyre, të jetë gjithnjë një histori e vërtetë suksesi.
Kryeministri Berisha, theksoi faktin se, reformat kanë qenë dhe mbeten leva e vërtetë e Arkimedit në historinë e zhvillimit të Shqipërisë. Sipas tij, këto reforma janë bërë të njohura , ose kanë bërë jehonë jo vetëm në Shqipëri dhe në Rajon, por edhe në Europë dhe në Botë. Për këtë kryeministri Berisha, informoi, se vetëm pak kohë më parë zëvendës presidenti i Bankës Botërore do të deklaronte se Shqipëria është një histori e vërtetë zhvillimi të suksesshëm dhe të njëjtën gjë, do të konfirmonte presidenti i BERZH-it.
“Shqipëria vlerësohet si një nga historitë më të rralla të zhvillimit dhe kjo histori zhvillimi i detyrohet në radhë të parë shqiptarëve punëtorë, shqiptarëve të sakrificës, shqiptarëve që me ambicien më pozitive bëjnë gjithçka për të përmirësuar jetën e tyre, të familjes së tyre të komunitetit të tyre. Por kjo histori suksesi do të ishte e pamundur pa reformat e mëdha të ndërmarra nga kjo qeveri dhe suksesi i këtyre reformave”, - u shpreh Kryeministri Berisha.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qytetarët shqiptarë pas pagesës së taksave celulari i tyre së shpejti Shqipëria do të bëhet vendi i dytë në Europë, që edhe doganat të gjitha të paguhen nga celulari ose nga kompjuteri.
Gjithashtu Kryeministri Berisha solli në kujtesën e të gjithëve faktin se, kjo mazhorancë erdhi në pushtet në një kohë kur Shqipëria kishte marrë investime të huaja në tete vite të marra sëbashku si mesatare, gjithsej 38 milion dollarë, në një kohë që Maqedonia, e cila kishte kaluar në një konflikt në ato vite, kishte arritur të marrë në të njëjtën periudhe 72 milion dollarë investime. Ndërsa thekson se, gjatë qeverisjes së PD-së investimet u rriten në një miliard. “Çdo vit në katër vitet e fundit Shqipëria ka marrë në mbi një miliard dollarë investime të huaja dhe më të mëdha shumë, kanë qenë investimet e biznesmenëve të vendit. Por kjo u bë e mundur sepse ne këto vite, siç e keni parë, ju kemi ndërtuar një nga infrastrukturat më moderne”, - tha kryeministri Berisha.
Duke u ndalur në investimet në Vorë, Kryeministri Berisha tha se bashkia në bashkëpunim me qeverinë ka ndërtuar 50 kilometra rrugë, kundrejt 12 kilometra gjithsej që u ndërtuan në kryeqytet në Tiranë, në 4 vitet e fundit të mandatit të z. Rama. Në Vorë janë ndërtuar 3 ujësjellësa, 6 kopshte dhe shkolla, 5 qendra shëndetësore si dhe është fuqizuar rrjeti elektrik. “Në qarkun e Tiranës kam kënaqësinë t’ju informoj se gjatë këtyre viteve janë ndërtuar dhe rindërtuar 1020 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar 108 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh, 103 shkolla. 26 milion euro mbështetje për logjistiken e universiteteve publike , 63 milion euro për rrjetin elektrik, janë subvencionuar në Vorë dhe në qarkun e Tiranës, mbi 1500 projekte dhe mbi 1500 fermerë. Ne kemi bërë gjithçka për ta bërë jo vetëm Tiranën qytet, por edhe fshatrat, zonat e saj rurale, zona të zhvilluara zona tërheqëse për investimet e huaja” - u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha tha se alternativa e qeverisë është Vora e zhvilluara, Shqipëria e zhvilluara, ndërsa përballë kësaj alternative qëndron alternativa e taksë së Kolekës, alternativa e rrënimit të biznesit.
