Kore: Urdhri i Alisë për të masakruar
Dhjetor i viteve ’90, ju keni filmuar ngjarje që tani janë pjesë e historisë së rëndësishme të vendit...
Fillimi i protestave në Qytetin Studenti u pasqyrua në TVSH, por censura e asaj kohe bënte të mundur jo më shumë se disa sekonde. Shumë xhirime u bënë në ditët e protestës së studentëve në grevën e urisë, vendosmëria e studentëve dhe pedagogëve për ta konkretizuar grevën mbështetur nga shumë qytetarë dhe qytetare të Tiranës që shtoheshin me qindra e mijëra për çdo ditë që kalonte. Zemërimi më i madh ishte kur ish-kreu i Kuvendit, Adil Çarçani, e quajti të paligjshme. Ky lajm u dha rreth orës 12:00. Bashkë me gazetarin Fiqiri Sejdia shkuam në Qytetin Studenti, aty pamë indinjatë të madhe, duke u shprehur kundër qeverisë së asaj kohe dhe deklaronin se greva nuk do të pushonte.
Ishit në takimin e studentëve me Ramiz Alinë?
Kam qenë unë duke ndjekur bisedën e Alisë me studentët. Ka zgjatur rreth dy orë, i gjithë debati. Aty Ramiz Alia, ku herë i përkëdhelte e këtej i shante, u thoshte që greva ishte e paligjshme. Këmbëngulja e studentëve ishte e madhe që të lejohej pluralizmi në Shqipëri si domosdoshmëri, ashtu si në të gjithë Evropën. Dallohej zëri i Azemit, Arben Imamit, Arben Demetit, që veçoheshin. Meqë gazetarët e televizionit ishin ulur në fund të sallës, i dhashë mikrofonin Azemit që të më ndihmonte. Azemi mori mikrofonin dhe bëri gazetarin në atë takim me Ramiz Alinë, duke u dhënë fjalën të gjithë studentëve që ishin në atë takim. Shquhej vendosmëria e tyre që ishin në një mendje dhe ideal të jashtëzakonshëm.
Na çuan për të filmuar të gjithë takimin dhe na thanë se do vendosin më pas në do jepet, e filmuam të gjithë dhe në lajme u dha pak sekonda, jo më tepër se një minutë dhe pjesa tjetër u arkivua dhe gjithë ky xhirim nuk është në TVSH, por mbase në televizione të tjera. Ramiz Alia e pranoi më në fund dhe përpiqej të zbuste situatën. Në TVSH në atë kohë gjendja ishte e mjerueshme, nuk kishte letra, karburant dhe mjete të tjera.
Sapo mbaruam takimin me Alinë, që deklaroi njohjen e pluralizmit, por të mos krijojmë problem, pastaj shkuam te studentët. Aty ishin gjithë qytetarët e Tiranës. Aty ishte Sali Berisha me sa kujtoj, në dhjetor, ku dha dhe intervistën e parë që përgëzoi studentët për guximin dhe vendosmërinë në takimin me Ramiz Alinë. Ai falënderoi popullin e Tiranës. Gjithë studentët donin të merrnin mikrofonin dhe të flisnin. Ishte dhe Ben Broci, një ndër më aktivët. Gëzimi ishte i papërshkruar dhe të rrëmbente ngjarja. Pastaj prinin Berisha, Meksi, Pashko, Hajdari, Imami që drejtonin. Zgjati deri në orët e mesnatës dhe më pas njerëzit u shpërndanë dhe Tirana u gdhi më e qetë. Me datë tetë, një miting i jashtëzakonshëm, me mbi 100 mijë vetë, e gjithë Tirana ishte shpërngulur në Qytet Studenti.
Kishit emocion?
Ishin të jashtëzakonshme, entuziazëm, kudo që të fokusoje kamerën, shihje gëzim dhe një shpresë të madhe.
Dalja në shesh?
Nuk kishte më as policë, një organizim perfekt, një nga mitingjet e rralla në jetën time, i përsosur për nga organizmi i të gjithë studentët. Pas mitingjeve Alia largoi shumë anëtarë byroje dhe bashkëpunëtorë të tij, duke i zëvendësuar ata.
Vështirësi?
Po ka pasur shumë vështirësi, xhironim dhe jepnim shumë pak. Bëmë intervista dhe studentë e qytetarë shprehnin zemërimin e tyre. Hajdari, Imami, Demeti, Vejsiu, Selami ishin ata që flisnin më tepër.
Po kur u rrëzua monumenti?
Që në mëngjesin e asaj dite na thirrën në drejtori dhe na thanë se katër operatorë, Engjëll Strazimiri, Besnik Shima, Gasper Shllaku dhe unë të vendoseshim në katër pika të ndryshme të sheshit, të cilat ishin të përcaktuara më parë dhe të regjistronim atë që do të ndodhte, sepse po atë ditë mendohej se do të rrëzohej monumenti i Enver Hoxhës.
Këtë jua thanë në mbledhje?
Sigurisht që po. Me sa duket një gjë e tillë ishte e parapërgatitur, shefat tanë mund të dinin më shumë dhe ne shkuam e zumë pikat që na përcaktuan. Vendi im ishte poshtë monumentit të Skënderbeut, por në të njëjtën kohë grupit tonë iu shtua dhe një tjetër operator, që e vunë përballë bustit të Enverit, në Pallatin të Kulturës, në katin e tretë. Bashkë me ne ishte dhe gazetarja Amalia Dhamo, për të bërë një intervistë. Duke qenë se ai ndodhej në pikën më dominuese nga ne të gjithë, ku kamera merrte të gjithë sheshin, regjistroi të vetmet pamje që kanë mbetur në arkiv, pasi të katërt ne nuk mundem të merrnim pastër rrëzimin e monumentit. Unë regjistrova lëkundjet e monumentit, por në vendin ku isha, më fluturonin gurët nga të gjitha anët, shto dhe të shtënat e policisë me armë dhe nuk arrita ta stabilizoja kamerën. Përveç këtyre dhe presioni i njerëzve që më shtynin ngado dhe nuk më linin të bëja detyrën.
ǒndodhi pas rrëzimit të monumentit?
U ktheva me shpejtësi në TVSH dhe në korridor pashë të mbledhur shtatë apo tetë veta. Virgjil Kule ishte drejtor i TVSH, Alfons Gurashi, Amalia Dhamo, Timo Luto, Fiqiri Sejdia e po diskutonin nëse duheshin transmetuar pamjet apo nuk duhej bërë një gjë e tillë. Atëherë Virgjil na tha: “Po shkoj të bisedoj me Ramiz Alinë”. Pasi nuk u lidh dot në telefon me Ramizin, ai erdhi të merrte dhe një herë mendimin tonë, nëse duheshin transmetuar pamjet në ato kushte. Ne të gjithë ishim dakord që pamjet të bëheshin të njohura për teleshikuesit, atëherë ai vendosi për transmetimin e pamjeve, ku shihej monumenti i Enver Hoxhës që rrëzohej përdhe dhe urdhëroi Alfons Gurashin që të përgatiste kronikën. Kronika pati shumë jehonë, sepse për herë të parë TVSH transmetonte një kronikë që cilësohej kundër regjimit, ku binte kulti i drejtimit komunist.