E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, investimet e huaja u rritën me 17 për qind

11/04/2011  Kryesisht falë investimeve në sektorin energjetik

Investimet e Huaja Direkte gjatë 2010-ës u rritën ndjeshëm me rreth 17 për qind. Ky është një nga vlerësimet e bëra në Raportin Tremujor të Komisionit Evropian mbi zhvillimet makroekonomike të vendeve kandidate dhe potencialisht kandidate gjatë vitit 2010 dhe veçanërisht gjatë tremujorit të fundit të tij. Raporti vlerëson se këto investime janë favorizuar kryesisht falë sektorit energjetik që ka mundur të thithë më shumë investime. Si rrjedhojë, bilanci i përgjithshëm i pagesave rezultoi me një tepricë pozitive prej rreth 179 milionë euro duke rritur po në të njëjtën shumë stokun e rezervave valutore, të cilat janë të mjaftueshme për të financuar rreth 4.8 muaj import mallrash dhe shërbimesh. “Shqipëria mbetet një rast i veçantë në rajon, duke mundur të kapërcejë krizën globale pa përjetuar recension ekonomik, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto (GDP) vazhdoi të rritej më tej me 5.7% gjatë tremujorit të fundit të 2010”, - thekson raporti. Papunësia gjatë tremujorit të fundit vazhdoi të rritej në Kroaci dhe Islandë, ndërsa në vendet e tjera nuk u vu re ndonjë përmirësim konkret, përjashtuar në një farë mase Shqipërinë dhe Maqedoninë ku norma e papunësisë u ul lehtësisht gjatë gjysmës së dytë të vitit 2010. Në linjë me përshpejtimin e vazhdueshëm të aktivitetit ekonomik, situata në tregun e punës u përmirësua disi gjatë tremujorit të katërt të 2010-ës. Rritja në terma vjetorë e punësimit gjatë tremujorit të katërt të vitit 2010 arriti në2%, pas kontraktimeve të regjistruara gjatë të tre tremujorëve të parë të vitit. Si rrjedhojë, rritja e normës së papunësisë e përjetuar gjatë tremujorit të fundit të vitit 2009 dhe gjysmës së parë të vitit 2010 u stopua (u ndal) dhe qëndroi në 13.5% në tremujorin e katërt të vitit 2010.

Deficiti publik

Financat publike, të cilat u goditën ashpër nga kriza në 2009-ën, u përmirësuan ndjeshëm gjatë vitit 2010 në Turqi dhe Shqipëri ku deficiti publik u reduktua me respektivisht 42% në Turqi dhe me 58% në Shqipëri. Deficiti publik rezultoi gjithashtu disi i përmirësuar në Islandë, Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni, ndërsa vazhdoi të përkeqësohej përgjatë gjithë vitit 2010 në Kroaci, Serbi dhe Kosovë.

Rritja reale

Në tremujorin e fundit të 2010-ës, rritja reale në Shqipëri arriti në 5.4% në terma vjetorë, duke vazhduar performancën e fortë ekonomike të regjistruar gjatë tre tremujorëve të parë të vitit. Industria ishte gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike, ku në një masë të konsiderueshme reflektohet edhe rritja e lartë e prodhimit të energjisë elektrike. Sektori i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve vazhdoi të përmirësohej edhe gjatë tremujorit të katërt. Ndërsa rënia në sektorin e ndërtimit e regjistruar gjatë tre tremujorëve të parë të vitit 2010 vazhdoi edhe përgjatë tremujorit të fundit, megjithëse me një ritëm më të pakët.

Remitancat

Situata jo e mirë ekonomike në vendet ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët ka sjellë një rënie të dërgesave të tyre në atdhe. Sipas raportit, në 2010, deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 22%, kryesisht reflektim i një rritje të lartë prej rreth 63% të eksporteve të mallrave dhe një rritje e moderuar e importeve. Gjithashtu edhe suficiti i shërbimeve u përmirësua me rreth 50%, ndërkohë që remitancat ranë me rreth 12% duke reflektuar situatën e dobët ekonomike në vendet ku punësohen emigrantët shqiptare.

Kreditimi

Ritmi i rritjes së kredititmit gjatë vitit 2010 ishte i ngadaltë, megjithëse ishte rritja më e latë e kredisë në të gjithë rajonin. Edhe gjatë tremujorit të fundit të vitit 2010 rritja e kreditimit mbeti e ndrydhur. Megjithatë, ngadalësimi i ritmeve të kredititmit gjatë vitit 2010 duket se ka arritur fundin, pasi kreditimi në janar dhe shkurt 2011 u rrit respektivisht me 8.8% dhe 9.4%. Pas një periudhe ngadalësimi, si kreditimi i sektorit privat, ashtu edhe ai i konsumatorëve ka treguar shenjat e para të një kthese drejt përshpejtimit. Pas një periudhe me një trend progresiv rritës, “kreditë e këqija” si raport ndaj totalit të kredisë duket se janë stopuar në nivelin 13.6% në tremujorin e fundit të vitit 2010. Gjatë së njëjtës periudhë treguesit e rentabilitetit të sistemit bankar janë forcuar, ndërsa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ra lehtësisht në nivelin 15.4%. Depozitat e sistemit bankar vijuan të rriten edhe përgjatë tremujorit të fundit të vitit duke arritur në 17.6% në terma vjetore. Në janar dhe shkurt 2011 depozitat u rritën me një ritëm më të ngadaltë, megjithatë kjo mund të jetë reflektim i faktorëve sezonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›