“Ne,- tha Kryeministri Berisha, -synojmë me paketën e re fiskale ti japim një fuqizim të madh biznesit, ne besojmë se është biznesi gjeneratori i mirëqenies shoqërore, nuk është qeveria. Zotëria e tij (Rama) kërkon një shoqëri që të punojë për qeverinë, ne kërkojmë një qeveri që të punojë për shqiptarët. Ky është dallimi esencial dhe këtij dallimi do ti përmbahemi për sa kohë shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancës”.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryeministri Berisha u shpreh:
“I nderua z. Ministër
I dashur miku im Fiqiri Ismaili
Të dashur miq, të ftuar, punonjës të fabrikës “Diamond”
Së pari në emër të qeverisë dëshiroj t’ju përshëndes shumë përzemërsisht ju i dashur Fiqir, të përshëndes familjen tuaj, ekipin tuaj të mrekullueshëm të AgroBlend, që inaugurojmë sot fabrikën më të madhe me moderne të prodhimit të miellit dhe të nënprodukteve të tij në Shqipëri.
Histori kjo që u bë e mundur falë suksesit, në rritje të kompanisë suaj AgroBlend, kompani lider në vendin tonë. Kompani, e cila krijoi reputacionin të bazuar para së gjithash në ndershmërinë, në integritetin dhe në aftësitë e presidenti të saj Fiqiri Ismaili.
Ky investim prej 8 milion eurosh, ka një vlerë të madhe dhe është një vlerë e shtuar për ekonominë shqiptare, është një vlerë e shtuar për familjet shqiptare, të cilat do të gjejnë në prodhimet e fabrikës “Diamond”, cilësitë më të larta, do të gjejnë në prodhimet e saj garancitë më të mëdha. Kjo kompani drejtohet nga njëri prej biznesmenëve më të suksesshëm, më të aftë dhe më të ndershëm të vendit.
Zonja dhe zotërinj
Unë jam sot këtu për të garantuar presidentin e AgroBlend dhe të gjitha bizneset, se qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që investimi i tyre, mundi djersa e tyre, të jetë gjithnjë një histori e vërtetë suksesi. Reformat kanë qenë dhe mbeten leva e vërtetë e Arkimedit në historinë e zhvillimit të Shqipërisë.
Sot këto reforma janë bërë të njohura , ose kanë bërë jehonë jo vetëm në Shqipëri dhe në Rajon, por edhe në Europë dhe në Botë. Duhet t’ju informoj ju se vetëm pak kohë më parë zëvendës presidenti i Bankës Botërore do të deklaronte se Shqipëria është një histori e vërtetë zhvillimi të suksesshëm. Të njëjtën gjë, do të konfirmonte presidenti i BERZH-it. Vetëm dy muaj më parë në Tiranë, Shqipëria vlerësohet si një nga historitë më të rralla të zhvillimit dhe kjo histori zhvillimi i detyrohet në radhë të parë shqiptarëve punëtorë, shqiptarëve të sakrificës, shqiptarëve që me ambicien më pozitive bëjnë gjithçka për të përmirësuar jetën e tyre, të familjes së tyre të komunitetit të tyre. Por kjo histori suksesi do të ishte e pamundur pa reformat e mëdha të ndërmarra nga kjo qeveri dhe suksesi i këtyre reformave.
Ne erdhëm në pushtet në një kohë kur Shqipëria kishte marrë investime të huaja në tete vite të marra sëbashku si mesatare, gjithsej 38 milion dollarë, në një kohë që Maqedonia, e cila kishte kaluar në një konflikt në ato vite, kishte arritur të marrë në të njëjtën periudhe 72 milion dollarë investime.
Sa kanë qenë investimet e huaja të dashur miq katër vitet e fundit. Katër vitet e fundit investimet e huaja në këtë vend kanë qenë mbi një miliard dollarë. Vitin e kaluar agjencia Ndërkombëtare Tregtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara , do të deklaronte se Shqipëria mori investime të huaja më shumë sesa e kishte kapacitetin dhe kjo u bë e mundur vetëm e vetëm nga reformat, që bënë tërheqëse Shqipërinë. U bë e munduar nga ulja e tatim fitimit nga 25 përqind në 10 përqind. U bë e mundur nga ulja e tatimit mbi të ardhurat personale , nga 23 në 10 përqind. U bë e mundur nga ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore nga 42 në 25 përqind. U bë e mundur nga përpjekja e përbashkët e madhe për të përmirësuar klimën e biznesit. Në rast se një biznesmen më parë për të regjistrua biznesin e tij i duheshin muaj dhe duhet të paguante 4 mijë euro tarifë, duhet të kalonte së paku 42 ditë. Sot çdo biznesmen e regjistron biznesin e tij për 30 minuta, me një euro dhe jam këtu për t’ju dhënë fjalën se shumë shpejt do ta regjistrojë nga celulari i tij, nga shtëpia e tij, nga kompjuteri i tij, pa u paraqitur fare në zyra.
