Fjala kryeministrit Berisha në tubimin elektoral të Rrogozhinës

Të dashur qytetarë dhe qytetare të Rrogozhinës
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që i keni dhënë Partisë Demokratike.
Unë jam sot tek ju, për t’ju garantuar ju, se me deputetët e Rrogozhinës dhe kryetarin e Bashkisë do bëjmë çdo gjë që katër vitet e ardhshme të shndërrojmë në realitet, çdo program, çdo projekt për Rrogozhinën e zhvilluar, Kavajën e zhvilluar dhe Shqipërinë e zhvilluar.
Në këto pak vite, ne takohemi njëri me tjetrin, pasi së bashku kemi firmosur ndryshimet të mëdha në historinë tonë. Së bashku, ne ja dolëm të anëtarësohemi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, aleancën më të fuqishme të kohërave. Së bashku ne ja dolëm të lëvizim të lirë pa viza në mbarë Evropën, të firmosim marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, kontratën më të madhe historike me Evropën. Të meritojmë statusin e vendit kandidat që na e bllokoi shoku Rama për 236 ditë, por që në fund u detyrua që të vijë dhe ta votojë.
Në një hark kohorë të shkurtër, Shqipëria do të ketë statusin e vendit kandidat dhe do të hapim negociatat me Bashkimin Europian. Por këto vite nuk kanë qenë vite pa vështirësi, pa sakrifica, por së bashku kemi ndërtuar dhe rindërtuar në Shqipëri mbi 10 mijë kilometra rrugë. Sot, qytetarët shqiptarë nga të katër anët e vendit kanë një gjeografi tjetër, një kohë shumë më të shkurtër për të mbërritur në destinacionin e tyre. Gjatë ndërtimit të rrugëve ne punësuam mbi 57 mijë shqiptarë, në këto vite ne ndërtuam dhe rindërtuam mbi 1300 shkolla, korpuse universitetesh, trefishuam numrin e studentëve. Në këto vite të krizës ekonomike europiane dhe botërore me politikat që ndoqëm bizneset në Shqipëri u rritën, bizneset e vogla me 80%, bizneset e mesme dhe të mëdha me 200 dhe 300%, u dyfishuan rrogat e mësuesve, infermiereve dhe mjekëve. U dyfishuan pensionet në fshat, rritëm pensionet e tjera.
Këto vite, ishin vite ku Shqipëria, nga një vend inekzistent në hartën e Europës dhe botës u shndërrua sipas Bankës Botërore në një nga 10 destinacionet kryesore turistike. Një nga 10 vendet më shumë. Në këto vite ne filluam së bashku financime dhe projekte për fermerët e Rrogozhinës, ne financuam së bashku 45 mijë fermerë. Me investimet tona, me investimet private në bujqësinë shqiptare u punësuan në katër vite që shkuan mbi 100 mijë shqiptarë.
Në këto vite, Shqipëria e cila pothuaj nuk njihte internetin, Shqipëria e cila ishte në fundin e botës për moshën dixhitale, me shpejtësinë më të madhe erdhi në moshën dixhitale dhe sot interneti falas jepet në çdo skaj të Shqipërisë. Çmimet e telefonisë celulare një taksë e re që rëndonte mbi ju, sot janë 33 herë më të ulëta se sa ishin 5-6 vite më parë. Shqipëria në sajë të reformave ja doli katër vitet e fundit në kulmin e krizës evropiane të rritë me 316 % investimet e huaja, të marrë 4.2 miliardë dollarë investime me të cilat u krijuan dhjetëra, mijëra vende pune.
Eksportet e fermerëve të Divjakës, të fermerëve shqiptarë, eksportet industriale në Shqipëri, gjatë këtyre viteve janë rritur nga 66 miliardë në 212 miliardë, pra kanë njohur një rritje mbi tre herësh.
