E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Siguria”, mazhoranca: Pas goditjes së bandave, është radha e mafies



Mazhoranca është e vendosur për të luftuar mafien në një nivel tjetër dhe këtë siguri e shfaqi dje në prani të shumë personaliteteve ndërkombëtare e përfaqësues nga vendet e rajonit. Kuvendi i Shqipërisë organizoi dje konferencën “Forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë për një anëtarësim të shpejtë të Evropës Juglindore në BE”, ku ishin të ftuar dhjetëra personalitete nga vende të ndryshme. Kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha u shprehën njëzëri se një etapë e re do të nisë kundër krimit të organizuar. Kryeministri Sali Berisha kërkoi nga të pranishmit njësim të legjislacionit, në mënyrë që, sipas tij, “mafies t’i digjet toka nën këmbë”. “Lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj partnerëve dhe ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë”, - tha z.Berisha. Kryeministri Berisha në konferencën rajonale të sigurisë. Përpara përfaqësuesve të rajonit dhe përfaqësuesve të Parlamentit Evropian, Berisha theksoi se duhet të miratohen ligje të përbashkëta. Sipas tij, duhen të goditen aktivitetet ekonomike të krimit. “Ne duhet të kemi ligje të njëjta, në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri dhe as në vende të tjera. Mafies duhet t’i digjet toka nën këmbë”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi se në harkun e 18 muajve, qeveria e tij arrestoi 1 mijë anëtarë bandash. “Në një hark të shkurtër kohor, prej 18 muajsh, u çmontuan më shumë se 206 banda e organizata kriminale dhe mbi 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u identifikuan, u gjetën, u arrestuan dhe u vendosën para ligjit”, - deklaroi Berisha. Kurse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, bëri të ditur se tashmë Shqipëria është një vend tjetër dhe theksoi se sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një luftë pa tolerancë kundër krimit të organizuar. “Një fazë e re nis për sigurinë. Është një kohë e re, janë sfida të reja. Do japim përgjigje të reja”, - deklaroi Topalli. Nga ana e tij Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, theksoi në konferencën e sigurisë rajonale se Shqipëria sot ndodhet në nivelin më të lartë të nivelit të sigurisë. Basha tha se sot kufijtë kontrollohen shumë herë më mirë se më parë. Ai shtoi se policia ka rritur efektivitetin në luftën kundër krimit të organizuar. Ministri shtoi më tej se Shqipëria është e gatshme për të bashkëpunuar më shumë me vendet rajonale për të goditur asetet kriminale. “Goditja e këtyre aseteve do të bëjë të mundur që paratë e pista, të cilat janë oksigjeni për krimin e organizuar, të shterojnë dhe ambienti shqiptar të jetë gjithnjë dhe më armiqësor për krimin”, - tha Basha.

Ndërkombëtarët, të pranishëm në konferencën rajonale të sigurisë, u shprehën në mbështetje të Shqipërisë dhe angazhimeve të qeverisë. Eduard Kukan, përfaqësues i Kryetarit të Parlamentit Evropian, Jerzy Buzek, njëkohësisht kryetari i Delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, tha se Parlamenti Evropian si institucion mbetet promotor i rëndësishëm për liberalizimin e vizave për të gjithë rajonin e Evropës Juglindore dhe se Traktati i Lisbonës ishte gjithashtu i rëndësishëm për vendosjen e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Wolfgang Grossruck, vlerësoi mbajtjen e kësaj konference në Tiranë dhe nënvizoi se ky takim nxit më tej forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›