E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri shqiptar acaron serbët

Incidente ne Stamboll gjate ndeshjes Beshiktash-Cervena Zvezda. Tere pallati i sportit pushtohet nga thirrjet "Kosova - Kosova". Valeviten flamujt shqiptare. Serbet: E pame pisk

TIRANË – Pati flamur shqiptar nga tifozët e Olimpikut të Marsejës, pati përshëndetje diku tjetër, por një atmosferë si ajo në pallatin e sportit “Kola Turk” të Stambollit në ndeshjen Beshiktash-Crvena Zvezda nuk ishte parë asnjëherë. Në tribuna ishin 5500 tifozë turq, përzier me shqiptarë Kosove që jetojnë prej shumë vjetësh në Turqi që nuk e lanë rastin t’i shpëtonte nga dora. Gazeta serbe “Kurir” shkruan se atmosfera ishte vdekësore, madje një lojtar turk edhe pështyu një lojtar të Zvezdës. Me dhjetra e qindra flamuj të kuq shqiptarë u valëvitën gjatë ndeshjes si dhe oshëtinë thirrjet “Kosova, Kosova” dhe “UÇK, UÇK”. “Basketbollistët e Zvezdës nuk ia kaluan bukur në Stamboll, shkruan “Kuriri”, jo vetëm u mundën nga Beshiktashi (81-69) në ndeshjen e kthimit të 1/8-ës së finaleve të Kupës ULEB duke mos u kualifikuar për më tej, por edhe u provokuan vazhdimisht nga tifozët turq që patën si armë kryesore tundjen e flamujve shqiptarë”. Salla e atij pallati sporti është tepër agresive sepse rreshtat e tifozëve janë deri fare pranë fushës ku luajnë basketbollistët. “Një torturë të ngjashme e provuan edhe basketbollistët e Partizanit pak ditë më parë kur luajtën ndaj Efes Pilsenit, por bardhekuqtë (Zvezda) pranojnë se nuk janë mësuar me një atmosferë të tillë që ndikoi edhe në humbje. Basketbollisti më i mirë i serbëve, Elmedin Kikanoviç (19 pikë) deklaroi pas ndeshjes se “ata (turqit) patën mbështetje fantastike nga publiku, duhet të pranoj se rrallë ndonjë prej nesh ka luajtur në një atmosferë të tillë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›