Vëllezër dhe motra
23 qershori është zgjedhja juaj. Ju do zgjidhni midis kësaj alternative me të cilën u anëtarësuat në NATO, me të cilën lëvizni të lirë në Europë, me të cilën merituat statusin e kandidatit dhe alternativës tjetër që bëri gjithçka që ju të mos merrnit vizat, që bëri gjithçka për të humbur një vit statusin, që protestoi të nesërmen e anëtarësimit në NATO.
Më 23 qershor, ju do të zgjidhni midis alternativës së shkollimit të fëmijëve tuaj apo mbylljes së dyerve të Universiteteve sepse ai konsideron piramida dhe do të rikthejë sistemin e vjetër në pranimet universitare ku 2/3 e të rinjve shqiptarë nuk hynin dot në Universitet dhe ëndrra e tyre më e bukur, ëndrra universitare mbyllej, shkatërrohej dënohej për shkak të normave absurde të vendosura nga qeveria.
Më 23 qershor, ju do të zgjidhni midis alternativës së rritjes së rrogave dhe pensioneve apo alternativës së rritjes së taksave. Me një spekullim të pashembullt, shoku i autobusit ju thotë juve se në Shqipëri 400 mijë qytetarë mbajnë frymën nga biznesi i vogël, i cili paguan taksën e biznesit të vogël sipas tij, paguan taksën e sheshtë , paguan TVSH-në. Tri herë mashtrime, tri herë trillime, taksën e biznesit të vogël paguhet sot, me taksën e sheshtë më pak se sa paguante me tatimin mbi xhiron. Sot në Shqipëri, TVSH paguajnë gjithsej 27 mijë biznese, 300 mijë të tjera janë në autobuizin e Edi Ramës.
Shoku i autobuzit ka shpallur tani sihariqin se do heqë taksat për 5 ushqimet bazë.
Vëllezër dhe motra, fermerë të Rrogozhinës,
Heqja e taksave për 5 ushqimet bazë është shkatërrimi përfundimtar i mundit , i djersës që ju keni derdhur për ngritjen e fermave tuaja. Taksa e vlerës së shtuar mbi grurin, mishin, qumështin, vezën, miellin është taksa e mbrojtjes së prodhimeve tuaja sepse në rast se hiqet ajo taksë, së pari prodhuesit e mëdhenj të botës, Ukraina, Kanadaja, Argjentina, do të mund të sjellin në Shqipëri grurin, 20 % më lirë, do të mund pra të konkurrojnë, të rrënojnë prodhimet tuaja. Vendet e BE do të mund të sjellin me anij , me kontejnerë, qumështin, djathin pa tvsh dhe qumështi juaj, prodhimet tuaja të mbeten në shtëpi. Në qoftë se hiqet tvsh për vezët, ato nuk do të kenë më vlerë sepse vezët e pularive gjigande të Evropës, do të rrënojnë prodhimin tuaj.
Po cila është politika jonë? Asnjërën nga këto taksa nuk e heqim, do të bëjmë gjithçka për tu mbrojtur ju, sepse ju vetëm 4 vite ka që merrni subvencion, ndërsa të tjerët janë bërë gjigand, duke marrë miliona dollarë subvencione. Politika jonë është jo heqje e Tvsh për prodhimet bujqësore, por rritje e madhe e rrogave dhe pensioneve.
Ne kemi rritur rrogat e mësuesve me 120 deri në 150 %, kemi rritur pensionet në fshat me 100 %, pensionet në qytet me 70-80 % dhe kemi bërë këtë për të rritur forcën blerëse të qytetarëve shqiptarë. Ata që ju thonë ju se rritja e rrogave nuk ka përballuar rritjen e çmimeve, vëllezër, po ju them rritja e rrogave dhe pensione, ka qënë dy herë më e lartë se sa rritja e çmimeve.
Me këto taksa shoku i autobusit po luan me të ardhurat, po luan me djersën ,me mirëqenien e 45 % të popullatës shqiptarë, fermerëve shqiptarë.
