E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamujt e partive “shpërthejnë” dy sherre në Tiranë

11/04/2011  Policia e Tiranës: Në Kashar donin të hiqnin flamujt e PD-së, në Bathore u qëllua makina e PS-së

TIRANË- Rreth dy incidenteve të djeshme, me motive politike policia e Tiranës shprehet zyrtarisht se “Rreth mesditës në ambientet e një lokali në afërsi të kompleksit “Aurora Grup”, në Kashar, në pronësi të shtetasve Fatjon dhe Genci Kamberi, kanë shkuar në ambientet e këtij lokali dhe janë konfliktuar Luan Sulaj, Shkëlqim Lleshi, Fred Sula dhe Zani Sula, me qëllim heqjen e flamujve të Partisë Demokratike dhe vendosjen e flamujve të Partisë Socialiste. Dy vëllezërit, pronarë të lokalit, nuk pranuan për heqjen e flamujve të Partisë Demokratike, pasi lokali është në pronësi të tyre. Më pas, autorët janë konfliktuar duke i qëlluar me sende të forta Fatjon dhe Genci Kamberin, të cilët janë larguar. Të dëmtuarit janë dërguar dhe trajtuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Ushtarak Tiranë. Ndërkohë, që është kapur Luan Sulaj, i cili po merret në pyetje në lidhje me sqarimin e rrethanave të këtij incidenti, si dhe do të procedohet penalisht. Rreth orës 16.00, në Bathore, dy automjete të tipeve “Volzvagen” dhe “Golf 3”, me drejtues Elvis Vladi dhe Ardian Aliu, kanë qenë duke qarkulluar në këtë segment rrugor dhe mbajtur flamuj të Partisë Socialiste. Gjatë lëvizjes, këto dy automjete janë ndaluar nga një shtetas (i cili është identifikuar tashmë nga policia), ka goditur me gurë dhe shkopinj në drejtim të dy automjeteve të sipërcituara, duke i dëmtuar ato, dhe më pas është larguar. Në Bathore kanë mbërritur shërbimet e hetimit dhe të parandalimit të krimit, të cilët kryen veprimet e para procedurale dhe hetimore, ndërkohë simpatizantë të Partisë Socialiste kanë mbërritur duke bllokuar segmentin rrugor. Për të qetësuar situatën, në vendngjarje kanë shkuar drejtues të policisë së Tiranës dhe komisariatit nr.5 për të sqaruar incidentin. Nga veprimet e para hetimore, rezulton se, autor i goditjes së automjeteve është identifikuar shtetasi K. B., i cili pasi është larguar nga vendngjarja është shpallur në kërkim policor dhe po punohet për kapjen e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›