Fjala përshëndetëse e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli me rastin e vizitës së Kryeministrit të Kosovës, z. Hashim Thaçi në Kuvendin e Shqipërisë
I nderuar zoti Kryeministër Thaçi
Shkëlqesi Ambasadorë
Të nderuar kolegë Deputetë
Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë që në emrin tuaj, ti uroj nga zemra mirëseardhjen zotit Hashim Thaçi, Kryeministrit të Kosovës, shtetit më të ri të Europës dhe botës, por njëherazi të Kosovës, vendit me histori të lashtë e të vonë të ngjizur me vokacion shpirtëror evropian dhe me qëndresë të paepur në emër të vlerave të perëndimit.
Vizita e Kryeministrit të Kosovës së pavarur në Tiranë shënon një ngjarje historike në marrëdhëniet midis dy shteteve tona që rrahin me një zemër për të njëjtin vizion, perspektivën europiane, për një të ardhme të përbashkëtnë Bashkimin Europian.
Ajo do të mbetet një ngjarje e shënuar sepse vjen menjëherë pas miratimit nga ligjvënësit në Prishtinë të Kushtetutës së Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, si shprehje e vullnetit të patjetërsueshëm të popullit të Kosovës për pavarësinë të shumëpërpjekur, të shumëmerituar, të shumëëndërruar, të shumëpritur dhe të shumëuruar nga shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe kudo që ata janë.
Kjo kushtetutë tok me flamurin dhe himnin e saj formësojnë ligjërisht Kosovën si shtetin më ri por për ne shqiptarët ato përbëjnë simbolet e mrekullueshme që mishërojnë veprën e mitit të pavarësisë dhe shqiptarit të madh, Ibrahim Rugova, të kreshnikut të pamposhtur Adem Jashari dhe shumë e shumë luftëtarëve ndaj të cilëve të gjithë shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, e kudo përkulen me nderim të thellë dhe mirënjohje të përjetshme.
Unë jam shumë e kënaqur zoti Thaçi që në emër të deputetëve këtu kam mundësinë tJu përcjell urimet tona më të mira për suksesin e qeverisjes, nën drejtimin tuaj, për progresin dhe begatinë e popullit të Kosovës, dhe njëkohësisht tJu shpreh mbështetjen e plotë të parlamentit shqiptar për përmbushjen e misionit tuaj.
Duke shprehur bindjen se bashkëpunimi dhe kontaktet midis nesh do të njohin zhvillime të reja të vrullshme, se do të jemi gjithnjë bashkë në perspektivën tonë evropiane, më lejoni, të nderuar deputetë, ti jap fjalën Kryeministrit të Kosovës zotit Hashim Thaçi.