Biznesmenë të Rrogozhinës,
Edi Rama po mashtron , do të heqë takën e biznesit të vogël, do të heqë taksat tha para disa ditësh , tani tha do ti ul për 95 % të shqiptarëve. Cili nga ju beson se heqja e tvsh për miellin, për grurin, për qumështin do të bëjë të përfitojë qytetarët? Me heqjen e tvsh do të përfitojnë monopolet e PS të cilat do të kontrollojnë tregtinë e ushqimeve për tu bërë miliarderë. Hidhni sytë përreth grupit të tij, një grup miliarderësh me korporata të pashpirt, të cilat nuk shohin gjë tjetër veçse pasurimit të tyre të paligjshëm.
Qytetarë dhe qytetare shqiptarë
Edi Rama mashtron dhe do tu servirë u taksën progresive si taksë të ndershme. E ndershme mbi tokë është vetëm taksa e të dhjetave. Janë vetëm të dhjetat të caktuara në librat e shenjtë, është taksa më drejtë, e ndershme, ai që ai që fiton dhjetë, paguan 1, ai që fiton 100, paguan 10, ai që fiton 1000, paguan 100. Ai që merr më shumë, paguan më shumë, kjo është e drejta, kjo është e ndershmja.
Vëllezër e motra,
Shoku i autobuzit ka probleme të mëdha me autobuzin sepse nga xhamat e zi të tij NATO-ja i duket natë, BE thotë nuk është as bukë dhe ujë dhe mirë bëra që i pengova, mësuesit tanë të mrekullueshëm i duken injorantë dhe më të padijshëm se 100 vite më parë, fëmijët tan,ë nxënësit tanë i duken dele që hyjnë në klasa. Policët i shan i quan bagëti, duke patur në krahë, familjarë vrasësish, deputetë të tij.
Maliqi dhe Korça i dukeshin mesjetë, trikoja ime i duket parzmore, Zoti e ndihmoftë të dalë nga kjo gjendje, se duket se është ën vuajtje të madhe.
Prandaj dhe në le të ecim përpara për krijimin e 250 mijë vendeve të punës, duke hequr çdo taksë mbi çdo lloj makinerie, materiali që duhet për prodhim në të gjitha llojet e bizneseve. Ne morëm 4 miliard dollarë, do të marrim 6 miliard dollarë investime. Vetëm në tre projekte Devolli, TAP-, gazifikimi kanë së bashku 2 miliardë dollarë.
Ne ecim përpara për të punësuar 250 mijë qytetare sepse vetëm në turizëm këto vite, direkt dhe indirekt janë punësuar 150 mijë shqiptarë. Ne që arritëm të kemi vitin e kaluar 4,7 milionë turistë, 4 vitet që vijnë ne do të kemi 7 milion turistë. Ne ecim përpara për të punësuar 250 mijë shqiptarë sepse 4 vitet e shkuara me 56 milion dollarë që subvensuionuan fermerët shqiptare dhe investimet e tyre private, punësuam në fermat tona 100 mijë shqiptarë. 4 vitet që vijnë duke rimbursuar me para në dorë tvsh për makineri, fidanë, fara, çdo gjë që nevojitet në sektorin e bujqësisë, duke trefishuar grantet, ne do të punësojmë së paku 130 mijë shqiptarë. Ne që punësuam këto vite, 13 mijë qytetarë në Shqipërinë dixhitale, 4 vitet e ardhshëm do të punësojmë 26 mijë prej tyre.
Në të katër anët po ndërtojmë HEC. Gjatë viteve të shkuara u ndërtuan 53 HEC, 72 janë në ndërtim e sipër. Qindra të tjerë presin të fillojnë. 4 vitet që vijën në Devoll dhe kaskada të tjera të lumenjve tanë do të punësojmë së paku 30 mijë shqiptarë.
Plani ynë është konkret dhe i ndershëm. Plani ynë punëson. Biznesi na beson, biznesi ndërkombëtar na beson, le të ecim përpara drejt Shqipërisë së zhvilluar evropiane,
Votoni 44 , ju jap fjalën dhe ju jap fjalën se çdo projekt për ju do ta bëjmë realitet. Votoni 44 për integrimin e Rrogozhinës, integrimin e Shqipërisë në BE.
Përpara , përpara, përpara!
04/06/2013