E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fjalimi i Metës në Pragë, Rama braktis Kongresin e IS-së



Kryetari i PS-së, Edi Rama, braktis sallën në të cilën zhvillohej Kongresi i Partive Socialiste Evropiane gjatë fjalimit të kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Në këtë mënyrë, Rama ka vijuar bojkotin edhe në Pragë, ku ndodhet në Kongresin e Partive Socialiste Evropiane. Në këtë kongres ishte i pranishëm edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. Rama është çuar dhe është larguar nga salla në mënyrë demonstrative në momentin që fjalën e mori Meta. Në një komunikim për TV Klan, Meta deklaroi se Rama bojkotoi mbledhjen e kongresit në momentin që e drejta e fjalës iu dha atij. Ministri i Jashtëm, Meta, e cilësoi si akt për të ardhur keq dhe jo demokratik daljen jashtë nga salla të kreut të PS-së, Edi Rama. “Ishte për të ardhur keq që gjesti jo tolerant dhe jo demokratik i tij, i largimit nga ky takim pune në momentin që unë, sikurse u ftova, fillova të mbaja fjalën time dhe të ekspozoja edhe situatën në Shqipëri, por edhe politikën e Shqipërisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, - deklaroi Meta. Kreu i LSI-së tha më tej se në këtë takim që ishte organizuar për të majtën evropiane, Rama e shfrytëzoi për të justifikuar politikën e tij të bojkotit në Shqipërisë. Meta tha se ai ndoqi me interes fjalën e Ramës në këtë kongres para liderëve të së majtës evropiane dhe shtoi se Rama nuk dha argumente për bojkotin që opozita po bën në Shqipëri. “Sigurisht që unë e dëgjova me shumë vëmendje zotin Rama, pavarësisht se pak a shumë qëndrimet e tij ishin po ato që mban zakonisht në Tiranë dhe në politikën tonë të brendshme, kuptohet pa argumentet e nevojshme për të justifikuar pozicionin e bojkotit edhe njëkohësisht pa vullnetin e duhur për një qëndrim konstruktiv, në mënyrë që opozita të luaj rolin që i takon në proceset demokratike në vend dhe sidomos integrimit evropian të vendit”, - tha Meta. Ministri i Jashtëm tha më tej se në këtë takim ai ishte ftuar së bashku me Ramën për të folur dhe shkëmbyer pikëpamje për të majtën dhe problemet e saj. “Natyrisht që, veç shumë drejtuesve të tjerë, u ftua dhe z.Rama, u ftova dhe unë për të folur dhe për të thënë pikëpamjet tona lidhur më rolin e Shqipërisë për sa i takon kontributit të integrimit të Ballkanit Perëndimor, por edhe për të shkëmbyer pikëpamje të ndryshme në lidhje me zhvillimet e fundit”, - shtoi Meta. Ministri shtoi më tej se takimi i Partive Socialiste Evropiane kishte si qëllim diskutimin e situatës politike të së majtës në mbarë kontinentin. “Kongresi i Partive Socialiste Evropiane, që po zhvillohet këtu në Pragë, është një ngjarje shumë e rëndësishme, pasi synon rimarrjen e forcave dhe të energjive të së majtës evropiane, Bashkimit Evropian dhe kontinentit tonë, pas një situate jo shumë të këndshme në përgjithësi elektorale në disa vende”, - tha z.Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›