Këto investime u bënë të mundura dhe Shqipëria u bë vend tërheqës, sepse ne vendosëm metodat më moderne, pagesën dixhitale të taksave, të doganave dhe kështu me radhë.
Pak ditë më parë po drekoja me një mik të shquar dhe më thotë gjatë drekës se; - nivelet i keni të shkëlqyera, por bizneset harxhojnë shumë kohë për pagesën e taksave. I them; - kjo është e shkuara. Bizneset nga java që vjen do të paguajnë taksat nga celulari i tyre dhe ne këtë e bëmë realitet, dhe së shpejti ju garantoj se do të bëhemi vendi i dytë në Europë, që edhe doganat të gjitha të paguhen nga celulari ose nga kompjuteri.
Ne së pari ju besojmë reformave tona dhe ju qëndrojmë reformave tona. Ne nuk jemi penduar pse kemi ulur taksat, jo, përkundrazi në paketën e dytë të madhe ne bëmë uljen tjetër më të madhe në histori të taksave në Shqipëri. Ne hoqëm taksat për të gjitha makineritë që do të vijnë në vend për të ndërtuar biznese prodhimi. Ne hoqëm taksat për të gjitha inputet bujqësore, që përdoren për vitet e prodhimit. Ne hoqëm tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë punonjësit me pagë nën 30 mijë lek. Ne hoqëm çdo lloj detyrimi tatimor për të rinjtë që do të punësohen nga bizneset për 3 vjet me radhë. Ne do të bëjmë gjithçka që t’ju shërbejmë biznesmenëve dhe qytetarëve në mënyrën më të kulturuar dhe t’ju ofrojmë atyre në celularin e tyre ose në kompjuterin e tyre, të gjitha shërbimet e këtij shteti.
Zonja dhe zotërinj
Investimet u rriten ne një miliard. Çdo vit në katër vitet e fundit Shqipëria ka marrë në mbi një miliard dollarë investime të huaja dhe më të mëdha shumë, kanë qenë investimet e biznesmenëve të vendit. Por kjo u bë e mundur sepse ne këto vite, siç e keni parë, ju kemi ndërtuar një nga infrastrukturat më moderne. Vetëm në bashkinë e Vorës, kryetari i bashkisë në bashkëpunim me qeverinë ka ndërtuar 50 kilometra rrugë, kundrejt 12 kilometra gjithsej që u ndërtuan në kryeqytet në Tiranë, në 4 vitet e fundit të mandatit të z. Rama. Janë ndërtuar 3 ujësjellësa, janë ndërtuar 6 kopshte dhe shkolla, 5 qendra shëndetësore si dhe është fuqizuar rrjeti elektrik. Dua të jem i hapur me ju, kryetari juaj gjatë gjithë kësaj periudhe më ka trokitur në derë shumë e shumë herë, por absolutisht as edhe njëherë të vetme për problemet e biznesit të tij, në të gjitha rastet për problemet e bashkisë së tij, qytetarëve të kësaj bashkie dhe të këtij komuniteti.
Dhe unë jam këtu për ta garantuar se çdo projekt të kësaj bashkie do ta bëjmë sëbashku realitet, do të asfaltojmë çdo rrugë të saj, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë sistemin e ujësjellësve, kanalizimeve, vaditjes do të bëjmë gjithçka për Vorën industriale, për Vorën agro-bujqësore, për Vorën e zhvilluar.
Ndokush mund të mendojë se këtu janë bërë favorizime. Jo, gabojnë. Në qarkun e Tiranës kam kënaqësinë t’ju informoj se gjatë këtyre viteve janë ndërtuar dhe rindërtuar 1020 kilometra rrugë, janë ndërtuar dhe rindërtuar 108 sisteme ujësjellësish dhe kanalizimesh, 103 shkolla. 26 milion euro mbështetje për logjistiken e universiteteve publike , 63 milion euro për rrjetin elektrik, janë subvencionuar në Vorë dhe në qarkun e Tiranës, mbi 1500 projekte dhe mbi 1500 fermerë. Ne kemi bërë gjithçka për ta bërë jo vetëm Tiranën qytet, por edhe fshatrat, zonat e saj rurale, zona të zhvilluara zona tërheqëse për investimet e huaja. Alternativa jonë është Vora e zhvilluara, Shqipëria e zhvilluara, ndaj dhe ne po ndërmarrim reforma të mëdha, të cilat në katër vitet që vijnë të lartësojnë Shqipërinë në horizontet që ajo meriton.
Sot ka një alternative tjetër, e cila thotë se do të vendosë taksën progresive. Vendimi parë që miku im Fiqiri Ismaili dhe të gjithë miqtë e tij në biznes do të ishte në këtë rast, shkurtimi, përgjysmimi i vendeve të punës, sepse në qoftë se qeveria u merr para për punëtorët nuk mbeten rroga dhe kjo politikë, e cila synon dhe vë në shënjestër më të pasurit, kjo është politika, e cila rrënoi Shqipërinë. Shqipëria kishte të pasur para luftë dhe gjatë luftës. Lufta kundër tyre solli varfërimin me ekstrem të Shqipërisë, ndaj dhe i them z. Rama se më mirë hiq dorë nga dashuria për dajën tënd, sepse taksat e Kolekës ky vend nuk do ti pranojë kurrë. Shko vëri buqeta me lule tek varri çdo javë bëj ç’të duash nuk ndërhyjmë, por me taksat mos u ngatërro, sepse taksa progresive është taksa shkatërrimtare.
Zotëria pretendon se ka zbuluar Amerikën kur thotë se kryeministri paguan të njëjtën taksë me mësuesin apo me infermierin dhe bën një mashtrim të shumëfishtë. Po, unë do t’ju them juve se kur erdhëm ne në pushtet, kryeministri merrte 9.8 rroga arsimtarësh, merrte 13-15 rroga infermierësh, ne i dhamë fund kësaj periudhe. Këto janë tipare të vendeve diktatoriale, ato krijojë diferenca stratosferike në paga. Vendet e qytetëruar në sektorin publik nuk e bëjmë kurrë një gjë të tillë. Sa është sot diferenca midis pagës së kryeministrit dhe të arsimtarit? 4.8 herë. Sa paguan kryeministri? Kryeministri paguan 4.8 herë më shumë sesa arsimtari për rrogën e tij. Kjo është e vërteta. Taksën proporcionale zotëria do ta paraqesë si taksë të barabartë dominale, një mashtrim fund e krye shumë bajat dhe primitiv. Alternativa jonë të dashur miq është, që katër vitet që vijnë çdo shqiptarë, të mund të prekë, të ketë në buxhetin e tij, në konton e tij, në familjen e tij të ardhura shumë më të mëdha se këto që ka sot dhe këtë ne do e shndërrojmë në realitet. Ne synojmë me paketën e re fiskale ti japim një fuqizim të madh biznesit, ne besojmë se është biznesi gjeneratori i mirëqenies shoqërore, nuk është qeveria.
Zotëria e tij kërkon një shoqëri që të punojë për qeverinë, ne kërkojmë një qeveri që të punojë për shqiptarët. Ky është dallimi esencial dhe këtij dallimi do ti përmbahemi për sa kohë shqiptarët do të votojnë këtë mazhorancës.
Dhe njëherë urime për këtë investim të shkëlqyer prej 8 milion eurosh, që bën AgroBlend, lider në teknologji, në cilësi dhe sasi në të gjitha parametra në vend dhe më gjërë.”
09/03/2013